Tirana përtej jetueshmërisë/Geto dhe 12% e sipërfaqes e urbanizuar në 30 vjet

Postuar në 03 Dhjetor, 2023 21:24

Në 30 vitet e fundit, Tirana ka bërë ekspansion urban të barabartë me 12% të sipërfaqes rajonale. Me një ritëm të tillë, urbanistët parashikojnë që në 50 vitet e ardhshme, i gjithë rajoni do të mbulohet me ndërtime. Aktualisht, sipas Artan Kacanit, urbanist dhe lektor pranë universitetit Polis, Tirana si qytet është rritur përtej jetueshmërisë. Përqendrimi i gjithë densitetit urban në qendër do të sjellë, sipas tij, pasoja të rënda. 

Për momentin, qendra e Tiranës po kondensohet drejt një densiteti shumë të lartë urban. Në qoftë se ne do të ecim përgjatë Pallatit të Kongreseve dhe pallate të tjera, do të kuptojmë këto pallate sot janë zhytur. Janë zhytur nga pesha e betonit. Dikur shtriheshin mbi një livadh, siç ishte lumi i Lanës. Livadhi është sfungjeror, me sasi të mëdha ujore. Një pjesë e mirë e qendrës shumë shpejt do të përmbytet. Tirana me pesha të mëdha të betonit dhe homogjenizimit të qendrës do të vuajë përmbytje të mëdha. Nëse bëjnë xhiron e ndërtesave kryesore, do të kuptojmë se janë rrethuar me thasë të ndryshëm, në mënyrë që të mos lejojnë shiun.  

Një kryeqytet që sipas Kacanit nuk incentivon periferinë, e cila kontribuon njësoj me taksa, krijon predispozita getizimi. Një geto nis pikërisht nga kufizimin hapësinor që çon në mundësi të munguara e më tej në izolim. Dhe e gjithë kjo gjenerohet pikë së pari nga paraja.  

Në momentin që paraja bëhet instrument i ndasisë fizike, instrument i prishjes së komshillëkut, në atë moment kemi prishur dhe kemi krijuar geto.

Ajo që në Tiranë  mund të na jetë servirur si fundi i një getoje, në fakt mund të jetë fillimi i një tjetre. Largimi nga shtëpitë e tyre i banorëve të disa zonave të Tiranës është sipas Kacanit nisja e një procesi getiozimi.

Përsa kohë do të kemi deportime të dhunshme, gjë që e bën Bashkia e Tiranës dhe shumë bashki të tjera, duke ofruar vetëm një solucion, që është kundër të drejtave themelore të njeriut, është kundër dinjitetit njerëzor. Kemi të bëjmë me një proces getoizimi.

Por getoizimi nuk është fenomen i ri. Para një dekade, jo shumë larg qendrës së Tiranës, Bathorja kishte trajtën e një getoje. Dhe për ta kuptuar një të tillë, Kacani thekson se duhet të mos ngatërrohet shkaku me pasojën.

Krijohet ideja sikur segregimi është i vullnetshëm, sikur njerëzit e Bathores kanë vendosur vetë të jenë së bashku. Është e nevojshme të kuptojmë që nga fillimi se nga nis geto, e cila ka të bëjë me hapësirën fizike. Nëse kemi të bëjmë me një komunitet që ndodhet në Bathore, do të thotë se ata kanë gjetur mbështetje te njëri-tjetri, jo se janë përjashtuar së bashku. Ajo që i ka bërë bashkë është bashkimi dhe rezistenca dhe jo krijimi i getos. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë që ata ndër vite kanë kërkuar integrimin, i cili është reflektuar në të gjitha dinamikat e tjera.

Informaliteti i lartë në Shqipëri, mungesa e dokumenteve të pronësisë dhe paqartësitë e kadastrës për parcelat pronësore janë pretekst për getoizim, i legjitimuar ky nga klasa politike.

Kemi zonën informale më të madhe 750 ha në zonën e Kënetës dhe më të voglën, më pak se një ha aty ku po ndërton Stefano Boeri përballë Kryeministrisë. Informaliteti në Shqipëri është një instrument politik që përdoret për financat, aksesin ndaj kulturës, edukimit etj. Getizimi është një proces që shtrihet dhe legjitimohet nga klasa politike shqiptare. 

Geto, nga italishtja gettare-hedh poshtë diçka, si term lindi në Venecian e shekullit XVI, dhe u referohej ishujve të lagunës që përdoreshin për depozitimin e materialeve detare. Koncepti shkon përtej kufizimit të hapësirave fizike dhe merr nuanca të ndryshme. Një nga format më të dëmshme, sipas Kacanit, është getoizimi institucional, kur zyrat e pushtetit kthehen në korsi preferenciale për një pakicë njerëzish.

Comments

Submitted by Vlora 97 (not verified) on

Hajde mo profesora koti
Dër dër dër
Tirana është bërë shumë me e mirë nga cka qenë

Submitted by Asterisk (not verified) on

Me fal, por vetem deportime te dhunshme nuk ka ne TR. E dhunshme eshte qe ata qe zaptuan e perdoren dhe shfrytezuan nje toke te tyre per kaq vit te demshperblehen dhe me leke ose apartamente nga buxheti publik, buxhet qe mbushet nga taksat e dikujt qe ka zbatuar gjithmone ligjin. Ku eshte e dhunshmja ketu? Ata qe ikin me dhune duan te marrin me shume nga shteti per nje prone qe nuk i ka takuar kurre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.