Një populist i djathtë bëhet president i Argjentinës

Postuar në 20 Nëntor, 2023 13:07

Javier Milei, një populist i së djathtës, është zgjedhur presidenti i ri i Argjentinës. Mediat botërore e pagëzuan menjëherë si “Trumpi” argjentinas, për shkak të qasjes së tij radikale për të rregulluar  ekonominë e goditur nga inflacioni treshifror, një recesion i pritshëm dhe varfëria në rritje.

Milei shfrytëzoi një valë zemërimi kundër elitës politikës aktuale, duke siguruar një fitore me një diferencë më të madhe se sa pritej. Ai mori rreth 56% të votave kundrejt pak më shumë se 44% të rivalit, ministri peronist i Ekonomisë Sergio Massa.

Modeli i dekadencës ka marrë fund, nuk ka kthim prapa”, tha Milei pas shpalljes së rezultatit.

"Ne kemi probleme monumentale përpara: inflacion, mungesë pune dhe varfëri," tha ai. “Situata është kritike dhe nuk ka vend për gjysmë-masa të vakëta”.

Lideri i ri i Argjentinës duket i qartë për orientimin që do t’i japë vendit në politikën ndërkombëtare. Menjëherë pas fitore, Diana Mondino, këshilltare e lartë ekonomike e presidentit të zgjedhur, tha se Argjentina nuk do t’i bashkohet BRICS.

Ftesa për t'u bashkuar me BRICS u miratua në gusht dhe u shtri në Argjentinë, Egjipt, Etiopi, Iran, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Aleanca aktuale përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Por Milei ka kritikuar Kinën dhe Brazilin, duke thënë se nuk do të merret me "komunistët" dhe favorizon lidhje më të forta me SHBA.

Milei premton një terapi shoku në ekonomi. Planet e tij përfshijnë mbylljen e bankës qendrore, heqjen e pesosit dhe uljen e shpenzimeve, reforma potencialisht të dhimbshme që ngjitën te votuesit e zemëruar për gjendjen ekonomike.

Presidenti i ri ka përpara sfida jo të vogla. Ai do të duhet të merret me arkat e zbrazëta të qeverisë dhe bankës qendrore, një program borxhi 44 miliardë dollarësh me Fondin Monetar Ndërkombëtar, inflacionin që ka arritur në rreth 150% dhe një sërë kontrollesh marramendëse të kapitalit.

Milei ka elektorat veçanërisht te të rinjtë, të cilët janë rritur duke e parë Argjentinën të kalojë nga një krizë në tjetrën.

Fitorja e Mileit trondit peizazhin politik dhe udhërrëfyesin ekonomik të Argjentinës dhe mund të ndikojë në tregtinë e drithërave, litiumit dhe hidrokarbureve.

Ndërsa ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Milei do ta bëjë Argjentinën sërish madhështore.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.