Drafti i Asociacionit nuk është edhe aq sekret - vështirë të ketë më të mirë
Drafti për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe zyrtarisht mbetet konfidencial, por ai për opinionin e Kosovës nuk është më i panjohur. Me një probabilitet shumë të madh mund të thuhet se versioni të cilin e ka bërë publik Burim Ramadani është, pak a shumë, ai version sipas të cilit synohet të themelohet Asociacioni. Kushdo që ka përvojë me leximin e dokumenteve të tilla që draftohen nga strukturat e BE-së dhe SHBA-së, e shohin dorën e tyre në këtë dokument. Dhe vështirë që një version i tillë të mund të kishte dalë nga dikush që nuk është thellë i përfshirë në proces. Fakti se askush nuk e ka mohuar në mënyrë të prerë, as BE-ja, as SHBA-ja, as Kosova e as Serbia se ai version është i saktë e bën edhe më të besueshëm pohimin se ai është drafti. Prandaj, derisa edhe “zyrtarisht” të mos bëhet publik ai draft, opinioni dhe ekspertët, por edhe strukturat politike që nuk kanë mundur ta shohin tekstin, duhet debatin ta zhvillojnë pikërisht duke e trajtuar atë version si real. Ai në fund mund edhe të pësojë ndryshime, mund edhe të ketë ndryshime të vogla në gjuhë, por thelbi është aty. E ai thelb është se në territorin e Kosovës do të themelohet një Asociacion i cili do të duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por e cila nuk e largon mundësinë që Serbia të ketë rol të madh në të.
Propozimi i këtij drafti, dhe shprehja e gatishmërisë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta pranuar, ndonëse me kusht që të nënshkruhet si pjesë e paketës bashkë me Marrëveshjen dhe aneksin e implementimit, shënon një moment të ri në dialog. Shënon një evoluim të madh të kësaj qeverie, e cila deri tash nuk ka dashur as të flasë për këtë temë e tash është e gatshme ta pranojë, por duhet të sigurojë që nga kjo edhe Kosova të përfitojë.
Shënon moment të ri edhe pse tash ka një propozim serioz, real dhe me mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare, mbi të cilin mund të punohet për të kryer këtë obligim. E Kosova e ka obligim dhe nuk mund t’i ikë, së paku jo pa pasoja serioze.
Ky moment, sikur edhe rrethanat aktuale në Evropë dhe botë, e ka vendosur Kosovën në një situatë shumë sfiduese, e cila kërkon krijimin e një konsensusi politik dhe shoqëror.
Janë legjitime rikujtimet që opozita e sotme ia bën kësaj qeverie se çfarë ka thënë më herët për “Zajednicën". Po aq legjitime janë edhe rikujtimet që ato parti, që sot janë në opozitë, e morën këtë obligim në emër të Kosovës. Shkëmbimi i kritikave, shpesh me ofendime, duken interesante, por ato nuk do t’i sjellin Kosovës asgjë.
Edhe opozita e sotme, që ishte qeveri e dikurshme, duhet ta dijë se nuk ka mundësi edhe të refuzohet drafti për Asociacionin, edhe të ruhen raportet e mira me miqtë. Sepse SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia e BE-ja jo vetëm se janë prapa këtij drafti, por vetë e kanë shkruar.
I tërë dialogu ishte nisur me idenë që Serbisë dhe serbëve t’u jepet “diçka më shumë se Ahtisaari” në mënyrë që të jenë të kënaqur dhe të mos ndihen se “kanë humbur gjithçka”, ndërkohë që shqiptarët “kanë fituar gjithçka”.
Këtë narrativë e ka shtyrë Serbia dhe është pranuar nga një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe nga diplomatë të vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu, mes tjerash, pasi është refuzuar ideja për ndarjen e Kosovës, me çka “Serbia do të merrte një copë dhe do të kënaqej”, lindi ideja për një “trajtim të veçantë” apo “status special” të veriut të Kosovës. Dhe kjo përmes dialogut, e edhe jashtë tij, nisi të zbatohej si “realitet në terren”.
Dy obligime që e kanë përcjellë Kosovën deri tash janë që Kosova të formojë Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe dhe që të mos dërgojë njësi të FSK-në në pjesën veriore. Prej kur janë marrë këto dy obligime, Kosova qenë peng e tyre. Dhe vazhdon të jetë edhe tash. Është tjetër pyetje se a ka mundur apo jo Kosova të mos i marrë këto obligime. Por nuk ka dyshim se të dyja ishin dëshmi se një pjesë e Kosovës trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër.
Përkundër mbështetjes së madhe nga spektri politik, me përjashtim të Vetëvendosjes që atëherë ishte në opozitë, asnjë hap nuk u bë në Kosovë drejt krijimit të këtij Asociacioni/Bashkësie. Gjykata Kushtetuese gjeti shumë mospërshtatje të Marrëveshjes për formimin e Asociacionit me Kushtetutën e Kosovës. Por ajo nuk tha se nuk duhet të krijohet. I dha udhëzimet që duhen marrë parasysh kur të krijohet.
Secili mund të ketë leximin e vet të draftit të statutit të Asociacionit. Por duhet të kuptohet se asnjë draft nuk mund të jetë krejtësisht i mirë. Mund të jetë më pak i dëmshëm e jo krejtësisht i padëmshëm për Kosovën.
Nuk është e rëndësishme vetëm se si e kuptojnë BE-ja e SHBA-ja këtë Asociacion, si e kupton Kosova, por edhe si e kupton Serbia. Nëse Serbisë do t’i lejohet që edhe Asociacionin ta përdorë për të penguar shtetësinë e Kosovës, ajo do ta bëjë një gjë të tillë. Serbia, kur është tërhequr vërejtja se nuk do të lejohet një “Republika Sërpska” në Kosovë, ka reaguar duke thënë se “Çfarë ka të keqe në Republika Sërpska”.
Në tekstin e draftit është mirë që në disa vende përmendet qartë se gjithçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, se edhe ndryshimet duhet të shkojnë për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese. Ka disa elemente të çuditshme, dhe të rrezikshme, që duhet sqaruar. Si për shembull zgjidhja e mospajtimeve në interpretim përmes Arbitrazhit e jo gjykatave si dhe funksionimi i sistemit shkollor dhe shëndetësor në cilësinë e një “sistemi privat”, që do të financohej nga Serbia.
Por nga ky proces, ku janë bërë aq shumë gabime, nuk ka mundur të dalë ndonjë propozim më i mirë sesa ky që është. Prandaj, të vetëdijshëm se Kosova nuk ka më shumë hapësirë veprimi rreth Asociacionit, një unitet i brendshëm në Kosovë do të rriste mundësinë për Kosovën që në të njëjtën kohë të përfitojë nga zbatimi i këtij obligimi duke zhbllokuar procesin e integrimit në BE dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Burimi: Koha Ditore
Add new comment