Serbia: Asociacioni nuk mund të bëhet kurrë OJQ
Një ditë pasi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey M. Hovenier, i kërkoi Kosovës të çojë përpara themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga Beogradi këmbëngulin se asociacioni nuk do të jetë kurrë “organizatë joqeveritare”.
“Asociacioni i Komunave Serbe përfaqëson të vetmin mekanizëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, dhe refuzimi i Prishtinës për të përmbushur detyrimin e saj nga dialogu për plot 10 vjet, i mundësoi Albin Kurtit të kryejë terror dhe persekutim, duke përshkallëzuar lëvizjen kundër popullit serb”, tha drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç.
Ai theksoi se të gjitha marrëveshjet për Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ua ka thënë qartë dhe pa mëdyshje disa herë zyrtarëve ndërkombëtarë, përfshirë takimin e fundit në Bruksel me liderët evropianë.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Hovenier, tha se “nuk ka asnjë arsye që qeveria e Kosovës të mos ecë përpara me këtë draft statut”.
Add new comment