Përsëritja e zgjedhjeve në veri përçan sërish serbët e Kosovës
Lista Serbe u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës të shpallin datën e zgjedhjeve. Kërkesa vjen një ditë pasi presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, kërkoi nga serbët të futen në proces të ri zgjedhor në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Pavarësisht kësaj, mes serbëve të Kosovës nuk ka unitet. Politikanët serbë në opozitë me Listën Serbe (më e madhja e serbëve të Kosovës) thonë se tashmë kjo parti e ka humbur legjitimitetin tek populli që ka përfaqësuar.
Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, si një nga zërat më opozitar mes serbëve në Kosovë, thotë se Lista Serbe po operon edhe përtej urdhrave të adashit të tij, Aleksandar Vuçiç.
“Deklarimi i Listës Serbe se është gati për zgjedhje është shenjë se janë të dëshpëruar dhe se nuk kanë agjendë dhe qëllim të qartë politik. Lufta e tyre politike ka për qëllim ekskluzivisht fitimin e pozitave dhe shfrytëzimin e mjeteve buxhetore të Kosovës pa kontroll dhe përgjegjësi”, tha ai për AP, të cilës i referohet Zëri.
Lista Serbe dha dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës më 5 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për të hequr nga qarkullimi targat ilegale serbe.
Ata patën deklaruar se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për targat dhe të nisë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe tërheqjen e njësive policore nga Veriu.
Bojkoti i tyre në zgjedhjet e 23 prillit u dha shqiptarëve drejtimin e komunave me shumicë serbe. Thirrja për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, kësaj radhe pa kushte, vjen pak ditë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Megjithatë, lidhur me sulmin, Lista Serbe nuk u distancua, por shpalli ditë zie në nderim të tre sulmuesve serbë që mbetën të vrarë gjatë tij.
Add new comment