Opozita serbe: Kalojmë në veprime drastike nëse miratohet ligji për mediat elektronike
Opozita në Serbi kundërshton me forcë miratimin e ligjit për Mediat Elektronike dhe paralajmëron “veprime drastike” nëse ai kalon. Deputeti i opozitës, Vladeta Jankoviç, thotë se ligji që qeveria ka çuar në Parlament është “bullizëm dhe i paturpshëm”. Sipas saj, ligjit i janë shtuar dy paragrafë të rinj brenda natës, pas një dëgjese publike. Ligji i ndryshuar parashikon që nëse një operator dhe një transmetues nuk arrijnë një marrëveshje për çmimin e shërbimeve, çmimin përfundimtar e përcakton Organi Rregullator për Mediat (ORM).
“Nëse ky ligj kalon, nëse paraqitet në Kuvend dhe jam i sigurt se do të kalojë – do të thosha se opozita e fiton të drejtën, një arsyetim për të ndërmarrë veprime më drastike”, tha Jankoviç.
Me afrimin e datës së zgjedhjeve, 17 dhjetor, ky ligj merr rëndësi të veçantë. Jankoviç shprehu mendimin se opozita duhet të bashkohet në kërkesën për pesë deri në shtatë minuta në të gjitha lajmet e televizionit shtetëror serb (RTS) "deri të enjten e fundit para zgjedhjeve". Por nëse qeveria e refuzon, duhet të merren masa më drastike.
“Për mendimin tim, duhet të ketë një bllokadë 24-orëshe të hyrjes dhe daljes së RTS. Pa këto zgjedhjet janë të kota (...) Nëse qeveria do të merrte masa drastike, atëherë kjo do të ishte një fushë loje krejtësisht e ndryshme. E di që kjo ndoshta tingëllon e rrezikshme, por nuk shoh zgjidhje tjetër”, tha Jankoviç.
Sipas tij, nën presion, Vuçiç ka ndryshuar gjithnjë taktikë, ndaj ky është rasti.
“Nëse ky projektligj për mediat elektronike miratohet ashtu siç është, praktikisht do t'i humbim të gjitha televizionet e pavarura dhe kjo do të ishte “katastrofike”, paralajmëroi Jankoviç, duke shtuar se në të kaluarën, qeveria i ka tërhequr projektligjet kur gjërat "janë ashpërsuar".
“Kështu që po kthehem te ideja ime e ligë, agresive – kur toka fillon të dridhet, ata tërhiqen, kështu ishte me Rio Tinto dhe me disa ligje të tjera”, tha Jankoviç.
“Ai dhe i gjithë ky sistem i korruptuar janë futur në një situatë në të cilën bëhen veçanërisht të rrezikshëm,” tha Jankoviç.
Add new comment