Serbia është sëmurë dhe i beson vetëm cirkut të hipnozës së vet
Në një video në Instagram, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shfaqur një anë patetike të dikujt që po vesh gradualisht kostumin e heroit nacional përkundrejt një rreziku që në të vërtetë ësgtë provokuar prej budallallëkut të tij. Zoti Vuçiç ka folur për ditët më të vështira që nga viti 2008, ai ka folur për një fushatë të nisur kundër Serbisë, me gënjeshtra dhe të pavërtëta.
Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë, sepse jeta e serbëve nuk vlen më pak se jeta e të tjerëve. Dhe nuk më intereson se kush dhe sa presion do të ushtrojnë, ashtu siç nuk më intereson se si dhe në çfarë mënyne synojnë ta lëndojnë Serbinë me gënjeshtrat e tyre, si në rajon, ashtu edhe në mediat perëndimore.
E jona është të bashkohemi, të jemi edhe më të fortë, të ndërtojmë më shumë fabrika, akoma më shumë rrugë, spitale, të forcojmë ushtrinë tonë, të mbrojmë vendin tonë, të mbrojmë Serbinë tonë. Dhe ju mund të ëndërroni për pavarësinë e Kosovës. Serbia do ta mbrojë Kartën e Kombeve të Bashkuara, Serbia do të mbrojë Rezolutën 1244, Serbia do të mbrojë integritetin e saj territorial. Rroftë Serbia, Serbia do të fitojë
ka thënë ndër të tjera z. Vuçiç.
Ndaj këtij mesazhi absurd, teatral, prej dikujt që e futi vendin e vet në një cikël krize pa sens, është e vështirë të imagjinohet sesi mund të ulesh në tryezë e të flasësh më. Sepse nëse zotëria do të ishte hero i vërtetë siç pretendon, do ta kishte shkrepur deri më tani. Nëse do të ishte shtetar I vërtetë, nuk do fuste Serbinë në aventura të tilla, rezultati i të cilave po duket se cili është dhe nëse do të ishte edhe diplomat i shkathët, do të arrinte të kapitalizonte diçka nga avantazhet që iu dhanë.
Zoti Vuçiç nuk është asnjë prej këtyre. Ai nuk është as Millosheviç siç e akuzojnë. Ai është përfaqësues i denjë i kohës sonë: një politikan që merr shumë poza. Ne në Shqipëri mund ta kuptojmë shumë mirë një bufon të këtij niveli, sepse ne e dimë mjaft mirë se palaçollëku është mënyra më e mirë për të mbrojtur një politikë qorre.
Dikush mund të thotë se z. Vuçiç po e bën këtë deklaratë për konsum të brendshëm, se ai po do të tregojë forcë në një situatë të tillë. Mirëpo kujt i shërben kjo lloj force, që artikulohet si instrument i të vetmes politikë që dinë të bëjnë këta dallkaukë të Ballkanit: asaj të mbijetesës?
Vetëm dje z. Vuçiç, në një intervistë për Financial Times do të deklaronte se atij nuk i duhet lufta, se ai do të tërheqë ushtrinë, sepse nuk do të rrezikojë atë që ka ndërtuar për Serbinë në këto kohë. Pra se ai nuk do të sakrifikojë imazhin e arritur në Perëndim, investimet e thithura që aty për Kosovën dhe disa fshatra malokësh serbë që nuk po di si t’i kullandrisë. Sot, me fytyrën e heroit, ai bërtet: Serbia do të Fitojë! Çfarë dhe kundër kujt? Serbia do të zvarritet pas rezolutës dhe incidenteve kufitare, Serbia do të ankohet ditë për ditë për terror dhe pogrome, po Serbia padyshim që do ta bëjë kauzë edhe në galaktikë të drejtën e vet të nëpërkëmbur derisa cirku mito-megallomanik ku ka futur veten prej kaq kohësh të jetë në të vërtetë i vetmi realitet që ajo beson. Është një gjendje hipnoze që ushqehet me suksese taktike, e që nuk po e lë Serbinë të shquajë horizontin nga mirazhi.
Serbia është sëmurë dhe është sëmurë rëndë. Ngjarja e Banjskës ishte kronikë e një krimi shtetëror, këtë nuk e mohon dot as ungjilli nacional-propagandistik i Serbisë. Dhe pse është e tillë, ajo duhet të moderojë ambiciet e veta, duke i kaluar ato nga plani historiografik në atë konkret, në një botë që sa vjen dhe e bën Ballkanin një lagje mjerane hajvanësh kokëfortë që nuk po duan të kuptojnë sesa më shpejt të zgjidhen çështje që nuk janë çështje, aq më mirë e ardhmja do të jetë për ta. Një politikë e ngecur në fortifikimin dhe blindimin e një identiteti që polemizon vetëm me fqinjin është e destinuar të mbetet anakronike në kohën tonë.
Kjo sigurisht që nuk vlen vetëm për serbët e Aleksandër Vuçiçit, por edhe për të gjithë në Ballkan. Por është Serbia dhe serbët që nuk duan të kuptojnë se ata nuk janë më qendra e Ballkanit përmes Jugosllavisë, ata janë një ndër kombet e këtij rajoni dhe asgjë më shumë. Edhe pse janë të zotë të gjejnë shërbyes të bindur në Tiranë apo gjetiu.
s.zaimi
Add new comment