Radoiçiç pranon organizimin e sulmit në Banjskë. Kushte juridike për nxjerrjen jashtë ligjit të Listës Srpska
Nënkryetari i Listës Srpska, Milan Radoiçiç, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij, pasi sipas presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, “ai nuk dëshiron ta dëmtojë Listën Srpska”. Përmes një letre te lexuar nga avokati i Radoiçiç, Goran Petronijeviç, numri dy i Listës Srpska, parti serbe në Kosovë, ka pranuar pjesëmarrjen në ngjarjet e Banjskës më 24 shtator, madje edhe përgjegjësinë për organizimin logjistik të tyre. Siç pritej ai ka shfajësuar Beogradin zyrtar duke deklaruar se ky i fundit nuk ka patur dijeni për atë që po ndodhte. Për sa i përket vrasjes së policit të Kosovës, Radoiçiç ka deklaruar se ajo ka qenë aksidentale.
Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë e të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time…Vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte "aksidentale", pas së cilës ka nisur një përleshje e ashpër nga të dyja palët.
Për sulmin nuk ka pasur dijeni as struktura qendrore në Serbi e as ajo lokale në veri të Kosovës…Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori
lexoi avokati letrën.
Pas këtij deklarimi është tanimë zyrtarisht e konfirmuar se një zyrtar i një partie serbe në Kosovë ka organizuar akte të armatosura terrori duke e klasfikuar veten si subjekt të ligjeve për terrorizmin. Në këto kushte, pavarësisht pretendimeve të Radoiçiç, i cili duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u gjykuar dhe këtë kërkesë Kosova nuk do të duhej ta hiqte nga tryeza, është imperative të hetohet në rrënjë përfshirja e Listës Srpska në këto që ndodhën duke përgatitur mundësisht nxjerrjen e saj jashtë ligjit, për organizim veprimesh antikushtetuese dhe me pasoja më të gjera në rajon.
Po kështu, implikimi i tanishëm i zyrtarëve serbë në ngjarjet e fundit, e bën të detyrueshëm që propozimi për Asocacionin të shoqërohet me kuadër shtrëngues ligjor për të mos lejuar në asnjë mënyrë që ky entitet të përdoret për autonomi faktike si këto që kemi dëshmuar në Banjskë. Serbia tashmë nuk ka asnjë argument veç të pranojë që ka dështuar në përpjekjen e saj.
s.zaimi
Add new comment