Dy dokumentet e takimit të Brukselit

Postuar në 15 Shtator, 2023 17:58

Takimi i djeshëm në Bruksel mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës përfundoi pa rezultat. Kryeministri Albin Kurti tha se propozimet e Serbisë janë bërë qasja e vetë BE-së, ndërsa shtoi se ka refuzuar asociacionin e pretenduar nga pala serbe.

Sipas Kohës Ditore, propozimi që iu vu në tryezë palëve nga Bashkimi Europian ka të bëjë me krijimin e një instrumenti të vetëmenaxhimit për serbët. Në dokumentin që u pranua nga presidenti serb, por u refuzua nga Albin Kurti propozohet edhe njohja e dokumenteve të ndërsjella dhe simboleve kombëtare, shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre në instrumentin e vetëmenaxhimit.

Propozimi serb parashikon “Themelimin e instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës, shpërbërjen e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre, i përshtatshëm, nën instrumentin e vetëmenaxhmit për serbët e Kosovës”.

Po ashtu, propozimi i BE-së përfshin edhe njohjen e dokumenteve të ndërsjellja dhe simboleve kombëtare si dhe formalizimin e statusit për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, si kusht që të mos kundërshtohet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Menjëherë pas takimit në Bruksel, kryeministri Kurti deklaroi se propozimi që iu vu në tryezë nga ndërmjetësuesi i BE-së ishte ai i gjashtë muajve më parë. Pala kosovare thekson se Serbia insistoi te asociacioni, ndërsa propozimi i dorëzuar prej tyre ishte më gjithëpërfshirës.

Në draftin e propozuar nga pala kosovare kërkohet nënshkrimi nga të dy palët i Deklaratës së të Pagjeturve, njohja e dokumenteve respektive dhe simboleve kombëtare, pasaportave, diplomave, targave dhe vulave në dogana, nisja e një procesi negociimi për statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës.

Më tej, në draft thuhet se garantimi i qëndrueshmërisë ligjore të Statutit do të bëhet përmes miratimit të akteve dhe rregulloreve përkatëse, të cilat do të rishikohen nga Kushtetuta e Kosovës.

Strukturat ilegale të financuara nga Serbia që operojnë në territorin e Kosovës janë shpërbërë. Shërbimet që hyjnë në përgjegjësinë e komunave do të kalojnë te komunat e Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës. Më tej, komunat mund të bashkëpunojnë në partneritet për të ofruar ato shërbime që i konsiderojnë të rëndësishme në përputhje me ligjet e Kosovës dhe konventat e Këshillit të Europës”, thuhet në draft.

Një pikë tjetër e draftit parashikon angazhimin politik të palëve për shkëmbimin e misioneve të përhershme diplomatike.

Drafti përmban një pikë të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe, që parashikon “formalizimin ee statusit të saj dhe ofrimin e mbrojtjes së veçantë për sajtet serbe të religjionit dhe kulturës, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.