Putin do të vizitojë Korenë e Veriut
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka ftuar presidentin rus Vladimir Putin në Penian. Lajmin e bën të ditur Voice of Korea, shërbimi transmetues ndërkombëtar i Koresë së Veriut.
“Pas darkës, shoku i dashur Kim Jong Un e ftoi përzemërsisht Presidentin Putin të vizitojë Republikën Popullore Demokratike të Koresë në çdo kohë të përshtatshme”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se Putini “e pranoi ftesën”.
Presidenti rus dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut u takuan për më shumë se pesë orë në portin hapësinor Vostochny të mërkurën, samiti i tyre i parë në katër vjet.
Të dy liderët zhvilluan bisedime me pjesëmarrjen e delegacioneve nga të dy vendet si dhe në formatin kokë më kokë. Sipas TASS, në axhendën e bisedimeve ishin çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe humanitar, situata në rajon si dhe shumë tema të tjera.
Kin Jong Un mbërriti në Rusi për një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit rus. Rusia është shteti i parë që Kim viziton pas pandemisë së koronavirusit, gjatë së cilës koreanoveriorët u izoluan tërësisht, duke mbyllur kufijtë.
Kim ka qenë në Rusi për herë të fundit në 26 prill 2019, kur mbërriti në Vladivostok me trenin e tij personal. Bisedimet e tij me Putinin në Vladivostok ishin takimi i tyre i parë personal.
Add new comment