Çfarë jemi Ne grekët?!
Helene Glykatzi-Ahrweiler (29 gusht 1926), i ka kushtuar gjithë jetën e vet studimit të Bizantit. Në intervistën e mëposhtme me gazetarin grek Dhimosthenis Gaveas, ajo flet për vazhdimësinë historike greke dhe dialektikën mes impaktit politik të Bizantit e zhvillimit të identitetit neohelen. Ka qenë gruaja e parë dekane në Departamentin e Historisë së Universitetit të Sorbonës në vitin 1967 dhe gruaja e parë rektore e Universitetit të Sorbonës (1976) në historinë e tij 700 vjeçare. Më pas u bë, rektore e Universitetit të Europës.
Duhet ta keni vënë re se ekziston një përçarje në psikikën e grekëve, se kujt i përkasin. Në vend që të përqafojmë historinë tonë, na rëndon aq shumë, sa që përpiqemi t’i shmangemi, duke lënë pa përgjigje pyetjen se kujt i përkasim në vend e kohë.
Përkatësia (qesh) është problemi i madh që shqetëson grekët dhe askush nuk e thotë. Karamanlis thoshte “I përkasim Perëndimit”, Zuraris lindores së tij dhe grekët ndërmes, të pezullt. Pra, “përkatësia” është problemi i madh. Por, para “të përkiturit”, ekziston “të qenit” dhe këtu, nuk përgjigjet tashmë askush. Sepse, nuk je kjo që je, nuk je ajo që bën, por je ajo, që ke. Dhe kur je ajo që ke, nuk e di më se çfarë je.
Mjaft njerëz thonë, që i dhamë dritën Qytetërimit Perëndimor, por përtej kësaj nuk patëm ndonjë arritje tjetër, humbëm në rrjedhën e historisë dhe periudha e mëvonshme e Bizantit e orientimi drejt asketizmit lindor, na ngujoi më tepër, në kohën që Iluminizmi lulëzonte në Perëndim. Çështja është që Greqia nuk njohu Iluminizëm. Kush e ka fajin? Do ta them: Kisha. Gati ç’kishëruan Volterin dhe gjithë të singjashmit e tij; i vetmi iluminist në Greqi ishte Rigas Fereos. Kur vranë Rigën Kisha nuk vajtoi për të.
Në rregull, por ekziston edhe një kundër-argument në favor të Kishës. Shkrimet e greqishtes së lashtë, madje edhe vetë gjuha, mbijetuan falë Kishës.
Nga cila Kishë? Mësohen dy gënjeshtra të mëdha në Greqi e në gjithë Europën.
Gënjeshtra e parë është që tekstet e shkruara të greqishtes së lashtë mbijetuan falë arabëve. Nëse njëmend vlen kjo gjë, atëherë shtroj pyetjen: Pse s’u përkthye Homeri në arabisht? Tuqididi? Sofokliu, Euripidi, etj? Ajo çka bënë arabët, të krishterët e vendeve arabike, është që përkthyen “Organon” e Aristotelit, Ptolemeun, gjeografët, etj. Edhe këto për arsye administrative. Ngaqë perandoria e tyre ishte gjigante, kryesisht Kalifati i Bagdatit, u duhej një udhëzues administrativ dhe e bënë.
Por, edhe Aristoteli në arabisht, nuk është Aristoteli përfundimtar, në formën që e njohim sot. Tekstet e lashta, mbijetuan falë skriptoreve, pra punishteve të manastireve të Konstandinopojës. Ajo që shpëtoi shkrimet në të vërtetë është Perandoria dhe jo Kisha. Në fillim të shekullit X, Konstandin Porfirogjeneti mblodhi gjithë tekstet e hedhura nga shkrimet e lashta, nga manastiret e gjetkë, që të bënte enciklopedinë e parë. Dhe ia del të bëjë enciklopedinë e parë. Studiuesit e asaj kohe bënë përmbledhjet e para, kushtetutat, etj. Nëse s’do të ishin ata, s’do të kishim asgjë.
Mendoj se, ngaqë kemi fragmentet (fragmenta) e historianëve, etj., kur i mblodhi Konstandin Porfirogjeneti, hartuan një enciklopedi tematike, pra ishte një enciklopedi me pak a shumë 55 tema mbi gjuetinë, mjekësinë, etj., dhe ata që u morën me të, i kishin temat dhe thjesht bënin përzgjedhjen. Këtë mendoj, por s’mund ta vërtetoj. Sidoqoftë, edhe ato që sot i quajmë tekste arabe, janë në njëfarë mënyre me origjinë bizantine.
Ç’mendim keni mbi argumentin, që Bizanti është përgjegjës për humbjen e qytetërimit grek dhe Justinianin, që mbylli shkollat filozofike?
Nuk duhet të kapërcejmë shekujt, sikur bëhet fjalë për ditë. Jemi ende në shek. VI, pothuajse në vitin 527, kur ende në perandori ka idhujtarë. Suksesi më i madh i të krishterëve në politikat e komunikimit, është që etiketuan si idhujtare çdo fe të lashtë, që s’kishte ndonjë lidhje me idhujt. Në mentalitetin bizantin, “helen”, do të thotë idhujtar. Grekët nuk kanë të drejtë të japin mësim. Pavarësisht, se Justiniani mbylli shkollën neoplatonike të Athinës, nuk dogji, as shkatërroi gjë, dhe pedagogët grekë ikën e shkuan në Persi. Këtu nis zelli i përkthimit, fillimisht në gjuhën siriane dhe më pas, kur arabët mbërrijnë në shek. XVII në Damask dhe pushtojnë gjithë zonën, fillon dhe përkthimi i parë, që merr formë përfundimtare në Damask, domethënë një shekull më pas.
Ajo çka nuk pranojnë arabët, është që kur Omari pushtoi Aleksandrinë rreth vitit 647, dogji bibliotekën, që të ngroheshin lajtoret. Kur u bë përurimi i bibliotekës së re të Aleksandrisë dhe rumët çuan tekste bizantine, arabët i dëbuan dhe u kthyen pas, pa tekstet.
Gënjeshtra e dytë, është që për shkak të ikjes së konstandinopolitëve pas Rënies së Konstandinopojës më 1453, ndodhi Rilindja. Kur konstandinopolitët u larguan, gjetën në Itali Cimabuen, Fra Angelikon, Giotton dhe Danten. Pra, këto janë gënjeshtra, që arabët shpëtuan shkrimet e lashta greke dhe bizantinët bënë Rilindjen e Perëndimit. Këto janë dy rrenat e mëdha. Është diçka tjetër, nëse bizantinët sollën njohjen e e greqishtes së lashtë në Perëndim, pas largimit të tyre nga Konstandinopoja. Gramatika, fjalorët sintaksorë janë falë tyre, por nëse s’do të ishte Gutenbergu dhe rilindja e gjërave dhe e shkrimeve në Perëndim, nuk do të sillnin ndryshimin pesë veta, që ikën nga Konstandinopoja dhe që humbën edhe si grekë etnikë, edhe si ortodoksë. Mos të harrojmë që Visarioni, desh u bë Papë. U bë kardinal dhe krejt libat e tij që solli me vete në Perëndim, ia la bibliotekës së Venecias, që përbëjnë “majanë e parë”, për Bibliotekën Marciana të Venecias.
Kur fillon të ketë vetëdije greke në Bizant?
Emri “helen” kurrë nuk arriti të gjente madhështinë e dikurshme. Fjala “helen” u zëvendësua nga “romios” (rum) ose “romak”, që do të thoshte grek në etni e gjuhë dhe gjuha helene u quajt greke, kurse zakonet e tyre - romake. Kur në shek. IX një princeshë perëndimore vajti të martohej me perandorin e ardhshëm të Bizantit, thanë: “Po i dërgojmë një Protospathar , që t’i mësojë gjuhën greke dhe zakonet romake”. Ky është kuptimi i të qenit bizantin. Vetëdije greke bizantintët fillojnë të kenë, kur thonë që turqit janë persë ahemenidë (achaemenid). Por, ç’lidhje kanë turkmenët, Hajdinoglu, Mendese, Karamanllinjtë, Osmanët me persët? Asnjë.
Rreken të tregojnë që njësoj si maratonomakët e salaminomakët, që dëbuan dhe zmbrapsën persët, kështu do të bënin edhe ata. Pra, në njëfarë mënyre, njohin vazhdimësinë e tyre me grekët. Kur Manuel Palelologu, në fillim të shek. XV, do që të kërkojë ndihmë nga jashtë, Gemistos Plethon, i thotë: “Mos ngurro të kërkosh çdo gjë që dëshiron, sepse kjo do të jetë si kthim, nga ato ç’kemi dhënë”.
Dhe që të kthehem shekuj pas, kur Julian Renegati donte që të risillte fenë e lashtë dhe t’i quante të krishterët galilenj, duke u ndaluar që të flisnin gjuhën greke, ngaqë ishte gjuha e inteligjencës, atëherë Gregor Nazianzus i dërgon traktatin e famshëm “Κujt i përket literatura helene?” dhe tregon që gjithçka, gjithçka, përfshirë edhe të krishterët, është marrë nga grekët e lashtë, përveç pederastisë. Që ekziston njëfarë vazhdimësie, edhe gjuhësore, edhe intelektuale, duket kur Vasili i Madh, u shkruan të rinjve: “Lexoni tekste të lashta”. Dhe kur bizantinët i referohen gjuhës së thjeshtë, teksteve gjeografike, s’është gjë tjetër, veçse gjuha që flasim dhe tani, demotikon. Dhe nuk po zgjatem me notariaka-n, shkresat e shitjeve, që janë të shkruara në gjuhën e thjeshtë demotikon, që fliste Makrijani dhe që flasim edhe sot.
Domethënë si e perceptonin helenizmin e tyre atëherë?
Helenizmi është në radhë të parë helenoglosi dhe helenofoni, më pas vetëdije e një vazhdimësie historike, por ata që e bënë quhen romei (rumë). Madje ekzistojnë një mori tekstesh që flasin për romakë të pastër, sepse “romakët” në kufijtë veriorë me sllavët e ata në kufi me arabët, konsiderohen quasi grekë ose quasi barbarë, ndërsa grekë të pastër - rumët ose romakët e Konstandinopojës. Pra, helenofoni nga njëra anë dhe vetëdije e vazhdimësisë historike, këto të dyja, përbëjnë në njëfarë mënyre një anë të identitetit bizantin, i cili mbi të gjitha – dhe e theksoj – është vetëdija e kombit të krishterë. E thotë edhe vetë Leoni i VI “luftojmë pro vëllezërve tanë të paçliruar, si komb të krishterësh”, pra të krishterë grekofonë me prejardhje romake, përsa u përket gjërave administrative.
Këtë lloj romanizmi (në kuptimin e rum miletit) e mohuam. Sikurse shkruan edhe Mihalidhis, poeti qipriot, e mohuam sepse nuk arritëm të çlironim djepin e kombit, Konstandinopojën, duke bërë kryeqytet një fshat të baltosur në 1830-n, me argumentin që jemi pasardhës të Perikliut dhe që atëherë, asnjë tekst bizantin nuk mësohet nëpër shkolla. Të gjithë e dinë “Erotas anikaten mahan” (Love, invincible in battle) të Sofokliut, etj., dhe asnjë nuk e di se ç’është Ana Komnena, Attaliates, Prokopi, etj., etj.
Kur formuan shtetin grek besuan, se që të bëhemi grekë, duhet në radhë të parë të bëhemi perëndimorë e të mohojmë pjesën lindore. Konstandinopoja është Bizanti. Rumunët e kanë shenjtëruar Konstandinopojën. Nëse shkoni në Kumoro, në Voronet, do shikoni që Rënien e Konstandinopojës e kanë si ikonë. I vetmi, që bën këtë përpjekje është Makrijani. Kur porosit 23 piktura nga betejat e çlirimit të Konstandinopojës nga Panajiotis Zografos, i thotë: Piktura e parë është Rënia e Konstandinopojës. Pra, nga atje fillojmë, nga Rënia e Konstandinopojës bëhemi neohelenët dhe Makrijani e di këtë më mirë se çdokush.
Ja edhe një problem tjetër: themelimi i shtetit grek, lë jashtë shumë grekë. Dhe kemi dhe Azinë e Vogël.
Këtu fillon problemi. Historia antike athinizon, më e reja peloponizon, kurse historia mesjetare bizantinizon. Domethënë, ajo çka dua të them, është që nuk ka diasporë, shpërndarje, por shkëputje të vazhdimësisë organike të helenizmit. Çlirohet një pjesë e vogël e helenizmit, ta katotika, të tëposhtmet, që thonë bizantinët. Pra, helenizmi nuk njëjtësohet me helenizmin e shtetit të ri grek dhe mospërputhja e helenizmit me heladitizmin, sidomos vitet e para të çlirimit, krijon dy gjëra: e para, Idenë e Madhe (Megali Idea) dhe së dyti, luftën për çlirimin e trojeve të pushtuara dhe të viseve kombëtare të humbura…Ky term u shfaq për herë të parë nga Mihail Paleologu, kur mbërriti në Konstandinopojë në vitin 1261, një vit pas çlirimit të saj nga frëngët dhe e rindërton me shqiponjën dykrenare. Asnjëherë shqiponja bizantine s’ka qenë dykrenare, që të shohë Lindje e Perëndim. Atëherë thotë “do rifitojmë trojet e humbura”, sikurse u bë me Konstandinopojën, që e kishim humbur “për shkak të mëkateve tona”, që thotë edhe Laskaris. Pra kishim themelimin e Idesë së Madhe dhe më pas tkurrjen e vazhdueshme të helenizmit bizantin. Tkurrja e fundit ishte në vitin 1922, e cila shenjon dhe fundin e Idesë së Madhe.
Kemi të paktën dy vite të rëndësishme, 1204-n dhe 1453-n, dhe sikurse shumë historianë pohojnë, duket se ka një konflikt mes asaj që quajmë Perëndim dhe helenizmit, dhe që qytetërimi perëndimor u krijua contra graecorum.
Kur në vitin 476 shkatërrohet shteti romak perëndimor, çfarë ndodh? Fillojnë gotët, visigotët, frëngët, saksonët, etj., dhe bëjnë mësymjet e tyre. Në një periudhë të caktuar, i vetmi pushtet unfikues në Perëndim është Papa, pra feja. Kjo fe është ajo që bën dhe luftrat ekspansive, me kryqëzatat dhe mbërrin deri në Egjipt e më poshtë. Priti dhe i gjori Aleksandros Komninos të vijnë kryqëzatorët, që të çlironin Nikean dhe një mori qytetesh, që kishin rënë në dorë të turqve. Fatmirësisht i çliruan dhe ia dhanë. E vetmja gjë e vërtetë është, që Perëndimi e ka shfrytëzuar gjithmonë Lindjen. Dhe sikurse them shpesh, Lindja e Perëndimit është Perëndimi i Lindjes.
Si na shfrytëzuan? Normandët kishin marrë Korfuzin, Zakinthon, Kefalonian, Fiskardhon dhe deri në vitin 1185 kishin marrë Selanikun, kishin shkatërruar Tebën. Dhe bizantinët bëjnë aleancë me venecianët, pasi normandët duke pasur Durrësin e Barin, kontrollonin daljen e venecianëve në Mesdhe. Venecianëve u interesonte të ndihmonin bizantinët, në mënyrë që të dëbonin normandët nga bregu lindor. Atëherë, fillon periudha e privilegjeve, që bizantinët i japin gjithë Italisë. Është periudha ku ka nënshtrim ekonomik e ushtarak. Skizmën e 1054-s, s’do ta merrte vesh frymë njeriu po të mos ekzistonte një tekst, një vetëm, Epitafi i Pselosë(Mihal Pselli) për Patriarkun Mihail Kirularion(Cerulari), s’do e dinim që kishte ndodhur skizma. Më vonë, fillojnë të theksohen ndryshimet, si me klerikët, p.sh., nëse do të kenë mjekër ose s’do të kenë, etj.
Pas Rënies së Konstandinopojës, çfarë ndodhi? Përse thoni që u zgjodh turku ?
Kur turqit fillojnë të pushtojnë Azinë e Vogël, jemi në shek. XIV. Më 1391, Filadelfia ishte ende e lirë. Filadelfia, e cila ndodhet mes Smirnës e Kutahias, është një shtet i vogël dhe i lirë, me mitropolit Theolipton dhe i paguante disa taksa turqve, që ndërkohë kishin pushtuar gati gjithë perandorinë. Otomanët janë më pak të fuqishëm nga të tjerët, por si fuqizohen? Sepse përballë ndodhej Konstandinopoja dhe ishte e lehtë të kalonin kundruall. Por, nuk janë ata, që kaluan të parët. Të parët, qenë yaksi.
Në vitin 1321, ekziston dëshmia e një bizantini, që shkon nga Konstandinopoja të shohë vjehrrin e vet në Janohoria dhe gjatë rrugës sheh kisha të shkatërruara nga turqit. Por, cilët janë këta turq, përderisa otomanët kaluan përballë në vitin 1355, kur ra tërmet në Kalipol. Janë yaksi, që kalojnë bashkë me katalanët, që kanë marrë Ephesus, ata që kanë sjellë bizantinët kundër turqve. Katalanët bëjnë marrëveshje me turqit dhe turqit ngjiten më lart, kurse katalanët arrijnë deri në Athinë dhe bëjnë shtet katalan. Shqetësimi i bizantinëve në atë periudhë ishte mbrojtja kundër turqve, por nuk ia dalin. Bëjnë aleanca të paimagjinueshme.
Kur gjatë sundimit të Manuel Paleologut, kryhet fushata e madhe kundër Konstandinopojës, Joani, i biri Manuelit, kërkon nga i ati, të bëjnë rezistencë kundër turqve. Përgjigjet Emanueli: “Na duhet ekonom dhe jo perandor” («ού χρείαν έχομεν αυτοκράτορος αλλά οικονόμου»). U ka mbetur vetëm Konstandinopoja…Vllehët dhe fiset shqiptare kanë zbritur në Thesali, Mistra është e izoluar, Trapezunda ka udhëheqjen e saj, Nikea është shkatërruar nga turkmenët. Nuk mund të bëhej asnjë rezistencë, përveç asaj imagjinare.
Konstandin Paleologu kupton se pa ndihmën e Perëndimit nuk mund të bëjë asgjë. Që të marrë ndihmë nga Perëndimi, bën Bashkimin, duke pasur si rezultat që Gennadios Scholarios dhe anti-unitarët ta shkishërojnë. Ngjisin nëpër mure letra anatemuese kundër Konstandinit, kur ai ndodhej në bedenat e Shën Romanos. Bashkë me të ndodhen Giustiniani, një katolik gjenovez me 800 burra dhe Mitropoliti Isidor i Kievit, grek që ishte bërë katolik dhe e pat dërguar Papa. Giustiniani vritet dhe Konstandini thërret: “Nuk do dalë ndonjë i krishterë të më marrë kokën?”
Notaras, prijësi i flotës thotë të famshmen “më mirë çallmë turku, sesa kurora e Papës”. Kur Mehmeti hyn në qytet dhe për tri ditë kërkon të gjejë se ku janë fshehur ushtarët, sepse s’e kishte kuptuar se e vetmja rezistencë, qe bërë nga të pestët që ishin vrarë te bedenat, ajo çka bën është të emërojë Skolarion si prijës të (Rum) Miletit. Pra të të gjithë ortodoksisë, bullgarëve, serbëve, etj. Dhe çfarë bën Kisha? Shpëton vakëfet, pra pasurinë e saj. Po pasuria perandorake ç’u bë?
Domethënë roli i Kishës ishte kaq negativ?
Me ç’të drejtë trashëgoi kisha shqiponjën dykrenare? Është shqiponja e shenjtë? Jo, është simbol i pushtetit bizantin dhe të gjitha këto u bënë me dakordësinë e turqve. Kisha arriti dy gjëra: të thotë, atë që përmenda më lart për Iluminizmin dhe së dyti, të flasë për shkollat e fshehta. Kur ekzistonin kaq biblioteka, kaq dijetarë, kaq shkresa të asaj kohe, ku flitet për shkollat ekzistuese…Nuk ishin vetëm shkollat e Konstandinopojës e Smirnës, por edhe shkollat rumeliote dhe shumë të tjera. Cilat shkolla të fshehta? Ndoshta në disa zona, agai kundërshtonte funksionimin e tyre dhe në këtë rast, fëmijët e tyre dhe bizantinët shkonin nëpër manastire, që të mësonin shkrim e këndim. Miti i shkollës së fshehtë dhe i manastirit që shpëtoi Greqinë janë hiperbolizma.
Ekziston teoria që Perëndimi nuk ndihmoi, kishte qëndrim anti-grek.
Ç’qëndrim antigrek ? Kur ra Konstandinopoja edhe Papa u përlot. Një polak shkruajti, që “Krishtërimi mbeti me një sy”. Për më tepër, bënë kaq kryqëzata kundër turqve (Contra Turkum) dhe nuk kishin gjithmonë mjetet e duhura për t’i mposhtur.
Vazhdoj të mendoj që ekziston ende një përplasje mes Lindjes e Perëndimit. Madje edhe para disa vitesh, kur nisi ideja e krijimit të Muzeut Europian, nuk u përfshi Bizanti në projektin fillestar dhe nëse nuk gaboj, ndryshuan qëndrim pas ndërhyrjes suaj.
Pas botimit të librit tim “The making of Europe”, i cili është i vetmi libër që kam shkruar në anglisht, u bë shumë zhurmë. Ua dërgova atëherë gjithë eurodeputetëve. Drejtues i Komisionit shkencor të Muzeut të Europës në Bruksel, ishte Eli Barnavi, një studiues shumë i mirë me origjinë hebreje, i cili la jashtë edhe arabët dhe donte të fillonte Europa nga Karli i Madh. Por pas librit tim dhe ndërhyrjes sime mbaroi kjo gjë.
Përse ekziston kjo frikë e ky rivalitet mes grekut e europianit, përse ky mobesim? Nga njëra anë duam të jemi në Bashkimin Europian e nga ana tjetër reagojmë.
Është urrejtja anti-latine. Nga viti 1204 e më pas Konstandinopoja quhet Roma e Re, jemi ortodoksë anti-unitarë, ortodoksia vazhdon të ruajë gjithë urrejtjen anti-latine, anti-perëndimore, anti-protestante. Vjen Papa në Greqi dhe nuk e lënë të shkojë në Athos, gjëra të egra. Divorci i madh ndodhi më 1204-n. Nëse s’do të ishte Europa nuk do të ekzistonin intelektualët grekë, që krijuan “Filiki Eteria” (Society of Friends) dhe të gjithë ata që në vazhdim ndihmuan në rimëkëmbjen e vendit. Jemi ajo çka na intereson. Jemi katandisur ta bëjmë historinë sipas fjalëve që na interesojnë. Nuk na ndihmojnë europianët, na shfrytëzojnë, troika, memorandumi, etj. Fajin e ka gjithmonë një fuqi më e madhe. Varemi gjithmonë nga një fuqi më e madhe dhe harruam, që nëse nuk do të ishin Fuqitë e Mëdha filohelene, në 1830-n, Athina ndoshta s’do të ekzistonte dhe Ibrahimi të ishte ende këtu.
Fakti që ishit greke ju ndihmoi në karrierën tuaj?
Që të bëhesha pedagoge në Sorbonë para 1967-s, duhet të kryeja 143 takime me gjithë pedagogët. Drejtuesi i atëhershëm i Sorbonës, më thotë: “Zonja Arveler thuajuni, që jeni greke”. E pyes, për çfarë arsye. M’u përgjigj : “Që mos të mendojnë që jeni rumune ose ndonjë kombësi tjetër”. Pra ishte avantazh. Pavarësisht se çfarë pasoi. Problemi më i madh me të cilin u përballa ishte se isha grua. Kaluan vitet dhe u bëra rektore dhe kancelare e Parisit, domethënë e të gjithë universiteteve. […]
Ka shpresë për këtë vend?
Të madhe. Do t’iu them përse (qesh)…Ky brez të rinjsh, as histori di dhe as do që të dijë, pra këta do t’ia nisin nga e para, sepse ky vend duhet t’ia nisë nga fillimi. Është një brez i tërë që për shumë arsye, nuk ka lidhje me brezat e mëparshëm, qoftë sepse janë kundër prindërve të tyre, qoftë sepse janë pro teknologjisë, qoftë sepse s’dinë asgjë dhe thonë, që i dinë të gjitha. Nuk besoj se do humbasin kot në epokën e re, diçka do të bëjnë. Gazetarja franceze Natasha Polony, flet për këta të rinj, që pavarësisht se kanë diploma, flasin gjuhë të huaja, nuk njohin historinë e gjëra bazike, i quan “barbarë të arsimuar”.
Do na shpien përpara këta të rinj?
Nuk është puna të na shpien para por të na shpien diku tjetër. Kuptimi i progresit, është antihistorik. Sikurse them ndonjëherë “Shihni të jeni me këmbë në tokë dhe sytë në qiell, sepse jemi rumë dhe e vetmja perandori që bëri helenzimi dhe e refuzoi për greqizmin e vogël”.
Burimi: Huffingtonpost.gr
Përktheu për ResPublica: E. Zhako
Comments
"... vllehet dhe fiset
"... vllehet dhe fiset shqiptare kane zbritur ne Thesali...". Tek togfjaleshi "fiset shqiptare" fshihet nje percmim ndaj shqiptareve. Ndaj vlleheve nuk ka ndonje qendrim; ndaj shqiptareve ky duket tek "fiset" qe ne origjinal duhet te jete "tribute", dmth dofare barbaresh! Eshte i njejti percmim qe e ve re edhe tek kronikanet bizantine kur flasin per arberit; eshte i njejti percmim qe te njejtet kishin ndaj Skenderbeut, te cilin, kur nuk e nxirrnin me origjine greke, e etiketonin me fjale percmuese. Zonja e nderuar ka trasheguar nga paraardhesit e saj te lavdishem dhe imagjinare kete ndjesi te mbrapshte.
Add new comment