Europa e të pastrehëve
Rreth një milion njerëz ishin të pastrehë në Europë vitin e kaluar. Sipas një raporti të Federatës Europiane të Organizatave Kombëtare dhe Fondacionit Abbé Pierre, në vitin 2022 ishin 895 000 të pastrehë në kontinentin e vjetër, një shifër që mendohet të jetë rritur për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në Gjermani janë regjistruar 84 500 të pastrehë, ndërsa në Spanjë më shumë se 28 500.
Studimi ngre alarmin sesi kushtet e papërshtatshme të strehimit, si mbipopullimi, myku, lagështia, ekspozimi ndaj ndotjes dhe ujërave të zeza, ndikojnë në segmentet më të varfra të popullsisë, duke përkeqësuar varfërinë dhe duke përjetësuar përjashtimin social.
“Çdo natë në Evropë, një popullsi e krahasueshme me atë të një qyteti si Marseja apo Torino është e pastrehë”, thanë organizatat në një editorial të përbashkët. "Ndryshimi i kësaj situate do të kërkojë përpjekje të pashembullta politike dhe masa të guximshme strukturore."
Shifrat tregojnë një rritje me 30% të numrit të të pastrehëve krahasuar me vitin 2018 dhe 70% në krahasim me një dekadë më parë.
Dy nga qytetet me numrin më të madh të të pastrehëve janë Barcelona dhe Parisi.
Autorët e raportit paralajmërojnë se mungesa e të dhënave gjithëpërfshirëse të mbledhura përmes një metodologjie të përbashkët e bën të vështirë pasqyrimin e saktë të gjendjes së të pastrehëve në Bashkimin Evropian. Raporti është bazuar mbi të dhënat e vëna në dispozicion nga autoritetet kombëtare dhe lokale.
Add new comment