Fëmijët në tablotë e piktorëve shqiptarë
Bota e fëmijëve në pikturat e artistëve shqiptarë të para ’90-s. 11 piktura që kanë në qendër fëmijët në aktivitete të ndryshme.
Djali me liber- Bajram Mata- Foto GA
Vajza me kordele- Abdurrahim Buza - foto GA
Abdurrahim Buza la shumë trashëgimi. Midis pikturave të tij ka shumë imazhe të fëmijëve.“Portreti i vajzës me fjongo” mbi flokë është ndër më interesantët e portreteve që kanë në qendër një fëmijë. Në vepër vihen re qartë ndikimet e impresionizmit dhe ekspresionizmit.
Fatosat ne muze- Liljana Çefa, 1974, vaj ne kanavace - foto GA
Piktorja shkodrane Liliana Çefa mund të konsiderohet pa hezitim si piktorja e fëmijëve. Çefa punoi rreth tre muaj për kompozimin (1974), duke u bazuar në karaktere të vërtet, ndër to edhe djali i saj dhe moshatarë të tij. Tabloja paraqet mësuesen me një grup fëmijësh të klasës së parë gjatë një vizite në pavionin e Luftës Nacional Çlirimtare në një Muze Historik. Hapësira e muzeut siç është paraqitur në pikturë është e imagjinuar por e rikrijuar duke ju referuar muzeve të epokes në Shkodër dhe Muzeut Historik në Tiranë. Tabloja paraqet një moment interesant në përballjen me historinë dhe mënyrën se si ajo përcillet dhe në të njëjtën kohë i shërben krijimit të kujtesës kolektive.
Fëmijët këndojnë - Muhamet Deliu, 1976 - foto GA
Ky kompozim fokuson një grup fëmijësh të veshur me veshje kombëtare të trevave të ndryshme, duke kënduar në një skenë festivali. Në këtë vepër kemi një kompozim që realizohet me shumë figura duke paraqitur botën festive të fëmijëve. Ndonëse lëvizjet e tyre janë të limituara, sepse ata janë pjesë e një kori polifonik që këndon, prap se prap piktori ka arritur që me gjuhën e ngjyrave si dhe duke u ndalur në tipare të karakterit, të tregojë një pjesë të aktivitetit argëtues të fëmijëve të atyre viteve.
Piktura është punuar në vaj dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Endërrime fëminore - Vilson Kilica, 1972, GA
Fakti që një vajzë e vogël brenda dhomës së shtëpisë, sheh me kërshëri përtej xhamit të dritares plot dritë të bardhë, flet shumë për gjuhën me të cilën vepra komunikon me publikun. Vilson Kilica, si në çdo vepër të tij, edhe në këtë tabllo kapërcen kufinjtë e realizmit, duke pikturuar me forma të mëdha dhe ngjyra dekorative. Bluja dhe jeshilja, raporti mes tyre dhe loja që ato krijojnë me të bardhën që vjen nga jashtë dritares, dëshmojnë për një atmosferë shprese që sjell e ardhmja për fëmijët, por edhe dyshimin e së papriturës dhe njëkohësisht besimin se e ardhmja e fëmijëve do të jetë e bukur dhe e mirë.
Fëmijët, Spiro Kristo, 1966, vaj në kanavacë - GA
Në pikturën e tij "Fëmijët" viti 1966, ofron një ilustrim të hollësishëm të marrëdhënies midis sistemit shoqëror dhe urban, të cilat rriten paralelisht me njëri-tjetrin. Artisti ilustron qytetin në ndërtim paralelisht me fëmijë të rritur të shëndetshëm dhe të rastit me një pemë të re të mbjellë. Ndërsa të rriturit në prapavijë vazhdojnë me punimet e ndërtimit, fëmijët luajnë me armë lodrash dhe kamionë lodrash, të gatshëm për të luftuar pa frikë dhe për të mbrojtur vendin e tyre, njësoj si partizanët dhe të gatshëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre me krenari, ashtu si bëjnë prindërit e tyre. Fëmijët përfaqësojnë pafajësinë, por edhe lirinë. Njëra prej vajzave, e veshur me fustanin rozë, tregon në gju një kopje të një reviste të ilustruar për fëmijë.
Zgjimi -Safo Marko, 1978, vaj ne kanavace - foto GA
Kompozimi i realizuar nga piktorja Safo Marko, i përket vitit 1978 dhe është realizuar me vaj në kanavacë. Në fokus janë një grup fëmijësh që ndodhen në një klasë të një shkolle fshati, gjë që kuptohet nga veshjet e tyre të fshatrave të jugut, me fustanellë e qeleshë të vogël mbi kokë, ndërsa vajzat me kokën e lidhur me shami. Në dërrasën e zezë shihen të shkruara dy vargje të Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep nder/më jep emrin shqipëtar”. Piktura dallohet për vizatimet e sakta dhe të detajuara si dhe koloritin e ngrohtë me ngjyra të qeta. Safo Marko ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të. Ajo ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”.
Mira - Myrteza Fushekati, 1983, vaj në kanavacë
Piktura është kompozim i vitit 1983 i realizuar me vaj në kanavacë. Në qendër është një vajzë e vogël e rrethuar nga të gjitha kukullat dhe personazhet për të cilët i kanë rrëfyer. Duket në fakt si botë paralele e mbushur me personazhe ku bëjnë pjesë edhe kafshët, një botë ku kufijtë e reales me irealen nuk dallohen, por që gjithese i mbetet e bukur dhe intriguese. Një tabllo ku subkoshienca e vajzës krijon një dinamikë prej së cilës është e vështirë të shkëputemi edhe ne si të rritur.
Lodrat e fëmijës - Guri Madhi, 1958- foto GA
Artisti provokohet nga lodrat e fëmijës të hedhura përdhe dhe mes rrëmujës së tyre, që transmetohet edhe si rrëmujë e ngjyrave, ai në fakt transmeton një energji të brendshme që vjen nga vetë fëmijët. Vepra është realizuar me vaj mbi kanavacë dhe ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Violinistja - Hasan Çapari, 1981 - foto GA
Lea vizaton - Myrteza Fushekati, 1983 - foto GA
Add new comment