Ish-kancelari austriak, nën akuzë për dëshmi të rreme

Postuar në 18 Gusht, 2023 14:36

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz, akuzohet për dëshmi të rreme. Fjala është për hetimin e nisur ndaj tij pak vite më parë, lidhur me të ashtuquajturin skandali i Ibizës.

Ngritjen e akuzës ndaj ish-kancekarit austriak e konfirmoi Zyra e Prokurorisë Ekonomike dhe Korrupsionit të Austrisë. Kallëzime penale janë bërë edhe ndaj ish-shefit të kabinetit të Kurz, Bernhard Bonelli, raportojnë mediat austriake.

Gjykimi ndaj Kurz nis më 8 tetor.

Vetë Kurz lëshoi një deklaratë për shtyp në lidhje me akuzën e re:

Akuzat janë të rreme dhe ne mezi presim që e vërteta më në fund të dalë në dritë dhe akuzat të rezultojnë të pabaza në gjykatë.

Videoja e Ibizës u publikua në media në maj 2019. Dy gazeta gjermane publikuan pamjet e ish-zëvendëskancelarit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache, në ishullin spanjoll të Ibizas, duke i ofruar kontrata qeveritare një gruaje që hiqej si investitore ruse. Në këmbim, Strache kërkonte që gruaja të blinte një gazetë austriake dhe ta përdorte atë për të ndihmuar partinë e tij në zgjedhjet e vitit 2017.

Strache ishte partneri në koalicion me partinë e Kurz në atë kohë. Strache dha dorëheqjen, por pavarësisht kësaj, me argumentin se imazhi i qeverisë ishte dëmtuar, Kurz u tërhoq nga koalicioni.

I konsideruar si një yll në ngjitje i politikës europiane, për shkak të karrierës së shpejtë dhe moshës së re, ish-kryeministri austriak dha dorëheqjen në shtator të vitit 2021. Ai e motivoi largimin me ngërçin politik të krijuar në vend dhe vështirësinë e madhe të bashkëpunimit me opozitën, por largimi i tij u komentua si pasoja e një hetimi për korrupsion që kishte nisur ndaj tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.