Greqia është një vend polietnik, por "nuk është gjaku që flet"*
Një bisedë me historianin e njohur, Thanos Veremis, se si nisi revolucioni grek e deri tek Andrea Papandreu. Botimi i librit kolektiv “1821. Kryengritja e grekëve”, u bë shkas që të takojmë historianin, pedagogun e Universitetit Kapodistrian të Athinës dhe nënkryetarin e ELIAMEP (The Hellenic Foundation for European and Foreign Policy) Thanos Veremis, i cili bashkë me Andonis Klapsis u përkujdes për hartimin e kësaj vepre.
Në librin tuaj flisni për dy Greqi, që u rebeluan. Cilat janë këto dhe ku u pikëtakuan që të realizojnë detyrën e tyre revolucionare?
E para është Greqia e diasporës, ajo që përshkoi rrugën e tregtisë, sikurse thotë dhe historiani i njohur serbo-amerikan Traian Stoianovich (Trajan Stojanoviç) në veprën e tij të rëndësishme “Conquering Balkan Orthodox Merchant” (1960). Janë njerëzit e kësaj klase, që mbartin produkte e ide nga Perëndimi në Lindje. Në këtë kategori bënte pjesë edhe “Filiki Eteria” (Secret Society), pjesëtarët e së cilës, nuk mund të themi, që ishin tregtarë të kategorisë së parë. Tregtarët “e përunjur” nga Odesa, njerëzit e “Filiki Eteria”, ishin ata që sollën në hapësirën greke idetë e Revolucionit Francez e të Iluminizmit. Por gjithmonë – dhe këtu duket zgjuarsia e tyre – me një kryq në mes të çdo flamuri, sepse e dinin që në hapësirën greke nuk kishin të bënin me borgjezët e Francës, por me një shoqëri bujqësore, që përbëhej nga njerëz besimtarë.
Dhe këtu çfarë ndeshin?
“Punonjësit” e Perandorisë Osmane, pra armatolët – “xhandarët” e Greqisë kontinentale, të cilët siguronin transportin e mallrave dhe të njerëzve në territorin e vështirë epirot – dhe parinë vendase, e cila ishte pjesë e zinxhirit tatimor të osmanëve.
Hallka e tretë ishte kisha – Patriarku ekumenik qe bariu i kombit, i cili përfaqësonte të krishterët në Portën e Lartë dhe ishte përgjegjës për çdo të keqe, që mund të ndodhte. Ndaj dhe Mahmuti i II ekzekutoi Patriarkun Grigori i V, pavarësisht se Grigori i V pat shkishëruar Aleksandër Ipsilantin. Ky ishte gabimi më i madh i Portës otomane, sepse i shtyu të mbijetuarit – teksa vrau edhe shumë mitropolitë, si Paleon Patron Germanos - të luftojnë në krah të kryengritësve, sepse u vetëdijësuan se përtej gjërave të tjera, ishte mbi të gjitha një luftë mes Islamit e Krishtërimit.
Pikëtakimi i para – modernizmit me modernizmin kishte karakter të përkohshëm apo vazhdoi në kohë?
Gjithmonë ekziston fërkimi mes modernizmit e para-modernizmit. Shoqëria para-moderne është ajo që sot i themi familje – familja mbi gjithçka. Familja, të afërmit, kumbarët, marrëdhëniet klienteliste: të gjitha këto përbëjnë një lloj para-modernizmi.
Modernizmi mbërrin kur të gjithë këta në Greqinë e Revolucionit filluan të udhëtonin. Shoqëria e vjetër statike nuk lejonte njohjen me hapësirën më të gjerë kombëtare. Një rumeliot nga Agrafa s’e kishte idenë për Manin, në cep të Peloponezit
Kur gjatë luftës civile rumeliotët zbritën në Mani që të plaçkisnin banorët, erdhën në kontakt edhe me grekë të tjerë dhe menduan “paska të tjerë si ne, flasin greqisht, janë ortodoksë, sillen në të njëjtën mënyrë. Pra, ekziston diçka më e madhe, nuk është vetëm fshati ynë”. Që prej kësaj pike, shkojmë drejt një puqjeje, me dëshirë apo pa dëshirë. Në vazhdim vjen Kapodistria, i cili ka një perceptim krejt të ndryshëm të shtetit-komb, që i njeh grekët si grekë dhe jo si rumeliotë, maniatë, anapliotë. Gjithë këto shpien drejt modernizmit: në shtetin e përbashkët dhe të centralizuar, si ai francez.
Njëmend që shpien drejt modernizmit, por që ende edhe sot nuk është përthithur në vendin tonë.
Nuk ka marrë fund kontrasti mes para-modernizmit dhe logjikës a mendësisë së modernizmit, edhe brenda partive. Nga njëra anë, ishte Andrea Papandreu, që për arsyet e tij lozte kartën e populizmit, sipas modelit të vjetër, dhe nga ana tjetër Kostas Simitis, që lozte kartën e modernizmit. Këta të dy ishin kundërshtarë.
Përkujtuat Paleon Patron Germanos. Do mund të thoshim që bëhet fjalë për një njeri tepër fanatik.
Përfaqëson pjesën më konservatore të atyre, që morën pjesë në Revolucionin grek. Paleon Patron Germanos ishte me parinë, kundër Kolokotronit e Papaflesës, që fanatikët e konsideronin oportunist, i cili gënjente dhe mirë bënte.
Fryma oportuniste e Papaflesës dhe e kapedanëve të tjerë, ishte element jetësor për Revolucionin.
Pa dyshim. Dhe vetë fakti që Papaflesa shkoi të vritet në Maniaki, është shumë i rëndësishëm. Ishte një veprim autokritik. Dhe Makrijani, që s’ia kishte haberin se ç’po ndodhte, shkruajti “Papaflesa shkoi në Maniaki dhe u vra. Ia fal”.
Në prologun tuaj, më çuditi mendimi juaj për Konstandinon Paparigopulon. Domosdoshmëri historiografia e shekullit të XIX, por a s’është sot i tejkaluar si historian?
E kundërta. Kam bërë shumë biseda me të paharruarin K. Th. Dhimara, i cili ishte pro Iluminizmit dhe dishepujve të tij, në një masë që s’përshkruhet. Mbaj mend që kishim një bisedë në shtëpinë e të birit të vet, Aleksit, rreth Paparigopulos, para se të botonte librin në lidhje me të. Dhe pikërisht këtë çështje i parashtrova. Përgjigjia e tij ishte e rrufeshme:
Gaboheni. Paparigopulos ishte elementi më modern i nacionalizmit grek, që mund të shpresojë dikush. Sepse mbështet tezën, që gjaku s’ka asnjë lidhje me vetëdijen greke. Gjaku nuk flet
thotë Paparigopulos.
Që t’i përgjigjej Fallmarayer-it.
Po. Paparigopulos mbështeti, se ajo që të bën atë çka je, është civilizimi. Nga se përbëhet? Nga gjuha greke, kisha, referimi ndaj një të shkuare të përbashkët, mënyra e njëjtë e jetesës. Gjithë këto, të bëjnë grek. Dhe e thotë ngaqë është mbështetës i Idesë së Madhe të Koletit.
Që të fusësh brenda, arvanitasit, vllehët, sllavët, duhet të nxjerrësh në pah elementin e kulturës. Nëse një arvanitas flet greqisht dhe është ortodoks, është grek, thotë Paparigopulos. Shumë e vlefshme. Është substanca ngjitëse. Trikupi bëri një punë të rëndësishme, por Paparigopulos na bëri komb. Cilët? Arvanitasit, vllehët, sllavët….Ai mendoi, që po nisemi “të pushtojmë” një vend, që përbëhet nga shumë etni. Greqia është kryesisht polietnike. Nuk guxojmë ta themi. Edhe kur e themi, na sulmojnë duke riprodhuar idiotizmat e Metaksasë. Shoqëria greke është absolutisht polietnike, por me nyje bashkuese gjuhën greke përmes religjionit
Vazhdojmë të flasim për gjëra që duhet të kishin përfunduar vite e vite më parë.
Na shpuri shumë mbrapa Andreas Papandreu, i cili ishte produkt i një familjeje të shpërbërë. E urrente dhe e adhuronte njëkohësisht babanë e vet dhe është biri i një nëne, të cilën nuk kishte empatinë ta adhuronte siç duhej; e kishte si shërbëtore. U ndesha dikur me Adhamandion Pepelasin, i cili ishte shok i ngushtë me Andrean para se të prishej marrëdhënia e tyre: “Besoj, që me nënën e vet Andrea ka pasur një lidhje të veçantë”, dhe ai m’u përgjigj: “Andrea kishte lidhje të veçantë vetëm me Andrean. Nënën e kishte vetëm për dado të fëmijëve. Nuk e përfillte, siç nuk përfillte askënd”.
Një njeri, që sillej si “autik” deri në ekstrem, solli në Greqi populizmin amerikan: "Jemi të gjithë njësoj, të arsimuarit janë ndyrësira, në Harvard të gjithë janë të ligj dhe të shitur"
Ky ishte Andrea. Solli nga Amerika këtë produkt dhe funksionoi në Greqi
Burimi: documentonews.gr
Përkthimi dhe titulli në shqip: ResPublica
Add new comment