Ndahet nga jeta këngëtarja irlandeze Sinéad O’Connor

Postuar në 27 Korrik, 2023 00:08

Këngëtarja irlandeze, Sinéad O’Connor, ka vdekur në moshën 56-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të pasur muzikore. Lajmin e bënë të ditur familjarët, pa specifikuar shkaqet e vdekjes.

O’Connor spikati në tregun botëror të muzikës sa për zërin e veçantë, edhe për jetën e saj të vështirë.

Me 10 albume dhe hite si “Nothing compares to you”, ajo kryesori listat e Billboard Music Awards në vitet ‘90. Balada e shkruar nga Prince, në klipin e të cilës ajo shfaqet me kokën të rruar, i dha famë botërore dhe tre nominime për Grammy dhe revista “Rolling Stone” e nominoi artisten e vitit në ’91.

O'Connor ishte një vokaliste e njohur për zërin e saj të pastër dhe të mprehtë, të shoqëruar me talentin e jashtëzakonshëm për shkrimin e këngëve që evokuan pikëpamjet e saj mbi politikën, spiritualitetin, historinë dhe filozofinë.

O'Connor ka lënë pas tre fëmijë. Karriera e saj është shoqëruar me polemika.

Në vitin 1992, O'Connor grisi një fotografi të Papa Gjon Palit II në programin televiziv amerikan Saturday Night Live në një akt proteste kundër abuzimit seksual të fëmijëve në Kishën Katolike.

Nuk më vjen keq që e bëra. Ishte e shkëlqyer,” tha ajo më vonë për protestën e saj. “Por ishte shumë traumatizuese,” shtoi ajo. “Ishte hapja e sezonit për t'u trajtuar si një kurvë e çmendur.”

Një vit para asaj proteste, ajo bojkotoi ndarjen e çmimeve Grammy, duke thënë se nuk donte “të ishte pjesë e një bote që mat aftësinë artistike me suksesin material”.

Ajo refuzoi të luante himnin kombëtar të SHBA-së para koncerteve të saj.

Në vitet e fundit të karrierës, O'Connor u bë më e njohur për spiritualizmin dhe aktivizmin e saj dhe foli publikisht për betejat e saj për shëndetin mendor.

Në vitin 2017, O'Connor deklaroi se ajo ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar.

Po atë vit, ajo ndryshoi emrin në Magda Davitt, një emër që sipas saj do ta çlironte nga "mallkimet prindërore". Ajo e ndryshoi sërish emrin në vitin 2018 në Shuhada' Davitt, pasi njoftoi se ishte konvertuar në myslimane.

Në vitin 2022, ajo humbi djalin e saj 17-vjeçar, Shane.

Ajo u shtrua në spital një javë pas vdekjes së Shane, pasi postoi një sërë deklaratash në rrjetet e saj sociale, ku përshkruante planet e saj për t'u vetëvrarë, pasi ndihej fajtore për vdekjen e djalit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.