Nuk ka më shëmtuar se kaq në 30 vjet
Nuk ka shembull të dytë në historinë e pluralizmit të paktën, që të krahasohet me shëmtinë e Parlamentit të tanishëm.
Niveli i atyre që flasin, shqipja që përdorin, kodet e ndërsjellëta të shantazhit: unë e di që ti e di, po lëre tani këtë muhabet, ajo çfarë përfaqësojnë, si e përfaqësojnë, roli që i kanë atribuuar vetes, asimetria e plotë funksionale; opozitë e shtirur dhe qeveri që nuk po qeveris dot, të gjitha bashkë në një harmoni origjinale që ka si lëndë të parë interesin ekonomik të përbashkët.
Ata që flasin sot aty janë aksionerë të një kauze që është asgjë më shumë sesa mbrojtja e sipërmarrjes që kanë për të kontrolluar pasurinë e këtij vendi.
Por përtej këtij aspekti që ka marrë tashmë formën e vet më lakuriqe, ku nuk ka retorikë dhe demagogji që të shërbejë si prezervativ, rasti i sotshëm kur kryeministri i një vendi, që është në të vërtetë edhe ligjvënësi i vetëm këtu, nuk paraqitet për një mocion me debat për inceneratorët, nuk jep përgjigje për ligjin skandaloz për studentët e universitetit publik të Mjekësisë, ilustron më së miri situatën kritike ku ndodhet mbarë Shqipëria. Shëmtia e këtij bojkoti që u bëhet shqiptarëve në këtë rast, nuk argumentohet dot me procedurën e Ermonela Felajt. Jo se ka dikush nevojë të dëgjojë monologjet e një njeriu, por sepse sistemi e ka të nevojshme të konfirmojmë se llogaridhënia publike, përmes instrumenteve të dakordësuara, funksionon.
Zoti Rama ka zgjedhur dhe mesa duket ka vendosur që të ndjekë një kurs personal politik dhe publik: ai do flasë dhe reagojë për ato që do dhe i leverdis. Të tjerat ia lë zonjës Spiropali. Ka shumë alibi te ky njeri pêr këto qëndrime, që nga vetëpërcaktimi se “nuk është politikan” e deri te devizat e improvizuara që i shtie në punë sa për të hedhur hi syve gjithë njerëzisë. E megjithatë këtu llogaridhënia në mos qoftë parametër i kuptimit të politikës, është detyrim madhor në kushtet kur skandali i inceneratorëve është i gjithëpranuar se ka përmaa të jashtëzakonshme.
Patjetër që edhe argumenti se interprelancat apo mocionet me debat shndërrohen në gjyqe popullore, qëndrojnë dhe kanë edhe ato logjikën e vet, por ja që jetojmë në një sistem që ka disa standarde që megjithëse mund të instrumentalizohen, nuk mund të shmangen. Me këtë sjellje z. Rama ka vendosur një standard antidemokratik jo për nga natyra represive apo imponuese, por për teknikën e shurdhimit të debatit tani që është në pushtet. Dhe kjo na jep të kuptojmë se i ashtuquajturi polemist i djeshëm, apo edhe publicist, është asgjë më shumë sesa një akrobat i rëndomtë ligjërimesh provokative, i cili beson vetëm te suksesi i vet dhe asgjë tjetër.
Ky është në fakt edhe dështimi më i madh i këtij individi që vetëpromovohet se ka sjellë ndryshimin: qeverisja e tij, shumica parlamentare të cilën ai e sundon, dallon për atrofizimin e debatit dhe diskutimit, duke pervertuar nocionin e lirisë së fjalës drejt lirisë për të mos (u) dëgjuar. Mos (u) përfillur. Është kjo shumicë parlamentare që ka shtënë në punë koncepte si pakicë e zhurmshme, shumicë e heshtur e kështu me radhë, vetëm e vetëm për të mos u ballafaquar. Dhe e ka shpërndarë këtë parim edhe në media, me debatin publik të kontrolluar me “100 e zeza” të veta, në mjedisin online, televiziv e kështu me radhë. Duke na provuar se pretendimi për disidencë dje dhe antikonformizëm, ka qenë asgjë më shumë sesa një refleks i huazuar dhe mbjellë nga E Jashtmja, që sot i ka lënë vend karakterit origjinal të sundimit, si atu e një klase që u mësua ta ushtrojë pushtetin me fushën bosh. Ose më saktë me palaçot përballë, që i ka të vetët.
s.zaimi
Comments
Jam dakord qe te dyja palet
Jam dakord qe te dyja palet jane njelloj, por ndahem ne konkluzion. Ne kete rast populli thote "qorr per qorr,e kam ne oborr", keshtu qe pse ta nderrojme qeverisjen? Prezenca e Rames nuk do te ndryshonte asgje pervec ca sharjeve me rob shpie nga opozita. Le te kenaqen duke share Spiropalin se nuk u bo qameti.
Add new comment