Guroret në Borizanë, banorët: Shpërthimet kryhen me nitrat

Postuar në 15 Korrik, 2023 15:29

Dhuna në Borizanë, disa ditë më parë, riktheu në vëmendje dëmin e madh që shkaktojnë guroret, të cilat janë hapur jo më larg se 50 m nga shtëpitë e banorëve. Fshati u kthye në “parajsën” e atyre që merren me këtë biznes pas një VKM të vitit 2018 për ta shpallur malin e Krujës Peizazh të Mbrojtur Natyror.

Një biznes fitimprurës, nga i cili nuk mund të heqësh dorë, guroret thjesht ndërruan vend. Pasojat i paguajnë banorët e Borizanës. Zhurma e vazhdueshme e kamionëve dhe pluhuri që ngrihet gjatë ditës, ua lënë vendin shpërthimeve të pakontrolluara. Për MCN TV, banorët e fshatit thonë se ato u ngjajnë lëkundjeve të një tërmeti, ndërsa gurët që dalin prej tyre u kanë dëmtuar shtëpitë dhe u rrezikojnë edhe jetën. Reshjet e shiut kthejnë në tokë pluhurin që lëshohet në ajër, duke e bërë edhe tokën të papërdorshme për të mbjellë.

Shpërthimi bëhet me nitrat, një lëndë që ka kosto të ulët dhe e thërrmon lehtësisht gurin. Por përdorim i saj është tërësisht në shkelje të protokollit. Banorët siguruan për MCN TV prova të përdorimit të nitratit.

Ankesat për jetesën e pamundur për shkak të guroreve te “të fortët” që i menaxhojnë pasohen me kërcënime.

Një prej të dhunuarve nga fisi Rraja, Jashar Maja, rrëfen rrethanat e ngjarjes së rëndë që më pas solli edhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shkrirjen e gjithë komisariatit të Fushë-Krujës. Ai thotë se kishin shkuar për të biseduar për dëmet që u shkaktohen nga shpërthimet në gurore, por u përballën me sharje, fyerje dhe dhunë. Ai thotë se policia është korruptuar nga administratorët e guroreve.

Nuk do shteti, me dashtë e kap lepurin me qerre”, thotë Maja.

Në Borizanë janë gjithsej 6 gurore. Banorët e fshatit kanë protestuar vazhdimisht kundër aktivitetit të tyre shkatërrues, por vetëm një prej tyre ka pezulluar aktivitetin. Ajo është gurorja e fisit Rraja. Pesë të tjerat vijojnë aktivitetin.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.