Oksidentalizma tashmë është vetëm një alibi në Ballkan
Çdo orë që kalon, çdo ditë duke ardhur vërdallë, duke i bërë leksione Evropës, duke treguar se si Kosova po mbron vlera që Evropa me demek i paska harruar kur sheh Kosovën, është kohë e humbur që mund të çojë në tretjen si kripa në det të gjithë vullnetit të bashkësisë euroatlantike. Nesër mund të ndodhë që Kosova do të detyrohet të gëlltisë diçka të rëndë, ndërkohë që sot nuk e detyruar të gëlltisë diçka, por është e detyruar të punojë që Serbia ta gëlltisë atë që është vënë aty në tryezë për Kosovën
Ky paragraf i atribuohet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe citohet nga gazeta “Koha Ditore”. Siç mund të lexohet z. Rama po sillet si një mason që di një të fshehtë të madhe dhe të palexueshme dhe që me kode e përultësi gati po bën herezi për të shpëtuar njerëzit e vet.
Cila mund të jetë kjo gjë e rëndë që do të detyrohet të gëlltisë Kosova nesër? Tërheqja e njohjeve nga vendet e Perëndimit? Me shumë gjasë, jo, pasi ky do të ishte një akt vetëvrasës.
Ndarja e Veriut dhe kalimi i tij me status të veçantë duke përgatitur kushtet e bashkimit me Serbinë, apo krijimi i një modeli të ngjashëm me Lartësitë Golan?
Në dy rastet e fundit, do të duhet të themi që nuk përjashtohen. Por nëse kjo është e vërtetë dhe shërbehet si opsion nga Perëndimi, atëherë është e qartë se çështja në fjalë nuk lidhet strikt me Kosovën dhe ca komuna të saj me shumicë serbe, por me alternativën e njohur prej kohësh të rishikimit të kufijve në Ballkan. Paralel me zhvillimet në Kosovë ne po shohim lëvizje nga presidenti i Republikës Srpska, Dodik, që po përgatit terrenin për ta minuar përfundimisht federatën boshnjake, ndërkohë që radha me siguri i vjen edhe Maqedonisë së Veriut. Në këto kushte të thuash se stabiliteti aktual i rajonit, ndërtuar mbi parimin e sigurive makismale përr pakicat në shtete multientike, po merr fund dhe se ai po zëvendësohet me shtete mbi baza etniko-fetare, do të thotë që të miratosh ndërhyjen ruse në Ukrainë, të pranosh aneksimin e Krimesë, të rrëzosh Dejtonin dhe Rezolutën 1244 dhe të deklarosh kotësinë e ndërhyrjes ushtarake të vitit 1999, bashkë me vendimin e Gjykatës së Hagës për legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës.
Çfarë lloj paralajmërimi mund të jetë një i tillë dhe çfarë politike do t’i mbetet Perëndimit në rajonin e Ballkanit në një eventualitet të tillë? Është e vështirë të mendohet se pse një ballkanas do të besojë diçka nga Europa nesër, nëse kjo e fundit vepron sërish me metrin e 1913-ës! Mënyra sesi po flitet për Kosovën këto kohë dëshmon pasiguri te zyrtarët që përfaqëojnë Perëndimin, pasi nëse nga njëra anë flitet e shkruhet për shkatërrim të Rusisë që qëndron teorikisht si burim i një krize të madhe ndërkombëtare, ajo vjen e amplifikohet si faktor kur analizohet potenciali destabilizues në Ballkan. Serbia vetë nuk ka atë forcë që i atribuohet dhe ajo është shumë e varur nga investimet perëndimore.
Nëse diplomacia perëndimore sot është në formën e një oferte për të dyja palët dhe fiton ajo që e pranon, atëherë nuk ka arsye të gjykojmë pse kemi këtë realitet, por do të duhet që fjalët Partner, Aleat, Aleancë etj., të fshihen menjëherë nga fjalori dhe komunikimi. Ata që duan të kuptojnë e dinë shumë mirë se me transferimin e vendimeve me rëndësi te burokratë sharlatanë në Bruksel dhe SHBA, Perëndimi po e shndërron veten nga një shpresë dhe destinacion që ka qenë dikur, në alibi për njerëz me halle si Edi Rama që kërcen oksidentalizmën nga belaja apo belatë e veta. Dhe pas kësaj është çështje kohe që narrativa e tanishme të shkërmoqet.
s.zaimi
Add new comment