Ua them Unë se çfarë do bëjë dhe nuk do bëjë Shqipëria me Kosovën

Postuar në 30 Qershor, 2023 18:04

Në gazetën “Tema” online shfaqet sot një intervistë e përmbledhur e botuesit të saj Mero Baze mbi zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet e qeverisë së kësaj të fundit në krizën e tanishme. Nëse lexon citimet përkatëse, të krijohet ideja se Baze po flet si Bashkë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe jo si një gazetar apo analist që merret edhe me çështje të rajonit. P.sh një paragraf

Natyrisht Shqipëria nuk ka ndërmend të hyjë në luftë me Bashkimin Evropian dhe SHBA për Albin Kurtin, por patjetër do bëjë betejë të shpëtojë Kosovën nga ndryshimi i kursit të saj kundër Perëndimit. Dhe këtë do ta bëjë duke ruajtur aleancën me Perëndimin. Shqipëria i bën dëm Kosovës duke mbështetur kursin antiperëndimor të Albin Kurtit, ashtu siç i bën dëm Kosovës dhe nëse shkëputet vet nga kursi properëndimor për shkak të Albinit. Interesi i Albin Kurtit duhet ndarë nga interesi i Kosovës nga çdo shqiptar që e do Kosovën

Për cilën Shqipëri e ka fjalën z. Baze këtu? Për Shqipërinë zyrtare, qeverinë e Edi Ramës apo Shqipërinë si popull? Ka një lloj arrogance dhe harbutërie në këtë të shprehur që është karakteristike për një takëm gazetarësh në këtë vend. Këtu nuk po përmendim faktin se qëndrimet që vijnë nga Tirana për thuajse çdo gjë janë mbi kriterin e sintonizimit me kryeministrin dhe shijet e tij personale. Por duke qenë se kjo është një zgjedhje personale ka pak vlerë reale. Më problematik është pohimi në formë betimi dhe kushtrimi që vjen më poshtë:

Duhet të jetë e qartë se Shqipëria nuk duhet trajtuar si babysiter i Albin Kurtit, sa herë që ai qan e grindet për hallet e veta. Shqipëria ka detyrim historik kushtetues dhe politik të mbajë Kosovën me kokën nga Perëndimi. Çdo gjë tjetër është antishqiptare

Kush po kërkon rol nga Shqipëria? Askush veç PDK-së në Kosovë që është parti me kryetar të arrestuar dhe e binjakëzuar në hiperkorrupsion me PS-në në Shqipëri dhe Edi Rama që në fakt kërkon një rol për vete. Qëndrimet dhe vendimet e qeverisë së Kosovës po thonë krejt të kundërtën madje: Shihni punën tuaj dhe mos u përzini! Pavarësisht sesa e drejtë apo e padrejtë është kjo gjë në një analizë të ftohtë.

Detyrimi historik kushtetues dhe politik i Shqipërisë që të mbajë Kosovën nga Perëndimi është asgjë më shumë sesa një frazë e improvizuar dhe transplantuar nga një dispozitë arkaike kushtetuese që thotë se Republika e Shqipërisë ka detyrim për të gjithë qytetarët me kombësi shqiptare. Kjo është shkruar kur të drejtat politike të shqiptarëve në rajon ishin të parregulluara: as në Mal të Zi, as në Kosovë dhe në as në Maqedoni, pasi Kushtetuta që ka ngecur atë nen është miratuar me referendum me pjesëmarrje 50.57% në vitin 1998. Pra përpara se të niste lufta e Kosovës. Dhe përpara ngjarjeve të vitit 2001 në Maqedoni.

Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie shtetërore me njëra-tjetrën. Nëse nuk normohet një gjë e tillë, do të vijojmë me përralla si këto që lexojmë më sipër. Padyshim që Shqipëria zyrtare nuk mund të hiqet sikur qytetarët e Kosovës janë njësoj me ata të Azerbajxhanit në sytë e saj, apo të Serbisë, por nuk ka asnjë shans dhe asnjë tagër një bythë vendi që është lecka e Europës të diktojë dhe kujdeset për orientimin e një shoqërie tjetër.

Këto janë jo vetëm iluzione që kanë mbetur në Tiranë dhe kanë humbur kuptimin e tyre efektiv, por ilustrojnë se disa klishe nuk duan të shkulen nga koka e njerëzisë edhe pse realiteti po i zhbën dita-ditës.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.