Amerika kishte dijeni për planet e Wagner kundër Moskës
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë pasur dyshime të forta se Evgeny Prigozhin po planifikonte një lëvizje të madhe kundër qeverisë ruse, disa ditë përpara se shefi i Wagner të urdhëronte trupat e tij të marshonin drejt Moskës. Lajmin e bën të ditur New York Times, duke cituar burime.
Sipas zyrtarëve të paidentifikuar të SHBA-së të intervistuar nga gazeta, administrata e presidentit të SHBA Joe Biden dhe komandantët ushtarakë u informuan mbi përgatitjet e Wagner që të mërkurën, dy ditë para se ajo që Putin e quajti “goditje nga brenda” të merrte formë.
Situata u përshkallëzua të premten mbrëma, kur Prigozhin akuzoi Ministrinë ruse të Mbrojtjes për nisjen e një sulmi vdekjeprurës me raketa në një kamp të Wagner dhe u zotua për hakmarrje. Ministria e mohoi akuzën, duke e akuzuar atë për një "provokim ".
Në orët në vijim, trupat e Wagner vunë nën kontroll objekte ushtarake në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, ndërsa Prigozhin njoftoi se forcat e tij po fillonin një "marshim për drejtësi" drejt Moskës.
Të shtunën, shefi i Wagner ra dakord të ndalonte përparimin e tij dhe të tërhiqte forcat e tij në këmbim të "garancive të sigurisë", si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Aleksandr Lukashenko.
Sipas burimeve të NYT, përpara se Wagner të dilte publikisht kundër Putin, zyrtarë në Uashington, të cilët kishin dijeni për atë që do të ndodhte nuk nxituar të paralajmëronin presidentin rus, me frikën se Moska mund t'i akuzonte ata për orkestrimin e një grushti shteti.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë ishin të alarmuar nga një konflikt i mundshëm midis Prigozhin dhe Moskës, pasi ata shqetësoheshin se rënia e Rusisë në kaos mund të krijonte rreziqe të konsiderueshme bërthamore.
Faktin se zyrtarë në Perëndim kanë pasur dijeni mbi kthesën e Wagner e pranon edhe CNN, por pavarësisht kësaj, një burim shton se "gjithçka ndodhi shumë shpejt" dhe ishte e vështirë të thuhej nëse shefi i Wagner ishte serioz në përmbushjen e kërcënimeve të tij ndaj ushtrisë ruse.
Të shtunën, kur kryengritja e Wagnerit ishte ende në lëvizje të plotë, Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi Perëndimin se çdo përpjekje e tij për të përdorur trazirat "për të arritur qëllimet e tyre rusofobe" do të ishte e kotë. Ndërkohë, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev vuri në dukje se një grusht shteti në një fuqi të madhe bërthamore mund të rezultojë në pasoja katastrofike dhe Moska nuk do ta lejonte kurrë këtë.
Add new comment