Shërbimet amerikane: Nord Stream u sabotua nga njësitë speciale të Ukrainës
Shtetet e Bashkuara kanë pasur informacion mbi një sulm të planifikuar ukrainas mbi tubacionet e gazit natyror Nord Stream tre muaj përpara se ato të dëmtoheshin shtatorin e kaluar. Lajmin e bën të ditur The Washington Post.
Ky informacion i është dhënë CIA-s në qershor të vitit 2022 nga një agjenci evropiane e spiunazhit. Kjo e fundit i ka raportuar homologes amerikane se një ekip prej gjashtë personash i forcave të operacioneve speciale ukrainase, kishte në plan të hidhte në erë projektin Rusi-Gjermani.
"Washington Post" citon si burim një raport të dhënë nga miqtë e Jack Teixeira, anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore, i cili u arrestua në prill me akuzën se kishte nxjerrë dokumente të ndjeshme të SHBA-ve.
Ky raport bazohej në informacionin e dhënë nga një person në Ukrainë. Informacionin e dhënë prej tij, CIA e ka ndarë me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane në qershor 2022.
Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 e vuri në qendër të vëmendjes politike varësinë e Evropës nga gazi natyror rus. Shkatërrimi i tubacioneve Nord Stream përshpejtoi kalimin e rajonit tek furnizuesit e tjerë.
Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, secili i përbërë nga dy tuba, u ndërtuan nga Gazprom, i cili kontrollohet nga shteti dhe pompon 110 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror në vit në Gjermani.
Disa shpërthime nënujore dëmtuan Nord Stream 1 dhe tubacionet e sapondërtuara Nord Stream 2 që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit Baltik në shtator 2022.
Shpërthimet ndodhën në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës. Të dy vendet thanë se shpërthimet ishin të qëllimshme, por ende nuk është përcaktuar se kush ishte përgjegjës për kryerjen e tyre.
Uashingtoni dhe NATO-ja e quajtën incidentin "një akt sabotimi". Moska fajësoi Perëndimin, duke akuzuar hetuesit për zvarritjen dhe përpjekjen për të fshehur se kush qëndron pas sulmit.
Add new comment