Një paralajmërim për dëmin e mediave sociale te shëndeti mendor
A është varësia e shkaktuar dhe ushqyer nga rrjetet sociale një “drogë” e re? Si e ka ndryshuar bota digjiitale jetën tonë sociale dhe shëndetin mendor? Dr. James Davies, profesor i asociuar i antropologjisë dhe psikologjisë mjekësore në Universitetin e Roehampton në Londër, në një intervistë për Kathimerinin, paralajmëron për dëmin që mund të shkaktojnë rrjetet sociale në shëndetin mendor.
Në veprën e tij të fundit "Si e krijoi kapitalizmi modern krizën tonë të shëndetit mendor", Davies përpiqet të shpjegojë pse, ndërkohë që përparimi në të gjitha fushat e shëndetit ka qenë spektakolar, në fushën e shëndetit mendor ka pasur stanjacion, për të mos thënë se jemi më keq se 40 vjet më parë.
Në librin tuaj, ju përshkruani se si shoqëritë perëndimore i keqkuptojnë shkaqet e vërteta të sëmundjeve mendore. Si arritët në këtë përfundim?
Në të vërtetë, unë arrita në këtë konkluzion ndërsa përpiqesha t’i jepja zgjidhje një dileme. Dhe dilema ishte: kur shikojmë mjekësinë, shohim se rezultatet janë përmirësuar ndjeshëm gjatë katër dekadave të fundit në të gjitha fushat, me përjashtim të njërës: shëndetit mendor. Në këtë fushë, jo vetëm që nuk ka pasur progres, por sipas disa matjeve të tjera, mund të ketë përkeqësim. Që nga vitet 1980, për shembull, efikasiteti i barnave psikiatrike nuk është përmirësuar pavarësisht nga miliarda të shpenzuara për kërkime, marketing dhe promovim. Në të njëjtën kohë, normat e paaftësisë së shëndetit mendor pothuajse janë trefishuar në dekadat e fundit, ndërkohë që prevalenca e problemeve të shëndetit mendor është rritur ndjeshëm, pavarësisht se nivelet e mirëqenies së përgjithshme në komunitet jo domosdoshmërisht janë përkeqësuar.
Një nga mekanizmat që ka mundësuar që ky sistem i dështuar të vazhdojë të mbetet në këmbë është diçka që unë e quaj vuajtje "depolitizuese". Me fjalë të tjera, ai e koncepton vuajtjen në mënyra që e mbrojnë ekonominë aktuale nga kritika, duke e parë vuajtjen si të rrënjosur në shkaqe individuale dhe jo sociale. Dhe kjo favorizon reformën individuale dhe jo sociale dhe ekonomike. Sistemi ynë është shumë i mirë në privatizimin e vuajtjeve. Me fjalë të tjera, ai e definoi për së dyti shëndetin mendor individual në terma që janë në përputhje me qëllimet e ekonomisë. Pra, shëndeti përkufizohet si diçka që përfshin ato ndjenja, vlera dhe sjellje që i shërbejnë rritjes ekonomike, rritjes së produktivitetit dhe konformitetit kulturor, pavarësisht nëse këto janë në të vërtetë të mira për individin dhe komunitetin.
Si ndikon përdorimi i mediave sociale dhe ndërveprimi digjital me persona të tretë në shëndetin tonë mendor?
Të gjithë kemi dëgjuar për dëmet emocionale të ngacmimit dhe talljes në internet. Ne gjithashtu e dimë se gati 60% e adoleshentëve amerikanë tani raportojnë se kanë përjetuar të paktën njërin prej tyre. Kemi dëgjuar edhe për përdorimin e tepërt të ekranit. Gjysma e adoleshentëve amerikanë raportojnë përdorimin pothuajse të vazhdueshëm të internetit që lidhet me një shëndet më të dobët mendor. Për më tepër, shtyrja e kohës, që e karakterizon një pjesë të madhe të përdorimit, po e zvogëlon ndjeshëm aftësinë tonë për t'u përfshirë në çdo lloj aktiviteti tjetër që kërkon përqendrim, çka është absolutisht thelbësore, për shembull, për arritjet akademike. Po bëhet aq e përhapur sa që tani mund ta konsiderojmë një problem social.
Ne kemi dëgjuar gjithashtu për efektet e dëmshme emocionale të kulturës së krahasimit në mediat sociale, ku jemi pothuajse të dënuar të krahasojmë vazhdimisht veten në mënyrë të pafavorshme me të ashtuquajturat jetë të mrekullueshme që postojnë të tjerët. Mediat sociale po i mësojnë një brezi të tërë, dhe unë do ta quaja atë brezi “Insta”, se një nga profesionet më të rëndësishme në jetë është të prodhosh një imazh tërheqës dhe plot shkëlqim për veten. Megjithatë, rreziku akut për gjeneratën e “Insta”-s është se kultivimi i imazhit tani po ngatërrohet me kultivimin e karakterit. Në vend që të punojmë për të zhvilluar cilësi personale të dobishme dhe të lavdërueshme, ne po shpenzojmë energji të madhe për të përmirësuar autoportretin tonë online.
Duke u nisur nga këto pretendime, a mendoni se po kthehemi në skllevër të “pëlqimeve”?
Le të themi se unë zgjohem dhe zbuloj se postimi im në Tuitter është bërë viral, kam marrë mijëra pëlqime. Unë kam mijëra ripostime. Dopamina rritet menjëherë. Ndihem i vërtetuar. Ndihem i famshëm. Ndihem njeri me rëndësi. Pra, po “fluturoj” lart. Kështu që, kthehem dhe shkruaj sërish në Tuitter të nesërmen. Por tani nuk marr feedback. Nuk ka pëlqime. Zhgënjehem. Cila është zgjidhja? Epo, të kap hitin tim të radhës duke u bërë sërish “qendra e botës” me postimin tim. Prandaj, "pëlqimet" në këtë kuptim janë një lloj i ri narkotiku virtual, një "drogë" e lirë dhe e ligjshme që ne e ndjekim gjithnjë e më shumë për të forcuar vetëvlerësimin. "Pëlqimet" prekin nevojën tonë të lindur për pranim dhe miratim shoqëror në sistemin tonë të shpërblimit të statusit social. Por problemi është natyra e varësisë e kulturës së like-ve, e cila i bën kënaqësitë e vogla dhe përmbushjet nga ndërveprimet tona në botën reale-sociale, të na ndihen më pak. Prandaj, ne e zëvendësojmë punën e mundimshme që duhet për të ndërtuar intimitet në botën reale, me joshjen e kënaqësisë së menjëhershme të kësaj “lartësie” virtuale. Dhe unë mendoj se ky është problemi, kur flasim për statusin në internet. Kjo po ndikon në aftësinë tonë për të ndërtuar marrëdhënie në botën reale.
Add new comment