Macron hedh grepat në mundësinë ekonomike kineze për Europën

Postuar në 09 Prill, 2023 16:48

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar për rrezikun strategjik që i vjen Europës nga shndërrimi eventual i saj i një “dishepulli” të Amerikës në konfrontimet e kësaj të fundit me Kinën. Gjatë një interviste të dhënë në avionin presidencial francez – stil alla amerikana ky - në rrugën e kthimit nga Kina, Macron ka ritheksuar konceptin e “autonomisë strategjike” për Europën nën drejtimin e Francës, me ambicien e shndërrimit në një superfuqi e tretë.

Europa përballet me rrezikun e madh të mbetjes në kurthin e krizave që nuk janë tonat, të cilat e frenojnë atë në krijimin e autonomisë strategjike…Pyetja së cilës europianët duhet t’i përgjigjen është: a është interesi ynë të përshpejtojmë një krizë në Tajvan? Jo. Më e keqja do të ishte që ne europianët të bëhemi pasues të SHBA

citohet ai.

Mesazhi përfaqëson një tezë të përsëritur të Macron, paradoksale në vetvete sa kohë që një superfuqi nuk mund të negociojë pavarësinë e vet strategjike dhe zhgradimin e saj në autonomi. Është pak e vështirë të kuptohet jashtë kontradiktës logjike ky togfjalësh për shkak se interesi strategjik i një Superfuqie është i vetëshpalosur: Dominimi! Aktualisht Europa kaloi sfidën e shkëputjes nga varësia e gazit rus, me një goditje të përqendruar në ekonominë gjermane, ndërkohë që pajtimi me Kinën që lexohet në këto mesazhe janë disi kundërthënëse me propagandën e madhe që bëhet në Gjermani kundër varësisë së saj nga Kina.

Në këtë kuptim është e paqartë nëse presidenti francez ka një projekt për Francën në krye të BE-së, siç edhe ndodhi me manovrat e tij me Spanjën për gazsjellësin nga Afrika, që e la Gjermaninë me gisht në gojë, apo një vizion për Europën? Merr më shumë kuptim kjo pyetje kur she bilancin e presidencës së tij: dështim në Afrikën Veriore, Algjeri, Libi e mandej në Liban dhe Siri. Përkeqësim me Turqinë në nivele të paprecedenta, dështim strategjik dhe historik në Afrikën subsahariane ku Franca po zëvendësohet me Rusinë, dështim I turpshëm dhe poshtërues me Australinë për blerjen e nëndetësve franceze dhe në fund një mungesë përgjigjeje adekuate ndaj krizës ukrainase ku dominon SHBA dhe Britania e Madhe.

Macron është aktori kryesor edhe për vonesën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, që në shikimin e një vizioni Superfuqie do të ishte patjetër një ofertë që do të merrej menjëherë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.