“Bota ka ndryshuar shumë”, ligj i ri në Japoni për mbrojtjen nga bombat
Japonia po përgatit një projekt-ligj që lehtëson hapjen e vendstrehimeve nga bombat. Keiji Furuya, anëtar i Partisë Liberal Demokratike në pushtet, në një intervistë për Bloomberg News, thotë se kjo masë vjen në një kohë kur bota ka ndryshuar shumë.
"Japonia nuk ka qenë e përfshirë në një luftë për 77 vjet, por ajo që ne kemi marrë si të mirëqenë që atëherë, nuk është më e vërtetë", thotë Furuya, i cili më parë ka drejtuar Komisionin Kombëtar të Sigurisë Publike.
Nisma për ligjin e ri vjen në një moment kur tensionet mes Tokios dhe Pekinit janë rritur.
Vitin e kaluar, Japonia dërgoi një protestë diplomatike në Kinë pasi pretendoi se disa raketa balistike të lëshuara nga ushtria kineze gjatë një stërvitjeje rreth Tajvanit ranë në ujërat brenda zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë. Ministria e Jashtme kineze u përgjigj se stërvitja u krye në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Koreja e Veriut rriti në mënyrë drastike testet e raketave në vitin 2022 dhe disa prej predhave ranë në afërsi të territorit japonez. Pheniani ka pohuar se testet ishin një përgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta SHBA-Korea e Jugut.
Në shkurt të këtij viti, parlamenti japonez miratoi një buxhet rekord prej 50 miliardë dollarësh për mbrojtjen, duke e motivuar me sfidat e reja të sigurisë.
Add new comment