Serbia humbet seriozitetin pas Marrëveshjes së Ohrit

Postuar në 23 Mars, 2023 14:37

Aktualisht BE-ja dhe SHBA kanë një problem me Serbinë për sa i përket Kosovës. Nuk kanë më një problem me Prishtinën. Pak orë pas takimit të Ohrit, pala serbe nxitoi të thoshte se nuk ka firmosur asgjë, se nuk lëshon nga sovraniteti, e kështu me radhë, duke u rifortifikuar në një narrativë që nuk jep më asgjë. Mirëpo ndërkohë që mohon çdo gjë publikisht, përfaqësues të Beogradit ndryshojnë kanalin kur vjen puna në takime me zyrtarë të vendeve europiane.

E urova presidentin Vuçiç për marrëveshjen e fundit në Ohër mes Beogradit dhe Prishtinës

citohet ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Mirëpo cilën marrëveshje? Sepse Vuçiç deklaroi për serbët se nuk ka asnjë marrëveshje, por dakordësi për të zbatuar një marrëveshje që do të nënshkruhet kur të merret në konsideratë dinjiteti i imagjinuar serb.

Integrimi europian është angazhim strategjik i Serbisë

u shpreh në Vjenë  ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai ka shtuar se krijimi i Asocacionit të Komunave Serbe është parakusht për zbatimin e propozimit europian.

Si t’i pajtosh këto lloj qëndrimesh? Këtë e di vetëm Serbia që duke u përpjekur të krijojë kurthe, po dëshmohet inkoherente edhe në suazën e lojtarit me shumë porta.

Ta zëmë në konferencën për shtyp me homologun austriak Alexander Schallenberg, ky i fundit foli për genocid ndaj shqiptarëve në Kosovë më 1999. Për replikë, Daçiç tha se nga 40 000 serbë që jetonin në Prishtinë në vitin 1990, tani ka vetëm disa qindra. Mirëpo siç e pranon vetë Serbia, këta kanë ikur pas luftës dhe jetojnë në qytete të Serbisë dhe është e vështirë të pajtosh dëbimin në rastin më të keq, me genocidin.

Nga ana tjetër nga Kosova ikën qindra mijëra me fillimin e luftës dhe u rikthyen. Serbët jo. Pyetja këtu është se nëse janë disa qindra për cilët po e kërkon Asocacionin Serbia, kur nuk ka më bazë demografike? Do organizojë rikthimin e serbëve në Kosovë? Padyshim që do të ishte e mirëpritur sepse kështu do të detyroheshin të dyja vendet që të bashkëpunonin realisht në të ardhmen, ndërkohë që Serbia po e fut veten në rrugë qorre pasi nuk ka asnjë mundësi të menaxhojë një konflikt të ngrirë në vijimësi në emër të një minoriteti, shkeljet e të cilit shpesh amplifikohen.

Në këto kushte, Serbia po humbet seriozitetin në tryezën e dialogut, sepse zotimet që merren duhen mbajtur pavarësisht sa të hidhura mund të jenë. Në fund të fundit një gjë e dimë mirë: nuk është privilegj të jesh komshi me dikë në Ballkan, kështu që edhe përkëdhelja e vetes ka një kufi.

s.zaimi

Comments

Submitted by Avni (not verified) on

Vetem nje korigjim te vogel do te deshiroja te beja. Perndryshe krejt shkrimi eshte me baza reale, i thuhet te bardhes e bardhe e te zezes e zeze. Por nje dicka krejt te vogel per rikthimin e serbeve te larguar ne Kosove. Autori thote "Padyshim që do të ishte e mirëpritur sepse kështu do të detyroheshin të dyja vendet që të bashkëpunonin realisht në të ardhmen". Per mendimin tim dhe te 99% te shqiptareve, kjo eshte e gabuar. Nuk i duam more zoteri, as te kaloj e nga rruga. Na ka e vra, pre e djeg, e jane gati me e perserit. Kurr mos ardgsgin ishalla. Askush nuk ka degjuar te flase per banda shqiptaresh qe vrasin perdhunojne djegin serbet ne Beograd. E pra ne prishtine ata ket pune ka. ba. Mir do te ishte qe mos ta marrin hic rrugen e kthimit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.