Letra shpallet zakon prapanik. Drejt Kadastrës me regjistra online

Postuar në 11 Mars, 2023 17:56

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot drejtoreshën e re të Agjencisë së Kadastrës, duke i dhënë uratën të vjetrit, Aratn Lames. Në fjalën e vet, mbajtur nën praninë domethënëse të drejtoreshës së Agjecisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karcanaj, ndër të tjera z. Rama tha:

Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje, që është teknologjia dhe proceset teknologjike të nisura edhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës na kanë dhënë mundësinë që të shërbejmë për qytetarët pa radha dhe që qytetarët ta kërkojnë shërbimin nga Kadastra online, por jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur sepse në ndërkohë pjesa e përgjigjeve jepet ende me letër dhe kërkon ende postën, kërkon ende të tjera komponentë në mes, që praktikisht janë dhe pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes përfundimtare.

Në këtë fazë na duhen hapa të shpejtë dhe na duhen zgjidhje radikale për të mbyllur procesin…Jo vetëm duhen mbyllur të gjitha sportelet, por duhet ndryshuar komplet skema e organizimit dhe duhen eliminuar menjëherë të gjitha zonat ndarëse.

Kadastra dhe gjithë personeli Kadastrës duhet të hyjë tërësisht mbrapa ekranit dhe mbrapa ekranit duhet të zhvillojë gjithë veprimtarinë e vet. Për këtë sigurisht që do të duhet një bashkëpunim shumë i ngushtë në vijim mes ASHK dhe AKSHI-t, kjo është dhe arsyeja dhe pse drejtorja e përgjithshme e AKSI-t është këtu, në mënyrë që procesi te marrë një tjetër vrull dhe të hyjë në një tjetër fazë…Duhet, në fund të ditës, futur menjëherë në punë shërbimi satelitor që ka filluar tani të japë prodhimet e para në mënyrë që puna e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të marrë përfundimisht dhe plotësisht dimensionin teknologjik

Kjo që po shohim është diçka me shumë zarar dhe duhet dyshuar nëse kryeministri ia ka haberin kësaj që po flet. Bashkë me ata që ka në krah. Ne po shohim një njeri që administron një vend që e ka shpallur letrën në këtë rast zakon prapanik që duhet trajtuar me zgjidhje radikale, duke e asgjësuar atë. Praktika mëson se në të vërtetë disa agjenci të një shteti e kanë të paimagjinueshme funksionimin pa gjurmën fizike të letrës. Kadastra vetë ka qenë objekt ndërhyrjeje nga brenda, në sistemin digjital ku janë bërë tjetërsime kartele për t’u verifikuar mandej në ballafaqim me kartelën fizike. Pra atë Letër. Tani, ne nuk e dimë nëse brenda Kadastrës, aktiviteti administrativ do të vazhdojë të kryhet me letër përveçse në digjitalizim, por z. Rama do t’i mjaftonte edhe rasti i publikimit të pagave që rezultoi se u bë me veprimet e disa IT-ve brenda sistemit të Tatimeve, për të kuptuar se ky dimensioni teknologjik bart me vete rrezikun e kaosit dhe abuzimit që në një sistem të dhënash vepron me sizmikën e një kolapsi dhe erodimi të besueshmërisë.

Është e vërtetë që hartat e pronava kanë probleme, tjetërsime dhe falsifikime, por korrespondenca e tyre në sistem digjital nuk sjell asnjë përmirësim për atë që është gangrena e pronave : tjetërsimi. Zoti Rama kalon këtu nën rrogoz shërbimin në sportel si alibi për të ndërhyrë me financim të shpejtë dhe tërësor të digjitaizimit të Kadastrës, që në të vërtetë do të duhet të merrej në konsideratë pasi të shoshitej mirë raporti pronësor dhe i titujve duke shmangur mbivendosjet.

Është e udhës të kujtohet se historia jonë, kjo paçavure që është, mbahet në këmbë nga regjistra famullish, letra të zografisura nga anonimë dhe kronikanë të huaj, priftërinj e ushtarakë, të cilat janë ruajtur jo vetëm që ne të lëçisim sot e gjithë ditën se gjenitë si Edi e kanë përmbytur këtë vend përherë, por edhe pse paraqesin në konfigurim dhe teksturë dëshmi që ushqen edhe një narrativë. Z. Rama njësoj si z. Lame, është shkronjëtor dhe ia dedikon karrigen ku ka ulur bythën prej vitesh, jo sms-ve dhe like-ve, por hartimeve të pafundme që shkroi e shkroi si një predikues i zjarrtë i përparimit. Dhe një njeri i tillë do të duhet që ta shihte letrën me një farë admirimi konservator që bën pjesë si lëndë e parë e një shteti, që nuk ka sesi të jetë këngë rapsodësh, përcjellë brez pas brezi sipas midesë dhe kujtesës personale. Por urojmë ta kemi gabim! 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.