I Gjati dhe Doktori - një dyshe nga Mança

Postuar në 27 Shkurt, 2023 17:40

Në një intervistë për gazetën “Dita” intelektuali Pëllumb Xhufi, bën ndër të tjera edhe këtë lloj vëzhgimi:

Skulptori i Popullit Kristaq Rama ishte antipodi i pjellës së djallit, Sali Berishës. I pari ishte një qytetar i edukuar, i heshtur, human. Ishte aq modest, saqë ndryshe edhe nga i biri, gjatësinë trupore e përjetonte si barrë e tepri.

Në krahasim me të ndjerin Kristaq Rama, Doktori mbetet një katundar dinak, shtirak, i babëzitur, mizor, me mendje të trazuar e me gjuhë të përgjakur. Kristaqi, e fisnikëroi vendin, nga Tropoja në Sarandë, me kryevepra që përjetësojnë në bronx, mermer e gur ngjarje e figura udhërrëfyese të historisë sonë kombëtare. Saliu e mbushi vendin me kufoma, mbolli urrejtjen e shqiptarit kundër shqiptarit dhe në marrëzinë e tij ndezi dhe vazhdon të ndezë flakët e luftës civile. Regjimi komunist e futi Kristaq Ramën në parti e në kuvend për shkak të talentit e veprës së tij, jo për partishmëri apo fanatizëm partiak.

Këto i kishte me bollëk Doktor-Agjitatori. Ky, nuk ka lënë rast pa shpërndarë helmin dhe vrerin e tij  mbi emrin e nderuar të Kristaq Ramës. Figura e Skulptorit të Popullit edhe sot, nga bota e përtejme, e torturon  urlatorin e fushë-Tropojës me  mirësinë, epërsinë morale dhe heshtjen gjëmuese të monumenteve të tij. Megjithatë, sulmet e Doktorit kundër figurës së Kristaq Ramës “komunist”, kanë arritur një farë rezultati tek i biri i tij, Edi, i cili duket aq i kompleksuar nga yxhymet e Doktorit, saqë një pjesë të mirë të mandateve qeverisëse e ka shpenzuar duke u përgjëruar dhe duke dhënë prova për “antikomunizmin” e tij

Të vihet re se antikomunizmi qëndron në thonjëza si vetë jeta politike e z. Rama: një thonjëz e hapur për çdo rast. 

Kemi pra një përshkrim të qashtër të dy të kompleksuarve të mëdhenj të kohës sonë saqë japin e marrin si dy antiteza qytetarie dhe intelektualizmi, e kalojnë njëri-tjetrin sa për piktor të dështuar, aq edhe për doktor të mallkuar, saqë koha ikën e këta ngjajnë se janë përbërës të domosdoshëm të recetës së tranzicionit pa formë.

Ta vëmë në dukje megjithatë edhe një aspekt komik dhe kompleksiv të kryeministrit që në dallim nga i ati, që gjatësinë e paska patur perceptim për një tepri të fatit, ky, I Gjati, e ka alibi për (mos)hajdutërinë e tij. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.