Arrestohet Di Denaro, "bosi i fundit i madh" i Cosa Nostras siçiliane

Postuar në 16 Janar, 2023 15:33

Është arrestuar sot në Palermo Matteo Messina di Denaro, kapomafia i Castelvetranos në Trapani të Siçilisë. Ndalimi i tij është një epilog i sagës së korleonezëve, apo mafies së vjetër siçiliane në periudhën e gangsterizimit të saj dhe përmbysjes së dominimit të Cosa Nostras nga palermitanët. Di Denaro ishte në kërkim prej 30 vjetësh një rekord më vete ky që nuk kalon megjithatë atë të Bernardo Provenzanos, njeriut të dytë më të rëndësishëm të klanit të korleonezëve të drejtuar nga Salvatore Riina.

Arrestimi ka ndodhur në një klinikë private në Palermo të Siçilisë, La Maddalena di Palermo, ku personi kishte bërë një ndërhyrje një vit më parë dhe merrte aktualisht kimioterapinë nën emrin e regjistruar Andrea Bonafede. Në fund ai nuk është fshehur:

Një karabinier i është afruar padrinos dhe e ka pyetur si quhet. “Më quajnë Matteo Messina Denaro”, është përgjigjur

raporton ANSA.

Bashkë me të është ndaluar edhe Giovanni Luppino, nën akuzën e favorizimit. Kapja duket se ka qenë çështje kohe për shkak edhe të shëndetit të rënduar. Në 1994 u morën të dhëna për një ndërhyrje në retinë në Barcelonë, më pas janë mbledhur të dhëna se vuante nga insufiçenca renale për shkak të së cilës i është nënshtruar dializës.

Emri i tij është legjenduar shumë nga media italiane si njeriu që vazhdonte në terren linjën e korleonezëve, megjithëse në të vërtetë pak duket se Cosa Nostra e sotme të ketë më ndikimin e tyre. Di Denaro vjen nga një familje me lidhje të vjetra me mafien siçiliane. Djali i bosit të vjetër të Castelvetranos dhe ka dënim me burgim të përjetshëm në mungesë, për vrasjen e një ish-të penduari, për masakrat e vitit 1992 ku mbetën të vrarë Falcone dhe Borsellino dhe për atentatet e vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë.

Ai përfaqëson bosin e fundit të madh të kapur dhe që duket se kishte përshtatur aktivitetin ilegal me drejtimet e reja ekonomike. Sipërmarrësi trapanez Vito Nicastri mbulonte investimet e tij në sektorin energjisë me erë, po kështu ndërtimi si dhe supermerkatot Despar nën emrin e Giuseppe Grigoli. Në turizëm ai qëndronte pas Carmelo Pattit, financieri i të cilit, Michele Alagna ishte babai i njërës prej të dashurave të bosit trapanez. Bizneset e Denaros ishin shtrirë edhe në Venezuelë me një investim që raportohet se ka qenë 5 milionë dollarë.

Pas Denaros lista e të kërkuarve me rrezikshmëri shumë të lartë reduktohet në katër : Attilio Cubeddu për sekuestrime dhe vrasje, Giovanni Motisi për vrasje dhe bashkëpunim të tipit mafioz, përfshirje në masakra, Renato Cinquegranella(kamorrist), bashkëpunim, pjesëmarrje në vrasje, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje dhe Pasquale Bonavota, kalabrez, bashkëpunim dhe vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.