Komuniteti hebre i Janinës - Rrugëtim në kohë
Hebrenjtë që u vendosën në hapësirën greqishtfolëse gjatë periudhës helenistike (shekulli III p.K.), u quajtën “romanjotë” në kohën e Bizantit dhe përbënin shumicën dërrmuese të elementit hebre gjer në shekullin e XV. Që në fillim, adoptuan gjuhën greke, u frymëzuan nga zakonet e kultura popullore vendase dhe në kombinim me doket e tyre, krijuan një traditë unike greko-hebraike. Mbajtën identitetin e tyre fetar, siç dëshmohet nga sinagogat që ndërtuan dhe mbijetesën e hebraishtes si gjuhë liturgjike.
Romanjotët ndoqën një ritual të veçantë fetar, i cili përfshihet me variacione në Mahzor Romania, lutja kryesore romanjote, në Mahzor Kastorja, në Mahzor Kandia dhe Mahzor Kerkira. Marrëdhëniet me vendasit qenë kryesisht harmonike dhe nuk dëshmohen veprime anti-hebreje, përveç disa rasteve të izoluara demonstrimi ndjenjash fetare.
Me ardhjen e sefarditëve në fund të shek. XV, situata ndryshoi. Shumica e komuniteteve romanjote, me përjashtim të romanjotëve të Epirit, Peloponezit e Kretës, të pakësuara në numër për shkak të lëvizjeve të popullsive, u asimiluan kulturalisht nga sefarditët, tradita e të cilëve mbizotëroi. Ndryshimet kryesore të romanjotëve me sefarditët, kanë të bëjnë me gjuhën, veshjen, ushqimin dhe ritualin fetar.
Megjithatë, gjer në Luftën e Dytë Botërore, romanjotët mbizotëronin në qytete si Arta, Preveza, Patra, Trikala, Volos, Halkidha, Hanja. Qendra shpirtërore e romanjotëve, ishte padyshim Janina. Sipas një teorie dominuese, ekziston një mbishkrim që daton para 1800s, ku zënë fill dëshmitë për praninë e një sinagoge që nga shekulli i IX, pothuajse në të njëjtën kohë me krijimin e qytetit të Janinës. Kurse në zonën bregdetare të Nikopolit, në Aktio dhe në Artë, hebrenjtë ndodhen atje që nga lashtësia e vonë. Një referencë të qartë historike për popullsinë hebreje në qytetin e Janinës, kemi që në shek. XIV, gjatë sundimit të Andronikos Paleologut të II.
Perandoria bizantine qe një periudhë e vështirë për hebrenjtë e Janinës, për shkak edhe të bastisjeve nga popuj të tjerë të huaj, por edhe të ndryshimeve administrative në perandori, të cilat shumë herë kishin një impakt negativ ndaj hebrenjve. Përgjatë periudhës otomane, hebrenjtë u trajtuan në mënyrë më liberale: u lejohej praktikimi i lirë i fesë, iu dhanë privilegje të veçanta tregtare dhe profesionale dhe kishin organizim autonom të komunitetit të tyre.
Në shek. XVI u vendosën në Janinë edhe hebrenj sefarditë, të cilët u përthithën nga elementi vendas romanjot. Në të njëjtën kohë erdhën dhe sefarditë të tjerë nga Italia e Jugut dhe Siçilia. Popullsia hebreje banonte në një mëhallë të veçantë brenda mureve të qytetit, jo në geto, por përfshinte hebrenj nga gjithë komunitetet hebreje të qendrave qytetare otomane. Pas 1611, mëhalla brenda në kalanë e Janinës, zona ku ndodhet edhe sot sinagoga e vjetër, u zgjerua shumë.
Hebrenjtë e Janinës në fillim të shek. XX - viti 1940
Komuniteti hebre i Janinës lulëzoi në fillim të shek. XIX, kur qyteti ndodhej nën sundimin e Ali Pashës (1788-1822). Shumë hebrenj punuan në administratë, u zhvillua tregtia, manifakturat; popullsia hebreje, sikurse dhe popullsia tjetër e qytetit, u shtua dhe u shtri përtej mureve të Kalasë. Kriza e Perandorisë Osmane, e cila në fillim të shek. XX përshkohej nga konfliktet e brendshme dhe lëvizjet e vazhdueshme kombëtariste për autonomi, duke humbur toka dhe popullsi, u bë e ndjeshme edhe në Janinë.
Problemet ekonomike, niveli i ulët i jetesës, konfliktet mes komuniteteve të ndryshme fetare, patën pasoja për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët e Perandorisë.
4000 hebrenjtë, që jetonin atëherë në Janinë, kishin dhe ata të njëjtat probleme. Ekzistonte një nevojë e theksuar për dije bashkëkohore dhe formim profesional, çka me ndihmën e Alliance Israélite Universelle dhe të iniciativave private u hapën shumë shkolla. Për shkak të krizës, një pjesë e komunitetit hebre të Janinës, duke ndjekur rrymën e popullsisë greke për emigrim, u largua drejt SHBA-së e Palestinës.
Kjo ishte situata e përgjithshme e komunitetit, kur filluan Luftrat Ballkanike (1912-1913) dhe të cilat përfunduan me çlirimin e Janinës në 21 shkurt 1913 nga ushtria greke dhe përfshirjen e qytetit dhe të pjesës më të madhe të Epirit në shtetin grek. Pas çlirimit, pavarësisht problemeve, e gjithë zona, rendi të përqafojë ritmet dhe zhvillimet e pjesës tjetër të Greqisë.
Hebrenjtë e Janinës anagazhoheshin në mënyrë aktive në jetën sociale dhe politike të shoqërisë vendase dhe përgjithësisht të vendit.
Mbështesnin, sikurse dhe shumë grekë, vizionin e Venizelosit për Greqinë e Madhe, çka u duk me pjesëmarrjen e shumë hebrenjve në fushatën ushtrisë greke në Azinë e Vogël. Deri në 1940-n, hebrenjtë e qytetit jetonin në paqe dhe harmonikisht me të krishterët. Ndanin të njëjtat gëzime dhe dhimbje, të njëjtat probleme dhe shpresa, kishin vetëdije greke krahas identitetit të tyre hebre.
Komuniteti hebre i Janinës 1940 - 1945
Kur në fund të tetorit 1940, Boshti fashist i shpalli luftë Greqisë, shumë hebrenj, mes tyre edhe hebrenj të Janinës, qoftë si ushtarë të thjeshtë, qoftë si oficerë a personel ndihmës, i jepnin Europës bashkë me patriotët e tyre të krishterë, mësime patriotizmi dhe vetëflijimi.
Me pushtimin e Greqisë nga trupat e Boshtit, Janina u gjend e pushtuar nga italianët. Komuniteti hebre i qytetit, kishte në atë kohë 1950 hebrenj. Komanda italiane u tregua tolerante dhe nuk zbatoi masa ndëshkuese ndaj tyre. Kësisoj, hebrenjtë e qytetit vazhduan normalisht jetën e tyre. Megjithatë, shumë të rinj hebrenj u bashkuan me rezistencën antifashiste, të motivuar nga urrejtja për pushtuesin fashist dhe jo si rrugë arratisjeje. Mes tyre përmendim Salvador Bakolën dhe Josif Macën.
Në 20 prill 1943, hyjnë në qytet trupat gjermane, të cilat u vendosën përfundimisht në korrik 1943, me komandant gjeneralin Jurgen von Stettner. Që në fillim, gjermanët filluan të ushtrojnë presion mbi komunitetin hebre. Takohen me Sabethai Kabilin, figurë e rëndësishme e komunitetit hebre të qytetit, i cili besonte që komuniteti hebre do i shpëtonte rrezikut dhe përndjekjes, duke iu bindur urdhrave të pushtuesve. Pavarësisht premtimeve fillestare të gjermanëve, klima u përkeqësua.
Sinagoga e re, Kahal Kadosh Hadash u shkatërrua nga gjermanët. Komuniteti, me ndihmën e kryebashkiakut të Janinës, Vlahlidhi, fshehu enët e çmuara dhe pëlhurat e sinagogës së shkatërruar në kriptin e sinagogës së vjetër të qytetit, Kahal Kadosh Jashan, çka çoi në shpëtimin e tyre.
Ata që arritën të parashikonin shkatërrimin, u përpoqën të largoheshin. Kleri i krishterë ishte në krah të të përndjekurve. Mitropoliti Spiridhon, shpëtoi shumë objekte, mes tyre edhe shumë makina qepëse nga shtëpitë e braktisura të hebrenjve.
Një klerik i thjeshtë, At Athanasi, lëshoi karta identiteti të rreme me emra të krishterë dhe ua shpërndau atyre hebrenjve, që arritën të përfitonin. Në gjysmën e marsit 1944, u shënuan në një regjistër gjithë familjet hebreje të qytetit dhe shtëpitë e tyre u shenjuan me kryq.
Në të gdhirë të 24 marsit për 25 mars 1944, u vu në zbatim Zgjidhja Përfundimtare për hebrenjtë e Janinës: hebrenjtë që jetonin jashtë mureve të kalasë dhe kalaritët hebrenj të Spitalit Ushtarak, 1870 romanjotë hebrenj u ç’rrënjosën pas dymbëdhjetë shekujsh nga Janina dhe i mblodhën të gjithë në sheshin Mavili, ditën me borë, të 25 marsit. Morën me vete çka kishin mundësi, deri 40 kile. U transferuan me 97 kamionë të mbuluar, përmes Trikallës në Larisa dhe më pas me tren, në kushte të tmerrshme, në Auschwitz. Atje dhe në kampe të tjera përqëndrimi, u eliminua 92% e hebrenjve romanjotë të Janinës.
Komuniteti hebre i Janinës 1945 - (ditët e sotme)
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, komuniteti hebre i Janinës kishte 181 hebrenj: 112 të mbijetuar nga kampet e vdekjes dhe 69 të shpëtuar, që qenë fshehur në shtëpitë e të krishterëve ose në mal, disa prej tyre si luftëtarë. Ata që u kthyen, pavarësisht përpjekjeve të rebelëve grekë dhe klerit të krishterë, i gjetën pasuritë e tyre të shkatërruara, shtëpitë të uzurpura dhe dyqanet e tyre të plaçkitura. Përveç problemeve jetësore të strehimit, mjekimit, riintegrimit, gjendja psikologjike e komunitetit të çrrënjosur ishte e tmerrshme: komuniteti i Janinës ishte tashmë një komunitet pa të moshuar, një komunitet që humbi një pasuri të vyer nga kujtesa e tradita e vet, një zbrazëti që s’ mund të plotësohej kurrë.
Që në fillim u krijua Këshilli i Komunitetit Hebre, me kryetar Josif Koen. Menjëherë, u vendosën kontakte me institucione ndërkombëtare e greke, si American Joint Distribution Committee dhe Këshilli Qendror Izraelit i Greqisë, për mbështetjen materiale dhe morale të viktimave të Holokaustit, kryesisht të jetimëve, vejushave, vajzave të pamartuara dhe profesionistëve që iu shkatërrua pasuria. Shumë nga të mbijetuarit, emigruan kryesisht në SHBA ose në Izrael.
Një ndihmë të vyer në rikrijimin e komunitetit të Janinës, u dha nga shoqata e janiniotëve hebrenj të New York-ut përmes fondit Janina Relief Fund. U rikonstruktua sinagoga dhe varreza e hebrenjve, rifunksonoi shkolla hebraike fillore dhe jeta filloi të normalizohet.
Vitet në vijim, për shkak të emigracionit të brendshëm, shumë hebrenj të Janinës u larguan kryesisht drejt Athinës. Sot në Janinë jetojnë rreth 50 hebrenj, në mëhallën e vjetër hebraike. Ekziston akoma dhe sot Sinagoga e e Vjetër, Kahal Kadosh Jashan, që funksionon me dërgimin e një rabini gjatë festave. Hebrenjtë e Janinës vazhdojnë të ruajnë lidhjet me të kaluarën e tyre romanjote, duke mbajtur gjallë në vetëdije faktin, që janë trashëgimtarë të një tradite shumëshekullore e unike.
Burimi: https://www.jewishmuseum.gr
Përktheu: Eleana Zhako
Add new comment