Lindi si një e vdekshme e thjeshtë me bukuri marramendëse
Lindi si një e vdekshme e thjeshtë me bukuri marramendëse. Gjithë vëllezërit e saj ishin përbindësha nga natyra dhe ndonëse ajo nuk ishte, kishte fatkeqësinë të shndërrohej në krijesën më të frikshme nga gjithë të tjerat. Por s’qe gjithmonë e tillë. Meduza ishte shumë më tepër se një monstër. Qe një grua ndaj së cilës u krye padrejtësi. Meduza ishte një priftereshë e pamartuar e perëndeshës Athina. Ishte kaq e bukur, sa që edhe vetë Poseidoni nuk i bëri dot ballë tundimit. U mundua që ta rrente. Kur ajo nuk iu përgjigj ndjenjave të tij, e përdhunoi brenda tempullit të perëndeshës luftarake. Athinaja e zemëruar, nuk e ndëshkoi Poseidonin për aktin e tmerrshëm brenda tempullit të saj.
Ndoshta kjo kishte të bënte me faktin që zoti i plotfuqishëm i detit, qe ungji i saj dhe vetëm Zeusi kishte të drejtën të impononte njëfarë ndëshkimi. Ndoshta kishte xhelozi, për joshjen që ushtronte Meduza te meshkujt. Ndoshta, donte ta mbronte nga sulme të tjera të ngjashme në të ardhmen.
Cilado që të ishte arsyeja, Athinaja e shndërroi Meduzën në një monstër të frikshme: një sirenë e përbindshme, me lëkurë të gjelbër, gjarpërinj që i mbinin nga koka në vend të flokëve dhe me një vështrim vdekjeprurës, që shndërronte në gur, çdo mashkull që e vështronte në sy. Që atëherë, Meduza u bë simbol i mbijetesës nga dhuna seksuale.
Meduza është më tepër e njohur përmes mitit të Perseut. Për më shumë se 3000 vjet, rrëfimi i historisë së saj, u bë përmes bëmave të një mashkulli. Gjysmë-zot, i biri i Zeusit dhe i Danait, Perseu është një nga heronjtë më të njohur të mitologjisë greke. Misioni i tij? Të vriste përbindëshin e frikshmë. Me ndihmën e zotave dhe në kombinim me guximin dhe zgjuarsinë e tij, arriti të gjente Meduzën. Duke përdorur mburojën e tij si pasqyrë, arriti të shmangte kontaktin optik me të dhe i preu kokën. Koka e Meduzës kishte veçori të fuqishme dhe Persea e përdori si armë, duke ia dhuruar më pas Athinasë.
Prerja e kokës së saj simbolizon çfuqizimin e grave të forta e të pavarura, që shprehin idetë e tyre. Gratë dinamike janë konsideruar historikisht si kërcënim ndaj pushtetit dhe kontrollit të burrave. Ky akt mizogjen buron nga frika e nënvlerësimit të burrërisë nga vështrimi femëror dhe i nevojës mashkullore për pushtet. Meduza është shembulli i përkryer i konfigurimit antik të racizmit seksual: u stigmatizua dhe u akuzua pa të drejtë, që joshte meshkujt. E konsideruan përgjegjëse, sepse “provokoi” një zot. Në vend që Athinaja - perëndesha e mençurisë - të ndëshkonte përgjegjësin, la Meduzën që të vuante pasojat.
Sot, viktimat e abuzimit seksual vazhdojnë të trajtohen nga shoqëria në mënyrë mosbesuese dhe në heshtje. Si një nga personazhet më të njohura të të mitologjisë greke, Meduza është ekspozuar shpesh në artin antik dhe bashkëkohor. Arketipi i femme fatale përbën burim frymëzimi për gjithë llojet e arteve, në nivel botëror. Sharmante dhe e rrezikshme, simbolizon vdekjen, dhunën, forcën dhe dëshirën erotike.
Nga Riana e Oprah Winfrey e deri te logoja e markës Versace, Meduza shpreh dinamikën, seksualitetin dhe rolin në ngritje të grave në shoqëri. Vitet e fundit është shtuar publiciteti i kokës së Meduzës edhe si tatuazh. Gra dhe burra, pa dallim moshe, zgjedhin si tatuazh Meduzën për arsye personale. Çdokush ështē i ndryshëm, ndaj dhe interpretimet individuale dhe kuptimet rreth tatuazhit ndryshojnë. Në vija të përgjithshme, tatuazhi i Meduzës është një simbol mbijetese nga sulmi, përdhunimi e dhuna seksuale.
Tatuazhet janë një formë arti dhe arti një shprehje e gjendjes njerëzore. Konsiderohet simbol mbrojtës, pasi sytë e verdhë të Meduzës kanë aftësinë të shkatërrojnë çdokënd që përbën rrezik. Për shumë të mbijetuar, shërben për fshirjen e stigmatizimit, të turpit, të vetë-refuzimit dhe të vetakuzimit. Është një emblemë e pashtershme mbijetese.
burimi: tanea.gr
Përktheu: Eleana Zhako
Add new comment