Muzeu i parë në botë rreth Luftës së Ftohtë

Postuar në 05 Dhjetor, 2022 13:54

Mbi 40 vjet, Berlini ndodhej në pararojë të Luftës së Ftohtë, i ndarë mes Lindjes e Perëndimit: nga Berlini opozitarët e ish Gjermanisë Lindore përpiqeshin të arratiseshin drejt Gjermanisë Perëndimore dhe po në Berlin thurreshin komplotet dhe intrigat e amerikanëve dhe spiunëve sovjetikë. Gjithashtu, në Berlin, bëheshin “bras de fer” mes kancelarëve, kryetarëve e sekretarëve dhe takimet historike të përfaqësuesve nga të dyja anët e Perdes së Hekurt. 

Kryeqyteti gjerman do të ketë një muze, që ka si qëllim rijetësimin e periudhës misterioze të Luftës së Ftohtë, siç përmend një shkrim i DW. Muzeu në qendër të Berlinit, vetëm pak metra nga vendi ku më parë ndodhej Muri i Berlinit, është muzeu i parë në botë i këtij lloji. Ndonëse ekzistojnë shumë institucione që mbulojnë disa aspekte të periudhës në fjalë, siç është Muzeu i Stazi në Leipzig, ku ekspozohet historia e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, objektivi i muzeut të ri në Berlin është të prezantojë një ekspozitë ndërvepruese mes vizitorëve dhe mundësinë e kuptimit të saj, pa pasur si kusht zotërimin e dijeve historike.

Përsa i përket spiunazhit, eksplorimit të hapësirës kozmike, luftës së Vietnamit dhe pajisjeve bërthamore, koleksioni i muzeut përmban shumë video historike dhe rikonfigurime. Vizitorëve u jepen kufje dhe syze të posaçme që të udhëtojnë në kohë, me destinacion Berlinin e ndarë. Në objektet e ekspozuara ndodhet dhe një nga aparatet Telex, që lidhte direkt Moskën me Uashingtonin gjatë krizës së raketave në Kubë, sikurse dhe veshje astronautësh të NASA dhe kozmonautësh sovjetikë. Në një vazo të mbyllur ndodhet dhe një “kampion arome”, një pëlhurë e spërkatur me erën e opozitarëve të arrestuar, që STASI e përdorte për të trajnuar qentë, që të nuhasnin kundërshtarët e pushtetit.

Ndonëse disa e karakterizuan sulmin rus në Ukrainë si një veprim ringjalljeje të Luftës së Ftohtë, çka shpuri drejt një retorike që i ngjante asaj të Luftës së Ftohtë, lufta në Ukrainë nuk përmendet askund në Muze. Pikësëpari, sepse muzeu ishte projektuar shumë kohë para fillimit të luftës në 24 shkurt, por kryesisht ngaqë ngjarjet e aktualitetit nuk kanë vend në një muze historie. 

Muzeu i Luftës së Ftohtë, i cili prezanton aspekte të ndryshme nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ribashkimjn e dy Gjermanive, përbëhet nga dy kate, zë një sipërfaqe prej 1600 m2, hapi dyert në 26 nëntor. 

burimi: cnn.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.