Ky është pazari i Gërdecit. I vërteti
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot me kallaballëkun digjital një hall të madh. Ai nuk po di si t’u shpjegojë të huajve kundërshtimin që po i bëhet në Shqipëri projektit të Portit të Durrësit duke sjellë si shembull ato që i quan pazarllëqe të Gërdecit.
Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!
shkruan ndër të tjerë z. Rama. Xhanëm zotëria mund edhe t’i ngrejë një bust Alabarit, apo edhe Nusretit të Dubait, por puna është se ato që sot z. Rama i quan pazarllëqe të nivelit të Gërdecit nuk ishin aq të vogla. Dhe aty u përfshinë në shkelje deri në Pentagon, meqenëse u tolerua tregtimi i municioneve të prodhimit kinez me para amerikane.
Por nuk është ky pazari që duhet të tallte z. Rama. Është ai pazari tjetër i prillit 2008 kur u ndryshua Kushtetuta e vendit në dakordësi të plotë mes tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Fotoja e sjellë këtu është bërë ditën e shpërthimit, në një gjest të tregtuar si “politikë ndryshe” dhe pas një proteste në bulevard, ne morëm ndryshimet kushtetuese pasojat e të cilave janë ende sot.
Pafytyrësia e këtij veremi politik nuk ka asnjë kufi minimal në aritmetikën e datave dhe veprimeve, për shkak se me Gërdecin nëse administrohej si arsye proteste, qeveria e z. Berisha vështirë se do të mbijetonte. Dhe duke qenë se Edi Rama, ky që përflet sot këdo që ka të drejtën e natyrës të mos mbajë në rropullitë e veta ndotjen akustike dhe grafike që emeton një individ i tillë që gënjen kaq hapur, donte siguri për veten për zgjedhjet e 2009-ës, në vend se të kërkonte largimin, kërkoi pushtetin e vet.
Ky është pazari i Gërdecit, ai malinji, pasi fabrika e demontimit me vendim të kësaj qeverie është aksident teknologjik. Dhe nuk pamë një letër të shkretën që ta synonte ndëshkimin e Berishës për atë Gërdec.
s.zaimi
Comments
Ore ceshte kjo e drejte e
Ore ceshte kjo e drejte e natyres se nuk e jisha nigjo noiher?
Add new comment