Ikin në Britani, apo ikin nga Shqipëria?

Postuar në 03 Nëntor, 2022 13:27

Shqipëria e para në botë për kërkesat e larta për azil në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky është një titull që mediat në Tiranë e referojnë sipas revistës “Monitor” që përpunon sipas tyre të dhënat e marra nga burimet zyrtare britanike.

Në Shqipëri, për çdo 1000 banorë kanë aplikuar për azil gati 5 banorë (2.4 në vendet e Bashkimit Europian dhe 2.6 në Mbretërinë e Bashkuar)

citojnë këto media të dhënat.

Shifra qëndron në krye në raport me popullsinë, jo si shifër absolute, por edhe nëse kjo nuk është e vërtetë, sërish, problemi i emigrimit të parregullt të shtetasve shqiptarë tashmë është një çështje politike për qeverinë e z. Rama.

I cili ndodhet në një situatë ku siç thuhet duhet të provojë ilaçin që krijon vetë. Vite më parë kryeministri e mbronte ikjen e njerëzve si liri të lëvizjes dhe patjetër që ajo është edhe e tillë. Sot ai bën thirrje që njerëzit të shkojnë e të hapin agrobiznese, madje referon modele të tilla. E sërish, ikja nuk ndalet. Nuk do të ishte problem një gjë e tillë nëse nuk do të kishim perceptime mbi këtë çështje dhe prononcime të përshfaqura deri në kufijtë e rracizmit.

P.sh paralel me lajmin e mësipërm, të del para lajmi se kryeministri i është përgjigjur sekretares për Punët e Brendshme në Britaninë e Madhe, Suella Braverman, që ka folur për një pushtim të shqiptarëve. Kaq është dashur që z. Rama të bëjë atë që di të bëjë më mirë për mendjet e dissave. Të japë një intervistë në BBC, përmes së cilës ka bërë intelektualin e indinjuar.

Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. [Ajo] nuk është gjë tjetër veçse nxitja e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë

është shprehur ndër të tjera ai.

Themi intelektualin sepse kryeministri i një vendi prej të cilit ikin njerëz që janë bërë subjekt diskutimi politik prej vitesh – dhe këtu kujtojmë se të njëjtën nivel shqetësimi mbante para disa vitesh edhe presidenti francez Macron, apo kur Gjermania sillte policë në Rinas – duhet të flasë me politika për të shpjeguar pse ndodh kjo dhe se çfarë po bëhet. Replikat e z. Rama nuk i shërbejnë atyre shqiptarëve që ikin drejt Britanisë, pasi për ta shtruar me sintaksën e duhur: Shqiptarët nuk ikin drejt Britanisë, ata PO IKIN NGA SHQIPËRIA.

Dhe në një mënyrë edhe nga qeverisja e z. Rama. Sigurisht që Shqipëria është një vend emigracioni, kjo nuk është një dukuri e re dhe as ka përgjegjësi ekskluzive qeveria aktuale. Por në rastin e tanishëm rishfaqja me intensitet e largimit kërkon shpjegime më komplekse se më parë dhe që ndoshta nuk lidhen strikt me varfërinë, por me karakterin politik dhe social që po merr vendi ynë.

Për ta kuptuar këtë mjafton të lexojmë p.sh një dokument zyrtar që është hedhur për konsultim publik: “Strategjia Kombëtare për qeverisjen e migracionit 2019- 2022”. Që në hyrjen e këtij dokumenti thuhet se:

Emigracioni nga Shqipëria nxitet kryesisht nga arsye ekonomike (papunësia dhe përpjekja për kushte më të mira jetese) edhe pse kanë mbizotëruare dhe konsiderata të tjera. Dy kategori të personave – të rinjtë dhe gratë - e kanë parë veçanërisht të vështirë situatën në tregun të punës në vend. Në vitin 2017, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, të cilët nuk ishin të punësuar dhe nuk ndiqnin shkollën apo formimin profesional, përbënin 29.7% të të gjithë të rinjve. Vetëm 50.3% e grave (krahasuar me 64.3% të meshkujve) ishin të punësuara.

Emigracioni i shtetasve shqiptarë, në veçanti drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) vazhdon pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të jetesës në vend, rritjes të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe përmirësimit të vazhdueshëm të sigurisë publike. Sipas INSTAT-it, pesë faktorë vlerësohen që ndikojnë aktualisht në emigracionin drejt BE-së, të cilët përfshijnë: mundësinë për të punuar jashtë vendit (84%), bashkimin familjar (4.6%), ndjekur nga papunësia në Shqipëri (4.2%), mundësinë për të studiuar jashtë vendit (3.5%) dhe faktorë të tjerë (3.6%).

Faktorë të tjerë tërheqës janë gjithashtu cilësia më e mirë e trajnimeve dhe mundësive arsimore jashtë vendit. Nga ana tjetër, mangësitë e institucioneve publike dhe shërbimeve publike kanë shërbyer si "faktorë nxitës", duke ndikuar negativisht në përpjekjen dhe perspektivën e migrantëve për t'u kthyer dhe për t’u vendosur në Shqipëri

Siç shihet ikja është së pari ekonomike, ndonëse përmirësimet janë reale. Çka na thotë se çdo sukses i arritur, i propaganduar apo imagjinuar nuk arrin të mbajë në vend një pjesë të madhe të popullsisë. Dhe këtu ne kemi të drejtë të vëmë në dukje se pabarazia dhe pandëshkueshmëria janë faktorë përcaktues në intoksikimin e perceptimit të shqiptarëve për perspektivën e tyre me ngarkesë negative dhe mungesë shprese. Ndaj është komike, groteske, e çdo gjë tjetër fakti që kryeministri I një vendi që pranon se ka një problem real, tanimë ndoshta emergjent me ikjen e njerëzve, del e flet në një intervistë me interpretimin se emigracioni është bërë çështje pse Britania dështoi në menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër krimit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.