Tri dekada që duam vetëm të ikim
Revista “Monitor” referonte sot në një shkrim të vetin një sondazh të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik -OECD – sipas të cilit ikja nga Shqipëria ka ritmin më të lartë edhe krahasuar me rajonin sa i përket të rinjve deri në 24 vjeç.
Të anketuarit u pyetën për arsyet e tyre kryesore që i shtyjnë ata të emigrojnë për t’u zhvendosur në një vend tjetër. Nga një listë me 13 arsye të mundshme, 79% e të anketuarve renditen pagat më të larta si arsyen më të rëndësishme për të lënë vendin e tyre.
Një grup faktorësh që nxisin emigrimin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnjë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi përfshijnë, ndër të tjera, lidhen me standardet më të ulëta të jetesës në krahasim me vendet e destinacionit, nivele më të larta të korrupsionit dhe paqëndrueshmëria politike.
citon revista.
E dhëna në fjalë megjithë korrigjimn që mund t’i bëhet ilustron faktin se prirja e shoqërisë shqiptare mbetet e pandryshuar për tri dekada dhe se ajo tanimë ka nisur të prekë edhe brezin e tretë pas rënies së regjimit monist. Ciladoqofshin reformat e ndërmarra, strukturore apo rregulluese, emigrimi në këto nivele përbën një kundërargument të fortë për suksesin e tyre.
Emigrimi ka qenë dhe mbetet faktor në ekonomi, por emigrimi i këtyre viteve vështrië se do të mund të japë pas atë që dha emigrimi i dy dekadave të para. Të rinjë që ikin jashtë për paga më të larta apo për shkollim pak mendohet se kanë opsion rikthimin apo investimin në këtë vend.
Ikja është shumëzimi me zero i programit të “Rilindjes” që u shpall pikërisht për të ndalur rënien, ndërkohë që ngjashmëria e treguesve me qeverinë e mëparëshme sa i përket klimës së besimit provon se në Shqipëri patëm vetëm rotacion vendimmarrjeje por jo politikash.
Në këto kushte, çdo qeveri që është apo do të vijë, duhet të bëjë llogarirë e programeve të veta, apo edhe politikave me këtë faktor rrallues të popullsisë dhe sado koncesione të jepen me 1 apo zero euro, ka për të qenë e vështirë të mendohet një zhvillim real, apo i prekshëm. Manovra e qeverisë aktuale për punëtorë të huaj është më e keqja e mundshme për faktin se nëse kryeministri e interpreton ikjen si shprehje të lirisë, ai sponsorizon ardhjen e të huajve si nevojë ekonomike.
Treguesi i ikjes për paga më të larta flet për pamundësi efektive të biznesit që të mund të rrisë efektivitetin ndërkohë që psikologjikisht ne jemi përherë në një paradoks: nga njëra anë kërkohet rritje page, nga ana tjetër ankesat për çdo rishikim çmimesh prezantohet si element varfërie dhe krize.
Në finale ikja krijon presionin më të madh të mundshëm mbi një ekonomi, e cila për nga mënyra sesi po funksionon dhe sesi mbahet në këmbë, sesi po mbyll aksesin e aktorëve të rinj me koncesione afatgjata që vetëm tregun nuk çlirojnë, provon se ka interes ekzistencial për paranë informale. Është kjo arsyeja pse dëgjojmë për nisma si amnistia fiskale apo për projekte megallomane me para, origjina e të cilave nuk dihet dhe që menaxhojnë interesa që vetëm publike nuk janë, por që nëse tolerohen do jenë nesër fytyra legale e saj.
s.zaimi
Add new comment