Nuk vodhi, iku, e vranë!!!

Postuar në 08 Korrik, 2022 16:31

Ish-kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, Shinzo Abe  është qëlluar gjatë një fjalimi elektoral dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Vraësi, Yamagami Tetsuya, 41 vjeçar, ish-pjesëtar i forcave të marinës, ka deklaruar se ishte i pakënaqur me Aben.

Pasi ka shtirë dy herë, Yamagami ka hedhur armën në tokë dhe ka qëndruar pa lëvizur. Për nga dinamika e ngjarjes, duket se autori ka qenë aty me synimin e qartë të vrasjes të cilën e shpjegon vetëm ai.

Mbi aktin kanë reaguar thuasje të gjithë drejtuesit politikë në botë: tronditës e quan sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, që e ka cilësuar Aben si lider me vision global. Presidenti Biden, ai francez Macron, Johnson i Britanisë së Madhe e kështu me radhë. Mesazhi ka qenë një: Japonia humbi një lider dhe se Abe punoi për paqen.

Një mesazh e ka përcjellë edhe kryeministri  Shqipërisë, që ka folur për vrasjen si pasojë shpallesh armik të politikanëve dhe jo kundërshtarë për t’u angazhuar. Në mënyrën më të paskrupullt të mundshme, Edi Rama ka shfrytëzuar momentin e vdekjes së Abes për t’i dhënë përgjigje publike deklarimit nga protesta e djeshme e PD-së, ku atë e shpallën armik.

Zoti Rama flet për tronditje të demokracisë nga vrasjet, flet edhe për konkurencë, mirëpo është ky njeri që vetëm garën nuk deshi, e mbyti atë, e asfiksoi, e shndërroi atë demokraci embrionale në Shqipëri në fasadë të frikës së vet. Ai është kryetar i në partie që nuk zgjedh më, që ka fituar përkundrejt Maqo Lakrorit megjithë respektin, që ka bërë çmos të asfiksojë rrugët ligjore pë zgjerimin e konkurencës politike me kode zgjedhore e gjithfarë marifetesh, e që në fund po do të sillet edhe si profet.

Eja thotë, më konkuro! Konkurenca është edhe mundësi, jo vetëm dëshirë, ajo ka rregulla dhe kërkon një sens të fair play. Heqja dorë nga demagogjia do të ishte hapi i parë i moralit në politikë, thotë një ish-politikan i njohur francez.

Demagogjia dhe propaganda janë aleatët strategjikë të Edi Ramës që njësoj si të gjithë pseudodemokratët e kësaj bote, rriti pushtetin e vet, pa masë, por nuk u rrit dot si njeri. Narrativa e demokracisë tejkalon çdokënd që nuk beson në të dhe kthehet në instrument depresiv për mbarë shoqërinë që sheh sesi shpresa te demokracia është akaparuar nga ata që janë në fakt armiq të saj.

I njëjti parim aplikohet sot për këdo nga këta liderët perëndimorë që sot shprehin ngushëllime dhe dënojnë vrasjen: përgjegjës për të gjitha shkatërrimet e pas 2011-ës dhe Irakut dhe Afganistanit, janë sulur tashmë me sanksione duke dënuar në mënyrë absolute luftën e Ukrainës që është në një sens një luftë ndër luftërat e shumta të këtij 30 – vjeçari. Duke bërë të mirën dhe të keqen në një botë që ndonëse më demokratike se kurrë, është bërë edhe më e rrezikshme dhe paparashikueshme se ndonjëherë tjetër.

Vrasja e Abes mund të jetë një gjest i izoluar, i dikujt që ka çrregullime. Për kryeministrin e Shqipërisë nuk është kështu, duke dhënë pretencën, ai në fakt ka zbuluar recetën e vetes. Dhe vetëdijen që ka për Shqipërinë që ka ndërtuar e në të cilën jeton. Ai e ka bërë atë një simptomë të vetes dhe sistemit që jetojmë duke na kujtuar të gjithëve frikën që ka, pasigurinë me të cilën shtyn para, dyshimin gërryes për të ardhmen e vetes.

Nëse do të përdornim vetë metrin e z. Rama, atëherë i duhet thënë të qetësohet se nëse është kështu, atëherë Aben e Japonisë, vendi i tretë në botë, e vrau një histori e madhe nga pas. Përveç kapjes ekonomike që nuk është e re në këtë vend, z. Rama nuk e ka fatin historik të të qenit armik real i dikujt, as të tradhëtojë diçka, as të jetë diktator e tiran. Këto janë udhë për të tjerë shpirtra. Z. Rama duhet të jetë fare i qetë e të lexojë me lehtësi devizën e protestës së djeshme të armikut të tij të ri, Berisha: Boll vodhe, Ik! E ka garancinë!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.