Origjina e SARS-CoV-2 duhet kërkuar në SHBA

Postuar në 06 Korrik, 2022 20:35
Neil L. Harrison, Jeffrey D. Sachs - Columbia University

 

Kur presidenti amerikan Joe Biden kërkoi nga Komuniteti i Shërbimeve Inteligjente të përcaktonin origjinën e CoVid-19, përfundimi i tij ishte dukshëm i nënvlerësuar, por gjithësesi shokues. Në një përmbledhje një faqëshe, Komuniteti bëri të qartë se nuk përjashtonte mundësinë që Sars-CoV-2 të kiste dalë nga një laborator. Por edhe më shokuese për amerikanët dhe botën është një pikë shtesë në të cilën Komuniteti  mbeti memec: nëse virusi ishte me të vërtetë rezultat i kërkimit në laborator dhe eksperimentimeve, ishte thuajse e sigurtë se u krijua me bioteknologji amerikane dhe njohuritë që i ishin vënë në dispozicion kërkuesve në Kinë.

Për të mësuar të vërtetën e plotë rreth origjinës së CoVid-19 ne kemi nevojë për një hetim të plotë dhe të pavarur, jo vetëm mbi shpërthimin në Vuhan, Kinë, por gjithashtu mbi kërkimet shkencore me rëndësi në ShBA, komunikimin e tyre ndërkombëtar dhe licencimin teknologjik që çon në pandemi.

Ne bëmë thirrje së fundmi për një hetim të tillë në Punimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave. Disa mund të hedhin poshtë arsyetimet tona si të ngjashme me një “teori konspirative”. Por le të jemi fare të qartë: nëse virusi doli nga një laborator, kjo ndodhoi thuajse sigurisht në mënyrë aksidentale në kursin e kërkimit, me gjasë duke kaluar pa u vënë re përmes infektimeve asimptomatike.

Është gjithashtu e mundshme që virusi të ketë një origjinë natyrore. Premisa bazë është që askush nuk e di. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të hetihen të gjitha informacionet e rëndësishme të ndodhura në bazat e të dhënave në ShBA.

MUNDËSI TË HUMBURA

Që nga nisja e pandemisë në fillim të vitit 2020, qeveria amerikane ka ngritur gishtin e akuzës mbi Kinën. Por teksa është e vërtetë se rastet e para të vëzhguara me CoVid-19 ishin në Vuhan, historia e plotë e shpërthimit mund të përfshijë rolin e Amerikës në kërkimet mbi koronaviruset dhe në ndarjen e bioteknologjisë me të tjerët në botë, përfshirë Kinën. Shkencëtarët amerikanë që punojnë me viruse të ngjashëm me SARS-in, krijojnë dhe testojnë rregullisht variante të reja me synim zhvillimin e medikamenteve dhe vaksinave kundër tyre. Kërkime të tilla përmirësuese janë bërë prej dekadash, por kanë qenë përherë kontroverse, për shkak të shqetësimeve se mund të çonin në shpërthime aksidentale, apo për shkak se teknikat dhe teknologjitë për krijimin e viruseve të rinj mund të përfundonin në duar të gabuara. Është e arsyeshme të pyesësh nëse SARS-CoV-2 ia detyron infektivitetin e vet befasues kësaj përpjekjeje të gjerë kërkimi.

Për fat të keq, autoritetet amerikane janë përpjekur të ndalojnë dhe mbysin vetë pyetjen. Në fillim të epidemisë, një grup i vogël virologësh, i pyetur nga Institutet Kombëtare të Shëndetit në ShBA, i thanë lidershipit të këtyre të fundit se SARS-CoV-2 mund të jetë shfaqur nga kërkime në laborator, duke vënë në dukje faktin se virusi ka tipare të pazakonta të cilat virologët në ShBA i kishin përdorur prej vitesh në eksperimente – shpesh me mbështetjen e vetë instituteve.

Si e dimë ne se çfarë iu tha zyrtarëve të Instituteve të Shëndetit dhe kur? E dimë për shkak se tani kemi informacion publik të disponueshëm të lëshuar prej vetë Instituteve në përgjigje të një kërkese për informacion. Ne dimë se më 1 shkurt 2020, Instituti Kombëtar i Shëndetit mbajti një videokonferencë me një grup të virologëve kryesorë për të diskutuar origjinën e mundshme të virusit. Në atë konferencë, shumë nga kërkuesit vunë në dukje se manipulimi laboratorik i virusit, jo vetëm ishte i mundshëm, por sipas disave kishte ngjarë kështu. Në atë pikë, Instituti duhet të kishte kërkuar një hetim të pavarur urgjent. Në vend të kësaj, ai kërkoi të zhvlerësonte këtë linjë hulumtimi.

KOKAT NË RËRË

Pak ditë pas 1 shkurtit, një grup virologësh, përfshirë disa nga takimi në fjalë, përgatitën draftin e parë të një punimi:  “Origjina e përafërt e SARS-CoV-2”. Drafti final u publikua një muaj më vonë, në mars 2020. Pavarësisht vëzhgimeve fillestare më 1 shkurt se virusi tregonte shenja të manipulimit të mundshëm laboratorik, letra e marsit përfundonte se kishte të dhëna të padiskutueshme se ai ishte shfaqur në natyrë.

Autorët shpallnin se virusi nuk mund të kishte ardhur nga një laborator sepse “të dhënat gjenetike tregojnë në mënyrë të paekuivok se SARS-CoV-2 nuk derivon nga materialet e përdorura nga një virus i mëparshëm”. Megjithatë, footnota e vetme (nr.20) që mbështeste atë deklarim kyç, i referohej një punimi të 2014-ës, që do të thotë se e supozuara “të dhëna të padiskutueshme”, ishte të paktën pesë vjet jashtë afatit.

Për shkak të refuzimit të tyre për të mbështetur një hetim të pavarur mbi hipotezën e rrjedhjes nga laboratori, Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe agjencitë federale qeveritare amerikane, i janë nënshtruar një vale kërkesash për informacion nga një masë organizatash, përfshirë “Të Drejtën për të Ditur” dhe “The Intercept”. Këto të dhëna të marra nga kërkesat për informacion, si dhe nga kërkimet në internet, apo rrjedhjet e “whistlebloëer” kanë zbuluar disa informacione befasuese. Sillni ndërmend p.sh një propozim granti të marsit 2018 të aplikuar pranë Agjencisë për Projekte në Kërkime të Avancuara të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes nga “EcoHealth Alliance”, kërkues në Institutin e Virologjisë në Vuhan dhe të Universitetit të Karolinës së Veriut.

Në faqen 11, aplikuesit shpjegojnë në detaje sesi ata kanë ndërmend alterimin e kodit gjenetik të koronaviruseve në lakuriqët e natës për të ndërfutur saktësisht tiparin që është pjesa më e pazakontë e SARS-CoV-2. Ndonëse DARPA nuk e aprovoi këtë grant, puna mund të ketë vijuar pavarësisht kësaj. Ne thjesht nuk e dimë. Por falë të Drejtës për Lirinë e Informimit dhe një kërkese tjetër për informacion, ne dimë se ky grup ka kryer eksperimente të tjera alterimi gjenetik mbi koronavirusë të tjerë, mbi atë që shkakon sindromën respiratore të Lindjes së Mesme(MERS).

Në raste të tjera, zbulimet e bëra përmes kërkesës për informacion janë redaktuar ndjeshëm, përfshirë një përpjekje për të mbuluar 290 faqe dokumente që shkonin pas në shkurt 2020, mes të cilave Plani Strategjik për Kërkimet për CoVid-19, dorëzuar në atë prill nga Instituti amerikan Kombëtar për Alergjinë dhe Sëmundjet Infektive. Këto redaktime të thella mimojnë ndjeshëm besimin e publikut te shkenca dhe kanë shërbyer vetëm si nxitëse për kërkesa të tjera urgjente nga kërkues të pavarur.

FAKTET E ÇËSHTJES

Dhjetë gjëra që duhet t’i dimë.

Së pari, genomi i SARS-CoV-2 dallohet nga një sekuencë e veçantë prej 12 nukleotidesh që shërben për të rritur infektivitetin e tij. Sekuenca specifike aminoacide drejtuar nga ky insert është diskutuar gjatë dhe njihet si Siti i Çarjes Furine.

Së dyti, SÇF ka qenë shënjestër e kërkimeve moderne që nga viti 2006, pas shpërthimit të SARS në vitet 2003-2004. Shkencëtarët kanë kuptuar me kohë se SÇF ka çelësin e infektivitetit dhe patofiziologjisë së këtyre viruseve.

Së treti SARS-CoV-2 është i vetmi virus në familjen e viruseve si SARS(sarbekoviruse) që dihet se ka SÇF. Është interesante që forma specifike e SÇF-së që është e pranishme në SARS-CoV-2(tetë aminoacide të enkoduara nga 24 nukleotide) ndahet me një kanal sodiumi njerëzor që është studiuar në laboratorët amerikane.

Së katërti, SÇF ishte tashmë shumë e njohur si një përçues transmetueshmërie dhe virulence saqë një grup shkencëtarësh amerikanë dorëzuan një propozim qeverisë në vitin 2018 për të studiuar efektet e ndërfutjes së një SÇF në viruse si SARS të gjetura në lakuriqët. Ndonëse rreziqet e kësaj lloj pune janë vënë në dukje herë pas here, këto viruse lakuriqësh ka qenë konsideruar deri diku si kategori me rrezik të ulët. Kjo i çlironte ato nga udhëzimet e Institutit për alterimet, duke mundësuar eksperimente të financuara nga Instituti të zhvilluara në nivelin e papërshtatshëm të sigurisë, BSL-2.

Së pesti, Instituti ishte një mbështetës i fuqishëm i kërkimeve të tilla mbi alterimin, shumë prej të cilave ishin performuar duke përdorur bioteknologjinë amerikane dhe ekzekutuar në kuadrin e një fondi të Institutit përmes partneritetit tripalësh mes EHA, WIV(instituti i Vuhanit) dhe UNC(universiteti i Karolinës së Veriut).

Së gjashti, në vitin 2018, një shkencëtar i njohur amerikan duke ndjekur këtë kërkim, argumentoi se manipulimi laboratorik ishte jetik për zbulimin e barnave dhe vaksinave, por kjo rritje e rregullimit mund të pengojë progresin. Shumë kërkues në komunitetin e virologëve vijon të rezistojë ndaj thirrjeve të arsyeshme për përmirësim rregullmesh të manipulimit me rrezikun më të lartë të viruseve, përfshirë krijimin e një trupe të pavarurur rregullatore nga Instituti Kombëtar i Shëndetit.

Së shtati, virusi po qarkullonte me gjasë shumë më herët sesa përcakton narrativa standard që e daton vetëdijen për shpërthimin në dhjetor 2019. Ne ende nuk e dimë se kur pjesë të qeverisë amerikane u bënë të vetëdijshme për shpërthimin, por disa shkencëtarë ishin në dijeni që në mes të dhjetorit.

Së teti, Instituti e dinte që më 1 shkurt 2020, se virusi mund të ishte shfaqur si pasojë e kërkimeve laboratorike të financuara nga IKSH, por nuk zbuloi ato fakte themelore publikut apo Kongresit.

Së nëndi, kampionet e shumta të marra nga autoritetet kineze nga kafshët në tregjet e lagështa të Vuhanit dhe në mjedise të egra, nuk gjetën asnjë rast të vetëm kafshësh të egra që të ishte prekur nga SARS-CoV-2. Pavarësisht kësaj, nuk ka ndonjë tregues se Instituti kishte kërkuar laboratorit regjistra të agjencive amerikane, qendrave akademike, kompanive bioteknologjike të përfshira në kërkimet dhe manipulimet e koronaviruseve të ngjashme me SARS.

Së dhjeti, Komuniteti i Shërbimeve Inteligjente nuk ka shpjeguar se pse të paktën disa prej agjencive amerikane të inteligjencës besojnë se një lëshim laboratorik ishte më e ngjashmja, apo të paktën një nga origjinat e mundshme të virusit.

KOHA PËR TRANSPARENCË

Duke patur parasysh pyetjet pa përgjigje, ne bëjmë thirrje ndaj qeverisë amerikane që të ndërmarrë një hetim bipartisan. Ne mund të mos e kuptojmë dot kurrë origjinën e SARS-CoV-2 pa hapur librat e agjencive federale që kanë rëndësi(përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetit dhe Departamentin e Mbrojtjes), laboratoret që ata mbështesin, institucionet akademike që administrojnë të dhënat arkivore për viruset dhe kompanitë bioteknologjitë.

Një objektiv kyç i hetimit do të ishte ndriçimi i një pyetjeje bazë: a ndërmorën kërkuesit amerikanë kërkime apo ndihmuan kolegët e tyre kinezë për të ndërmarrë kërkime për ndërfutjen e SÇF-së në një virus të ngjashëm me SARS-CoV-2, duke lujatur kështu një rol të mundshëm në krijimin e patogjenëve të rinj si ai që çoi në pandeminë aktuale?

Hetimet mbi origjinën e CoVid-19 nuk duhet të jenë më sipërmarrje sekrete të drejtuara nga Komuniteti i Inteligjencës. Procesi duhet të jetë transparent, me të gjithë informacionin e rëndësishëm të bërë publik dhe të disponueshëm për kërkime shkencore të pavarura. Duket qartë për ne se ka patur një përpjekje të orkestruar për të kufizuar dhënien e informacionit që lidhet me ngjarjet e hershme të shpërthimit pandemik të pengojë kërkimin për të dhëna shtesë që janë qartazi të disponueshme në SHBA.

Ne sugjerojmë që një panel me kërkues të pavarur nga disiplina të rëndësishëm duhet të krijohet dhe t’i jepet akses në të gjitha të dhënat e nevojshme në mëntrë që të këshillohet Kongresi dhe publiku. Është një rast i mirë që ne të mund të mësojmë më shumë rreth origjinave të këtij virusi, papritur Kinën apo ndonjë tjetër vend, thjesht duke kërkuar në SHBA. Ne besojmë se ky hetim është shtyrë shumë gjatë tashmë dhe nuk pret më.

Burimi: Project Syndicate

Përkthimi dhe titulli shqip: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.