Heronjtë e Apokalipsit
Aty nga fundi i prillit 2022, as dy muaj pasi Rusia sulmoi Ukrainën, bota kuptoi një ndryshim të thellë të kuptimit të luftës për të ardhmen. Iku ëndrra e një zgjidhjeje të shpejtë.
Lufta çuditërisht tashmë është “normalizuar”, pranuar si një proces që do të vazhdojë pambarimisht. Frika e një përshkallëzimi të papritur, dramatik, do të përndjekë jetët tona. Autoritetet në Suedi dhe gjetiu, po këshillojnë publikun të mbajnë rezerva për të përballur kushtet e kohës së luftës.
Kjo zhvendosje është reflektual në të dyja anët e konfliktit. Në Rusi, diskutimet për një konflikt global po bëhen përherë e më të forta. Si drejtues i RT, Margarita Simonyan e ka shprehur:
“Qoftë nëse humbasim Ukrainën apo nëse nis një Luftë e Tretë Botërore. Personalisht, mendoj se skenari i një LIIIB është më realist”.
Një paranojë e tillë mbështetet nga teori të fandaksuara konspiracioni rreth një komploti të bashkuar liberal-totalitar, nazisto-hebre për të shkatërruar Rusinë. Pyetjes sesi Rusia mund të shpallë “denazifikimin” e Ukrainës kur presidenti ukraians, Volodymyr Zelenskiy është për vete hebre, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u përgjigj:
Mund ta kem gabim, por Hitleri po ashtu kishte gjak hebre. Që Zelenskiy është hebre nuk do të thotë asgjë. Çifutët e mençur thonë se anti-semitët më të ashpër janë zakonisht hebrej
Nga ana tjetër, sidomos në Gjermani, po merr formë një version i ri i pacifizmit. Nëse shohim përtej retorikës së lartë dhe përqendrohemi tek ajo çfarë Gjermania po bën, mesazhi është i qartë:
Nisur nga interesat tona ekonomike dhe rrezikun e tërheqjes në një konflikt ushtarak, ne nuk duhet ta mbështesim shumë Ukrainën, edhe nëse kjo do të thotë ta lëmë atë të gëlltitet nga Rusia.
Gjermania druhet se kalon një vijë përtej së cilës Rusia do të acarohet realisht. Por vetëm Vladimir Putin vendos se ku qëndron kjo vijë në një ditë të caktuar. Loja me frikën e pacifistëve perëndimorë është një pjesë kryesore e strategjisë së tij.
Qartazi, çdokush do të parandalojë shpërthimin e një lufte të re botërore. Por ka kohë kur të tregohesh shumë i kujdesshëm vetëm sa e inkurajon agresorin. Bullizuesit për nga natyra ecin me shpresën se viktima nuk do të reagojë.
Për të parandaluar një luftë më të madhe – për të vendosur një lloj frenimi – ne, gjithashtu duhet të vendosim vija të qarta.
Deri më tani, Perëndimi ka bërë të kundërtën. Kur Vladimir Putin po përgatitej për të nisur “operacionin e tij special” në Ukrainë, presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh se administrata e tij do të duhet të priste për të parë nëse Kremlini do të ndërmerrte “një inkursion të vogël” apo një pushtim të plotë. Implikimi i kësaj, sigurisht ishte që një akt “i vogël” agresioni do të tolerohej.
Zhvendosja e tanishme në optikë, zbulon një të vërtetë të thellë dhe të errët rreth pozicionit perëndimor.
Ndërsa ne më parë kemi shprehur frikën se Ukraina do të shtypej shpejt, frika jonë e vërtetë ishte pikërisht e kundërta: se pushtimi do të çonte në një luftë pa fund të dukshëm. Do të ishte shumë më konveniente nëse Ukraina do të binte menjëherë, duke na lejuar neve të shprehnim zemërim, vajtim dhe humbje dhe më pas t’i ktheheshim “biznesit si zakonisht”. Ajo çfarë duhet të ishte një lajm i mirë – një vend i vogël që papritur i reziston heroikisht agresionit brutal të një fuqie më të madhe – është shndërruar në një burim turpi, një problem për të cilin ne nuk dimë se çfarë të bëjmë.
E majta pacifiste europiane paralajmëron kundër çdo ripërqafimi të shpirtit heorik ushtarak që konsumoi brezat e mëparshëm. Filozofi gjerman, Jurgen Habermas ka sugjeruar madje se Ukraina është fajtore për shantazh moral vis-à-vis ndaj Europës. Ka diçka shumë melankolike në këtë pozicion. Siç Habermas e di mirë, Europa e pas-luftës ishte e aftë të qëndronte larg militarizmit vetëm për shkak se ndihej e sigurtë nën ombrellën bërthamore amerikane.
Por rikthimi i luftës në kontinent sugjeron se kjo periudhë mund të ketë mbaruar dhe se pacifizmi i pakushtëzuar do të kërkonte kompromise përherë e më të thella morale. Për fa të keq, aktet “heroike” do të duhen sërish dhe jo vetëm për t’i rezistuar dhe për të frenuar një aggressor, por gjithashtu për të përballur probleme të tilla si katastrofat mjedisore dhe uria.
Après le Déluge
Në frëngjisht, hendeku mes asaj që ne kemi frikë zyrtarisht dhe asaj çfarë kemi realisht frikë, jepet bukur nga e ashtuquajtura ne expletif, një “jo” që nuk ka kuptim në vetvete për shkak se është përdorur vetëm për arsye të sintaksës apo prononcimit.
Ajo shfaqet kryesisht në klauzola të lidhores së nënrenditur që pason folje me konotacion negative(të kesh frikë, të shmangësh, të dyshosh); funksioni i saj është theksimi i aspektit negativ i asaj që e ka paraprirë si në rastin: “Elle doute qu’il ne vienne.” (“Ajo dyshon nëse ai/nuk/po vjen”), apo “Je te fais confiance à moins que tu ne me mentes.” (“Të besoj vetëm nëse ti/nuk/më gënjen”).
Jacques Lacan përdorte ne expletif për të shpjeguar dallimin mes një shpresimi dhe dëshire. Kur unë them :Kam frikë se stuhia/nuk/do të vijë”, ndërgjegja ime uron që ajo nuk do të vijë, por dëshira ime e vërtetë është e inçizuar në "jo" e shtuar:
Kam frikë se stuhia nuk do të vijë, pasi fshehurazi joshem nga dhuna e saj.
Diçka si ne expletif aplikohet po ashtu në frikën europiane lidhur me ndalimin e furnizimit me gaz nga Rusia. “Ne kemi frikë se ndërprerja e furnizimit me gaz do të shkaktojë një katastrofë ekonomike”, përsërisim ne.
Po sikur frika jonë e shpallur të jetë e rreme? Po sikur ne të kemi frikë realisht se një ndërprerje e furnizimit me gaz nuk do të shkaktonte katastrofë? Siç ma shprehu së fundmi Eric Santner i Universitetit të Çikagos, çfarë kuptimi do të kishte nëse ne do të përshtateshim shpejt?
Fundi i importeve të gazit rus, jo vetëm që do të inauguronte fundin e kapitalizmit, por “do të detyronte megjithatë një ndryshim real në mënyrën “europiane” të jetesës”, një zhvendosje që do të mirëpritej shumë, pavarësisht Rusisë.
Për ta lexuar literalisht ne expletif-in, veprimi sipas “jo-së” është ndoshta akti politik më gjenuin i lirisë sot. Konsideroni shpalljen e përhapur nga Kremlini se ndalimi i gazit rus do të ishte ekuivalente me vetëvrasjen ekonomike.
Nisur nga ajo që duhet bërë për vendosur shoqëritë tona në një rrugë më të qëndrueshme, a nuk do të ishte kjo çliruese? Për të parafrazuar, Kurt Vonnegut, ne do të kishim shmangur hyrjen në histori si e para shoqërie që nuk e shpëtoi veten për shkak se një gjë e tillë nuk ishte efektive.
Globalizimi i kujt?
Media perëndimore është e mbushur me raportime mbi miliarda dollar që janë dërguar në Ukrainë; ndërkohë Rusia po merr dhjetëra miliardë dollar për gazin me të cilin furnizon Europën.
Ajo çfarë Europa refuzon ta konsiderojë është se mund të ushtronte një fomë presioni të jashtëzakonshëm joushtarak mbi Rusinë, ndërkohë që do të bënte shumë për planetin. Më tej akoma, dorëheqja nga gazi rus do të lejonte një lloj tjetër globalizimi – një alternativë absolutisht e domosdoshme si për variantin perëndimor liberal-kapitalist, ashtu edhe për markën autoritare kino-ruse.
Rusia nuk kërkon vetëm të shpërbëjë Europën. Ajo e prezanton veten po ashtu si një alet të botës në zhvillim kundër neokolonializmit perëndimor. Propaganda ruse shfrytzon me aftësi shumë nga kujtimet e hidhura të vendeve në zhvillim apo me të ardhura mesatare me abuzimet e Perëndimit.
A ishte bombardimi i Irakut më keq sesa bombardimi i Kievit? A nuk u rrafshua Mosuli po aq pamëshirshëm sa Mariupoli ? Sigurisht, ndërsa Kremlini prezanton Rusinë si një agjent të dekolonializmit, ai nuk kursen mbështetjen ushtarake për diktatorë lokalë në Siri, Republikën e Afrikës Qendrore dhe gjetkë.
Aktivitetet e organizatës mercenare të Kremlinit, Grupit Wagner që është dislokuar për llogari të regjimeve totalitare në botë, ofron një copëz të asaj sesi do të dukej globalizimi i stilit rus. Siç e ka shprehur së fundmi Yevgeny Prigozhin, njeriu i Putin pas grupit, një gazetari perëndimor:
Ju jeni një shoqëri perëndimore në vdekje që konsideron rusët, malezër, afrikano qendrorët, kubanët, nikaraguanët dhe shumë popuj të tjerë dhe vende se janë mbetja e Botës së Tretë. Ju jeni një tufë patetike perversësh në rrezik dhe ka shumë si ne, miliarda. Dhe fitorja do të jetë e jona
Kur Ukraina deklaron me krenari se mbron Europën, Rusia përgjigjet se do të mbrojë të gjitha viktimat e të shkuarës dhe të sotmses në Europë.
Ne nuk duhrt të nënvlerësojmë efektivitetin e kësaj propagande. Në Serbi, sondazhi i fundit tregon se për herë të parë, një shumicë votuesish tani i kundërvihen anëtarësimit në BE. Nëse Europa do të fitojë luftën e re ideologjike, do të duhet të tjetërsojë modelin e vet të globalizimit liberal-kapitalist.
Ndryshimi duhet të jetë radikal përndryshe do të dështojë për ta kthyer BE-në në një fortesë të rrethuar nga armiq te vendosur ta penetrojnë dhe shkatërrojnë atë.
Jam shumë i vetëdijshëm për implikimet e bojkotimit te gazit rus. Do të përfshinte çfarë e kam quajtur vazhdimisht si “komunizëm lufte”. Të gjitha ekonomitë tona do të duhet të organizoheshin si në rastin e një lufte të plotë, apo ngjashëm me një fatkeqësi në shkallë të madhe. Kjo nuk është aq e largët sa mund të duket.
Vaji i gatimit qysh tani është racionuar në mënyrë informale në dyqanet e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të luftës. Nëse Europa heq dorë nga gazi rus, mbijetesa do të kërkojë ndërhyrje të ngjashme. Rusia po shpreson në paaftësinë e Europës për te bërë ndonjë gjë “heroike”.
Është e vërtetë, ndryshime të tilla do të rrisnin rrezikun e korrupsionit dhe jepnin mundësi përfitimesh ekstra për kompleksin ushtarako-industrial. Por këto rreziqe duhen balancuar kundër interesave më të mëdha që shkojnë shumë tej luftës në Ukrainë.
Pesë kalorësit
Kjo botë po përballet me kriza të shumëfishta në të njëjtën kohë që evokojne katër kalorësit e apokalipsit: murtaja, lufta, uria dhe vdekja. Këta kalorës nuk mund të refuzohen thjesht si figura të së keqes.
Siç ka vënë re Trevor Hancock, lideri i parë i Partisë së Gjelbër në Kanada, ata janë “kaq afër asaj çfarë mund t’i quajmë katër kalorësit e ekologjisë që rregullojnë përmasën e popullsisë në natyrë”. Në terma ekologjikë, “katër kalorësit” luajnë një rol pozitiv duke parandaluar mbipopullimin. Por kur vjen puna te njerëzit, ky rregullator nuk ka funksionuar:
Popullsia njerëzore është më shumë se trefishuar në 70 vjetët e fundit, nga 2.5 miliardë në 1950 në 7.8 miliardë sot. Çfarë ndodhi...Pse ne nuk jemi kontrolluar? A ka ndonjë kalores të peste që do të shkaktojë rënien e popullsisë siç bëjnë brejtësit?
Deri tani vonë, vëren Hanckock, njerëzimi ka qenë në gjendje të mbante nën kontroll katër kalorësit me mjekësi, shkencë dhe teknologji. Por tani “ndryshimet e shpejta dhe masive ekologjike të cilat kemi vënë në lëvizje” po dalin jashtë kontrollit tonë.
Ndaj, ndonëse një goditje asteroidi apo shpërthim super vullkani do të na shfarroste, kërcënimi më i madh për popullsinë njerëzore, kalorësi i pestë nëse doni, jemi Ne
Nëse do të shkatërrohemi apo shpëtojmë, varet nga ne. E teksa vetëdija globale për këto kërcënime po rritet, ajo nuk është përkthyer në veprime domethënëse, kështu që katër kalorësit po rendin përherë e më shpejt.
Pas murtajës së CoVid-19, krizat e urisë ndodhen para nesh. Të gjitha kanë ose do të rezultojnë në vdekje masive, sikundër do të bëjnë fatkeqësitë përherë e më të rënda natyrore të krijuara nga ndryshimi klimaterik dhe humbja e biodiversitetit.
Ne duhet sigurisht, t’i rezistojmë tundimit të glorifikimit të luftës si një përvojë autentike për të na ngritur nga kënaqsia jonë e konsumizmit hedonist. Alternativa nuk është thjesht të çajmë përmes. Më shumë është mobilizimi në mënyra nga të cilat do të përfitojmë për një kohë të gjatë pasi lufta të ketë mbaruar.
Nisur nga rreziqet me të cilat përballemi, pasioni ushtarak është një arratisje frikacake nga realiteti. Por po kështu është edhe kënaqsia e rehatshme dhe jo heroike.
Burimi: Project Syndicate
Përkthimi: ResPublica
Add new comment