Parlamenti gjerman “ngel në klasë” vaksinimin e detyrueshëm
Dhoma e Ulët e Parlamentit të Gjermanisë hodhi poshtë sot një projektligj që kërkon që çdo person i moshës 60 vjeç e lart të vaksinohet kundër COVID-19.
Deri tani, në Gjermani janë vaksinuar rreth 76.6% e me të paktën një dozë. Kjo e lë Gjermaninë mbrapa vendeve të tjera europiane, si Franca, Italia dhe Spanja, që e kanë kaluar 80%-shin për numrin e qytetarëve të vaksinuar.
Në përpjekje për të shmangur një valë tjetër të virusit në vjeshtë, propozimi ndërpartiak kërkonte që qytetarët e moshës 60 vjeç e lart të vaksinoheshin nga 15 tetori. Pamundësia për të marrë votat e nevojshme po shihet si dështim për kancelarin Olaf Scholz, i cili kishte njoftuar ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, të largohej nga një takim i NATO-s në Bruksel vetëm për të qenë e pranishme në votim.
Nga 683 deputetët e pranishëm në sallë, 378 votuan kundër projektligjit dhe 296 pro, çka i gëzoi deputetët e ekstremit të djathtë të AfD.
Javën e kaluar, Scholz u detyrua të hiqte dorë nga planet për vaksinimin e detyrueshëm për moshat mbi 18 vjeç, pasi nuk mundi të mblidhte votat e nevojshme.
Dështimi i projektligjit pasqyron dinamikën sfiduese të politikëbërjes së koalicionit qeverisës, i përbërë nga socialdemokratët e Scholz-it, Të Blertët dhe demokratët e lirë liberalë, të cilët nuk pajtohen për shumë çështje.
Add new comment