Pak mençuri kineze: Le t’ia heqë zilen tigrit, ai që ia vari në qafë
Presidenti kinez ka zgjedhur fjalët e një poeti të vendit të tij për t’iu përgjigjur homologut amerikan për situatën e krijuar në Ukrainë. Xi Jingping citoi Hui Hong, një poet i antikitetit kinez, gjatë një bisede online me Joe Biden.
“Jie líng hái xu xì líng rén”, e përkthyer nga kinezishtja: Le t’ia heqë zilen tigrit, ai që ia vari në qafë, ishte përgjigjja e Jingping, e cila reflekton qëndrimin zyrtar të Kinës, që është distancuar nga sanksionet që Perëndimi i vuri Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Metafora është e qartë: tigri është Putin, ndërsa zilja asgjë tjetër veçse zgjerimi i NATO-s në lindje të Europës. Mesazhi: nëse SHBA-të duan të zbutin tigrin e tërbuar nga zilja që nuk pushon së tringëlluari, duhet t’i afrohen atij me kujdes.
Mbetet për t'u parë nëse kinezët kanë dëshirën dhe interesin për ta lehtësuar disi këtë zbutje dhe nëse ata nga ana e tyre e konsiderojnë edhe veten si tigra që duhen qetësuar.
Thuhet se Xi Jinping ka një kulturë letrare të gjerë dhe kjo reflektohet shpesh në daljet e tij publike (ai ka cituar shpesh Hemingway-in, Danten dhe Petrarkën).
Huì Hóng ka jetuar në kohën e Dinastisë Song. Fraza e përdorur në bisedën me Biden duket se është e preferuara e sekretarit të përgjithshëm komunist. Jingping e përdor atë në publik për të sinjalizuar bezdi kur përballet me një pyetje të padëshiruar. Në vitin 2014 ai e përdori për t’iu përgjigjur një gazetari të New York Times, i cili sfidoi kufizimet e Pekinit për shtypin ndërkombëtar.
Qeveria e Republikës Popullore të Kinës sipas ligjeve mbron lirinë e fjalës dhe gjithashtu të drejtat legjitime të shtypit. Megjithatë, shtypi ndërkombëtar këtu duhet të respektojë edhe ligjet e Kinës. Për shembull, nëse një makinë prishet, duhet të dilni dhe të kontrolloni se ku është problemi. Ne kinezët kemi një fjalë të urtë: "Le t’ia heqë zilen tigrit, ai që ia vari në qafë".
Në atë kohë, kjo frazë i angazhoi në kërkime gazetarët amerikanë, të cilët zbërthyen nëntekstin: Na keni acaruar, tani gjeni vetë një mënyrë për të na qetësuar.
Add new comment