BE shton sanksionet, Rusia: Operacioni në Ukrainë po shkon sipas planit
Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të katërt sanksionesh kundër Rusisë. Zyra e presidencës franceze njoftoi të hënën se subjekt i paketës së re janë individë dhe kompani "të implikuar në sulmin ndaj Ukrainës".
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, njoftoi sot se 2 808 792 refugjatë janë larguar nga Ukraina, shifër që e bën rastin eksodin më të madh të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Të paktën dy persona u vranë dhe 12 u plagosën sot, kur një predhë goditi një ndërtesë banimi në Kiev.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi NATO-s të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi vendin e tij, përndryshe shtetet anëtare mund të bëhen objektiv i Rusisë.
Rusia dhe Ukraina i rifilluan bisedimet, ndërkohë që sipas Moskës operacioni special ushtarak në Ukrainë po vazhdon në përputhje me planin fillestar dhe do të përfundojë në kohë dhe plotësisht. Zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov, citohet nga TASS:
Rusia ka potencial të mjaftueshëm për kryerjen e operacionit special ushtarak në Ukrainë. Operacioni po vazhdon në përputhje me planin fillestar dhe do të përfundojë në kohë dhe plotësisht.
Rusia e quan ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë një operacion të posaçëm, pas kërkesës për ndihmë nga liderët e republikave të Donbasit. Moska pretendon se nuk ka plane për pushtim të territoreve të Ukrainës, ndërsa qëllimi i vetëm i saj është çmilitarizimi dhe denazifikimi i vendit.
Add new comment