“Nëse bie Kievi, efekti domino shtrihet në të gjithë Europën Lindore”
Perëndimi duhet ta ndalë presidentin rus, Vladimir Putin tani, sepse nëse Kievi bie, do të ketë pasoja për të gjithë Lindjen e Evropës. Ky është paralajmërimi i kryeministrit slloven, Janez Jansha.
“Jam 100% i bindur se, nëse Rusia nuk ndalet në Ukrainë dhe Kievi bie, objektivi tjetër do të jetë Moldavia, Gjeorgjia, telashet do të shkaktohen në Ballkanin Perëndimor dhe më pas shtetet baltike bëhen objektivi i radhës”, thotë ai në një intervistë për Euractive.
Jansha paralajmëron një 'efekt domino' nëse Rusia do të ketë sukses me pushtimin e saj.
Kryeministri i Sllovenisë thotë se është thelbësore që "Evropa duhet të mësojë diçka nga historia e saj", duke iu referuar politikës së qetësimit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe luftërave jugosllave.
Jansha sheh "ngjashmëri të çuditshme" midis Putinit dhe ish-udhëheqësit jugosllav, Slobodan Millosheviç, dhe Evropa mund të presë "të njëjtat lëvizje irracionale nëse gjërat nuk planifikohen", me ndryshimin se Rusia nuk është Jugosllavi dhe është një fuqi bërthamore.
Një ditë më parë, edhe shefi i diplomacisë europiane, Joseph Borrell, paralajmëroi për ndikimin e mundshëm të Rusisë jashtë Ukrainës, në vendet fqinje, Gjeorgji dhe Moldavi, por edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe t'i kushtojmë vëmendje asaj që po ndodh me qëndrimet dhe harmonizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në BE, me politikën tonë të jashtme”, theksoi Borrell.
Add new comment