Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin: Ilir Meta nuk shkarkohet si President
Kërkesa për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka marrë sot përgjigje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese e cila ka hedhur poshtë atë si të pabazuar.
Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.
Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:
1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
- Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
- Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
- Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
- Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90, pika 2 dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenin 63, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar,
VENDOSI:
Shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”
thuhet në vendim.
Kështu mbyllet këtu një episod i luftës politike me një kthesë të papritur nisur nga përgatitja e deritanishme e opinionit publik. Do të duhet pritur vendimi i plotë, por megjithatë, nisur nga klima politike me të cilën është shoqëruar vendimi, është e arsyeshme të thuhet se Meta ka marrë një fitore që nuk është e qartë se me çfarë lidhet përveç se me interpretimin juridik.
Add new comment