Kriza kryesore në botë: SHBA nuk ka një ide për rolin e vet

Postuar në 13 Shkurt, 2022 15:00

Ne morëm rolin tonë ndërkombëtar më 1890 dhe sinqerisht, në shekullin e 20-të, Amerika nuk pati kurrë një sfidues që të barazohej me të…Nëse kthehesh pas dhe sheh vëllimin tregtar global që ne kontrollonim në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishte absolutisht astronomik. Dua të them ne përcaktonim axhendën, njerëzit na ndiqnin. Dhe më pas në Luftën e Ftohtë, për shkak se ne ishim fuqia që mund dhe nëse doni, mund të ngriheshim dhe parandalonim Bashkimin Sovjetik në afirmimin e autoritetit të tij, çdokush tjetër si të thuash vihej në rresht…

Shiko, ne bëmë luftra të deleguara dhe gjëra të tjera, por dua të them kjo  nuk ishte kushedi se çfarë. Befas, duke nisur në vitin 2001, e gjitha kjo nisi të shkërmoqet. Amerikanët nuk janë më e vetmja fuqi ekonomike dhe ne nuk mund të jemi të disponueshëm në ekonomi globalisht. Nuk jemi më i vetmi lojtar global që mund ët shpallë statusin e superfuqisë. Po, ne kemi ushtrinë më të mirë në botë, por nëse shikon më kujdes, ne nuk kemi fituar asnjë luftë që nga Lufta e Dytë Botëror. Pra, cili ëstë roli ynë?

Dhe do të shtoja sot se problemi më i madh që kemi është ne nuk e dimë. Nuk është çështje e një grand strategjie. Është çështje e kuptimit të atij se çfarë është një rol efektiv për SHBA tani në kontekstin global për të mbrojtur interesat tona…Ne nuk kemi zhvilluar as fjalorin për të nisur të flasim për këtë gjë…Problemi amerikan është përkufizimi i pozicionit të vet si një fuqi globale dhe dorëheqja nga ideja se ne jemi të vetmit që vlejmë…

Ky është një pasazh nga një intervistë e ish-ambasadorit amerikan në Moskë në vitet 1996-2001, James F. Collins, publikuar nga NSA Archive(Universiteti i Georgetown) në kuadër të një blloku prej 3 intervistash me ata që quhen dekanët e diplomacisë amerikane e që përfshin edhe ish-ambasadorin amerikan në vitet 1987-1991, Jack F. Matlock dhe Thomas R. Pickering, ambassador në vitet 1993-1996.

Intervistat janë një këqyrje e historisë së afërt të raporteve mes SHBA dhe Rusisë në rrjedhën e disa zhvillimeve sizmike që prekën mbarë globin. Reformat në Bashkimin Sovjetik, rënia e tij, transformimet e mëdha që prekën atë vend, politika e intervencionizmit të SHBA dhe mandej fermentimi i një krize si kjo që shohim sot. Të kthehemi te pasazhi i mësipërm: Amerika ka ende sot mjetet dhe fuqinë për të qenë në krye të botës, por ajo nuk ka ide të qarta për veten dhe kjo e shndërron forcën e saj ekonomike në handikap strategjik. Sepse të qenit në krye të një rendi nuk kërkon vetëm autoritetin e forcës por edhe autoritetin e ligjvënësit, çka lidhet me moralin dhe etikën e vlerave që përçon.

Në këtë kuptim, ambasadori Collins liston një sërë ngjarjesh që japin të kuptojnë se në Uashington nuk kanë parë të ndodhin shumë gjëra, një prej tyre rënia e Bashkimit Sovjetik. Të cilën sipas tij “as vetë rusët e nuk e panë të vinte”. Në Uashington nuk kuptuan as perspektivën e rusëve për atë që ndodhi në vitin 1990, perspektivë e cila nuk shihte humbjen, por fitore, pse nga njëra anë, ata hoqën qafësh komunizmin dhe kaluan paqësisht shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Ishte kjo mungesë aftësie për të depërtuar te Tjetri që çoi sipas Collins në fyerjen e madhe që iu bë rusëve me ndërhyrjen në Kosovë, duke vënë në krizë politike të brendshme një partner deri diku të besueshëm për Perëndimin, ish-presidentin Boris Yeltsin. SHBA-së i shpëtoi pa vënë re pasoja afatgjatë e bombardimit të Serbisë, pse duke besuar te forca, humbi nga vështrimi ndikimin që ka zhgënjimi dhe mobesimi i njerëzve tek një autoritet.

Një aspekt me rëndësi edhe për kohën që kalojmë është mënyra sesi SHBA u soll me Rusinë e krijuar në gërmadhat e Bashkimit Sovjetik, një tjetër moment ky përcaktues për ta rrokur më mirë dimensionin e sjelljes së Kremlinit.

Çështjet maturohen, gjërat vijnë në kontekstin e kohës, liderët në dyja vendet ose përballen me zgjedhje – në vendin tonë – ose përballen me ndryshim regjimi në Rusi. Koha ka rëndësi dhe të kuptosh se duhet t’u qasesh gjërave kur ato janë maturuar ose kur ke mbërritur në pikën kur në një kuptim dyert hapen për t’i diskutuar ato. Dhe ne jo përherë e bëjmë edhe këtë. Shembulli më i mirë për këtë, kur mendoj se humbëm një mundësi të madhe me Federatën Ruse, ishte menjëherë pas 11 shtatorit 2001, pas sulmeve terroriste.

 Z. Putin erdhi këtu dhe ai në thelb vendosi në tryezë mundësinë e bashkëpunimit kundër akviteteve terroriste dhe ai po ashtu në Teksas, firmosi një sërë dokumentesh që në thelb e angazhonin Rusinë në ndjekjen e reformave të mëtejeshme ekonomike, politike dhe kështu me radhë. Dhe kur ai u kthye në Rusi, mendoj se në mendjen e tij kishte marrë një rrezik politik substancial duke vënë në tryezë të gjitha këto, një rrezik që rridhte nga këndvështrimi i pozicionit të tij brenda Federatës Ruse. Për fat të keq administrate Bush thjesht nuk e kapi atë mundësi…

Ata nuk e përdorën këtë hapje për të parë se çfarë mund të arrihej në shumë mënyra në të cilat ne mund të ishim qasur ndaj qeverisë së Putin në atë kohë. Në vend të kësaj, ata u përqendruan në prioritete të tjera dhe brenda gjashtë muajve, siç kujtoj, u tërhoqën nga Traktati ABM, duke asgjësuar tërësisht idenë e Putin se ai mund të tregonte aftësinë për të bashkëpunuar me amerikanët për çështje strategjike

është shprehur ambasadori.

Ky rikapitulim vë në dukje problemet strukturore dhe tanimë sistemike të SHBA të cilat nuk kanë popullaritetin e duhur dhe kamuflohen nga propagandimi i një ideje të rreme se në botë çdo gjë shkon keq dhe në sens të kundërt me Lirinë përveçse në Amerikë. Si një vend që drejton botën prej më shumë se 70-vjetësh, duke e militarizuar atë në një shkallë të paprecedentë më parë dhe në konfirmim të një paradoksi kolosal, që një sistem liberal nuk e lejon konkurencën por vetëm kundërshtimin në rendin global, madje duke lënë si rrugë të vetme opsionin ushtaral, SHBA ka përgjegjësinë kryesore për këtë që po ndodh. Mund të thuhet se SHBA është shkaku i një krize kaq të madhe dhe të tjerat janë pasojat. Dhe janë shkak sepse nuk po dinë të formulojnë veten në kontesktin global, pasi edhe në epokën e konsumizmit mesa duket është e vështirë që të pranohesh në krye përmes parimit: Bota është Biznes.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.