NSA-ja europiane/ Europol ka mbledhur 4 petabajt të dhëna në shkelje të ligjit

Europol do të duhet të fshijë një sasi të madhe të dhënash, të cilat janë mbledhur në shkelje të ligjit. Mbikëqyrësi Europian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPS) arriti në përfundimin se të dhënat e në fjalë janë nxjerrë nga raportet e krimit, janë hakuar nga shërbimet e koduara telefonike dhe nga regjistrimet e azilkërkuesve që nuk janë përfshirë kurrë në ndonjë krim. “The Guardian” citon një dokument sipas të cilit, sasia e këtyre të dhënave është të paktën 4 petabajt. Kjo sasi do të kërkonte të paktën 3 milionë CD-Room për t’u ruajtur dhe është e barabartë me një të pestën e gjithë Bibliotekës së Kongresit në SHBA.
Aktivistët e mbrojtjes së të dhënave thonë se vëllimi i informacionit që gjendet në sistemet e Europolit është i tillë që mund të konsiderohet fare lehtë homologu evropian i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), e cila u dekonspirua vite më parë nga ish-agjenti Edward Snowden.
Midis sasisë së jashtëzakonshme të të dhënave gjendet të tilla që lidhen me të paktën një çerek milioni të dyshuar ose ish-të dyshuar për terrorizëm dhe krime të rënda dhe një mori njerëzish të tjerë me të cilët ata kanë pasur kontakt. Të dhënat janë grumbulluar nga autoritetet e policive të vendeve anëtare gjatë gjashtë viteve të fundit. Tani Europoli ka 6 muaj kohë për t’i fshirë këto të dhëna. Konfrontimi e vendos mbikëqyrësin e mbrojtjes së të dhënave të BE-së kundër një agjencie të fuqishme sigurie që po përgatitet të bëhet qendra e përdorimit të inteligjencës artificiale në polici.
Vendimi për fshirjen e të dhënave ekspozon njëkohësisht ndarje të thella politike midis organeve vendimmarrëse të Evropës, shkëmbimet midis sigurisë dhe privatësisë. Rezultati përfundimtar i përballjes së tyre ka implikime për të ardhmen e privatësisë në Evropë dhe më gjerë.
Add new comment