Qytetërimi ynë duhet ta çmitizojë Teknikën
Intervista e mëposhtme e filozofit francez Cérézuelle përqendrohet mbi një libër të këtij të fundit që merret me raportin e njeriut me teknikën. Një raport që në kushtet kur është përcaktuar nga një “imagjinar” që e barazon teknikën me progresin, është i vështirë të modifikohet. Tema është aktuale, madje universale dhe nuk lidhet me një qytetërim të caktuar dhe siç mund të lexohet ajo ka vlerë sepse vë në qendër Njeriun pasi e ardhmja e tij është e kërcënuar.
***
Intervistoi: Laurent Ottavi
Ju keni qenë i interesuar për çështjen e teknikës gjatë viteve 1960, atëherë kur pjesa më e madhe e filozofëve e neglizhonin. Cilat ndikime ju shtynë drejt kësaj çështjeje?
Që në rini, punimet e Jacques Ellul dhe Bernard Charbonneau më bënë të kuptoj se ritmi aktual i zgjerimit të sistemit tonë teknik, është dhe do të jetë përherë e më shumë i paqëndrueshëm dhe duhet t’i nënshtrohet rishikimeve të dhimbshme. Për më tepër, Ellul dhe Charbonneau më bënë të kuptoj se ajo çfarë vë në dyshim përsëri entuziazmi teknik, nuk është vetëm mundësia e një raporti të ekuilibruar me natyrën, por edhe liria e njeriut. Ne jemi sot të detyruar të pranojmë se frenezia jonë teknologjike ka si pasojë një çorganizim të ekuilibrave natyralë prej të cilëve ne varemi. Por ne pak kuptojmë nga ky fakt paradoksal: e vënë fillimisht në lëvizje nga një dëshirë për lirinë, sipërmarrja teknologjike rrezikon të kthehet kundër lirisë.
Teknika ka pra prirjen për t’u shndërruar në totale?
Thelbi i teknikës moderne është se nuk ka kufij të brendshëm dhe të mund të aplikohet në gjithçka, përfshirë jetën sociale dhe sjelljet njerëzore. Tashmë ajo që karakterizon zhvillimin teknik bashkëkohor, nuk është vetëm fuqizimi i teknikave që veprojnë në botën materiale, por edhe ajo e teknikave të njerëzores, propagandës, menaxhimit, planifikimit etj., që e kanë njeriun objekt dhe që nxitin depersonalizimin e ekzistencës dhe nënshtrimin e jetës së përditshme ndaj logjikave impersonale të organizimit dhe menaxhimit.
Që me Saint-Simon, i cili ishte profeti i religjionit industrial dhe organizimit menaxherial, u kërkua zëvendësimi i qeverisjes së njerëzve nëpërmjet administrimit të gjërave. Por, me t’u përfshirë në këtë logjikë tekniciste, gjërat(sendet) nuk mund të qëndronin më siç ishin dhe siç paralajmëron Baptiste Rappin, dogma menaxheriale dhe paradigma kibernetike bashkëkohore, synojnë tashmë administrimin shkencor të njerëzve dhe qeverisjen e gjërave.
Ky dominim në rritje i teknikës, do të çojë në autoritarizëm?
Herët apo vonë, për të shmangur katastrofat që janë rezultat i veprimit tonë mbi natyrën, do të duhet që ndaj përdorimit të teknikës, të imponohen masa shtrënguese në shkallë globale. Për të imponuar masat e domosdoshme ndaj një popullsie që nuk e kupton domosdoshmërinë e tyre dhe që përkundrazi, sheh në to rrënimin e shpresave të veta, sepse ajo vazhdon të përfaqësojë gjendjen e saj aktuale si të ardhmen e saj përmes prizmit të mitologjisë progresiste dhe imagjinarit teknicist, do të duhet një grusht i hekurt dhe një kontroll rigoroz, madje totalitar i të gjitha veprimtarive. Do të shkonim drejt paradoksit -të vënë në dukje në vitet 1930 nga Charbonneau- i një qytetërimi i cili teksa beson se ka gjetur çelësin e lirisë në fitoren e fuqisë teknike, do të duhet të heqë dorë nga liria për t’u mbijetuar pasojave të kësaj fitoreje.
Pikërisht fakti pse krijimi i modelit të një bote më të mirë të fut frikën, është arsye pse fusha e imagjinarit teknik merr një rëndësi politike kruciale.
Ju e përqendroni punimin tuaj në çështjen e imagjinarit teknicist që do të orientonte raportin tonë me pushtetin Teknik. Si e përkufizoni ju?
Esetë e përfshira në librin tim propozojnë një eksplorim të këtij imagjinari teknicist. Këtu ndërhyn një takim i tretë: ai me filozofin Jean Brun. Punimet e tij mbi fillesën e format e imagjinarit teknicist perëndimor tregojnë faktin se nëse në e kemi kaq të vështirë për të ndryshuar drejtim dhe të pranojmë t’i vëmë kufij angazhimeve tona teknike, kjo vjen për shkak se teknika nuk ka një ekzistencë neutrale; përkundrazi madje, ajo është mitogjene dhe për natyrë e ekspozuar ndaj mbi-investimeve simbolike. Që me Mekanikën, Aristoteli theksonte që falë artificit mekanik “më i vogli e mund më të madhin”. Shembulli i levës na tregon në fakt se prodhimi i veglës më të thjeshtë, na hap dyert e një bote në të cilën raportet e zakonshme mes qenieve mund të përmbysen. Teknika duket se përçon premtimin mahnitës të një subversioni të kuadreve ontologjikë të ekzistencës. Apo për ta thënë me Pascalin, te çdo njeri banon një “instinkt i fshehtë” që aspiron për një liri të çliruar nga varësitë e lindura, që janë pjesë e ekzistencës mishtore njerëzore. Kjo dëshirë mund të investohet në atë që Brun e quan potenciali onturgjik i teknikës, krijuese e modaliteteve të reja të qenies.
“Pa këtë padurim në lidhje me gjendjen tonë trupore, kulti i internetit dhe utopia e një çmishërimi digjital(desincarnation) të shpirtit, analizuar nga Ph. Breton, nuk mund të joshte kaq shumë mendje. Nuk ka asgjë më thellësisht metafizike sesa informatika!”, shkruani ju. Mund të na tregoni se në çfarë është teknika “mitogjene” nëse e tregojmë përmes shembullit të informatikës?
Për të kuptuar mahnitjen bashkëkohore për informatizimin e pjesës më të madhe të fushave të jetës sonë, duhet mbajtur parasysh fakti se në Perëndim, edhe pse shumë kohë para punimeve të Alan Turing dhe John von Neumman, magjistarë, mistikë dhe filozofë kanë projektuar mbi idenë e përllogaritjes automatike dhe inteligjencës artificiale aspiratën e tyre të një lirie të çmishëruar nga trupi. Përgjatë shekujve ata kanë hulumtuar problemet që ludhen me teknologjizimin e njohjes: “makina” për të menduar, ditur, memorizuar, apo organizuar, algjebra dhe përllogaritjet universale janë po ashtu përpjekje për krijimin e një mendimi dhe një jete artificiale dhe për çlirimin e proceseve mendore nga ankorimi i tyre trupor dhe organik. Pa këtë padurim në lidhje me gjendjen tonë trupore, kulti i internetit dhe utopia e një çmishërimi digjital(desincarnation) të shpirtit, analizuar nga Ph. Breton, nuk mund të joshte kaq shumë mendje. Nuk ka asgjë më thellësisht metafizike sesa informatika.
Duhet të deduktojmë se imagjinari teknicist vihet në lëvizje prej një urrejtjeje të pandërgjegjeshme për trupin?
Pikërisht përmes trupit ne prangosemi në botën e nevojës, të ndarjes dhe të vdekjes. Antikiteti na ka lënë mjaftueshëm dëshmi të virulencës së ëndrrës arkaike për t’u çliruar nga kjo barrë e rëndë që na mban të gozhduar në tokë. Dëshira për t’u de-individualizuar dhe shpërthyer burgun e unit organik, ushqen të gjitha llojet e shprehjeve të dëshpërimit, “mbledhje të shtrigonerisë dhe orgji teknike”(Jean Brun), të gjitha që synojnë rikompozimin e dhuratës natyrore: motorizimi frenetik, pushtimi i hapësirës, ekzaltimi i shpejtësisë, krijimi i organeve dhe i një ekzo-organizmi artificial, ëndrra për një cyborg, për një tru planetar, automatizimi i trupit… “teknika i ofron Dionizit mundësinë e tejkalimit të kufijve individualë të përjetuar në mënyrë mishtore”, shkruante më tej Jean Brun.
Si pasojë, padurimi në lidhje me ekzistencën përshkallëzohet dhe angazhohet në marrjen përherë e më të madhe të rrisqeve, përfshirë dhunën vetëshkatërruese. Filmat e Cronenberg, Videodorme, La Mouche, Crash, EXistenz, ilustrojnë këtë prirje pritmërie që teknika të na çlirojë nga barra e individualitetit mishtor.
Si e shpjegoni ju atëherë faktin që kaq shumë njerëz sot dëshirojnë të rikrijojnë trupin e tyre?
Paradoksalisht, mahnitja për trupin ideal performues që e shohim në media, publicitet dhe kinema, e fsheh keq urrejtjen e fshehtë për trupin. Ato dëshmojnë përpjekjen tonë për t’u çliruar nga trupësimi dhe në të cilën teknika luan një rol të rëndësishëm. Sot mund të realizosh “ribërjen” e pjesëve të trupit në letër dhe një numër në rritje njerëzish, veçanërisht të rinj, rendin drejt kirurgjisë estetike për t’u fshehur dhe maskuar pas një tjetër imazhi të vetes. Ky shqetësim i instrumentalizimit të trupit manifestohet po ashtu në praktikat sportive. Obsesioni me performancën, ekzagjerimi me stërvitjen, mbispecializimi, të gjitha këto e shohin trupin njerëzor si një makinë që nuk ka për të bërë kurrë mjaftueshëm. Thënia e vjetër, Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë, ka kohë që është braktisur.
Sot flitet për detyrimin e trupit për të tejkaluar kufijtë e formimit të tij organik, shpesh kjo në dëm të ekuilibrit psikik. Ashtu sikurse shihet në çiklizmin profesionist që e shndërron trupin në motorr, sporti modern mbështetet në makinizimin e qenies njerëzore, në kërkimin e pandalshëm të procedurave teknike për të na çliruar nga ajo që është e natyrshme, e lindur brenda nesh.
A duhet pra të de-mitizohet teknika?
Nuk mund të kuptohet ngazëllimi për teknikën që karakterizon qytetërimin tonë, pa mbajtur parasysh “shpirtin e teknicizmit” që nuk ka të bëjë fare me arsyen utilitare dhe që i fshehur pas racionalitetit të procedurave teknoshkencore, na shtyn të dëshirojmë në mënyrë pasionante të gjithë rritjen e pushtetit teknologjik. Ndërkohë edhe pse ky ngazëllim kërcënon njëherazi natyrën edhe lirinë, ne vazhdojmë të ëndërrojmë përherë e më shumë dominim. Ashtu sikurse e paralajmëronte Cassirer lidhur me mitologjinë totalitare naziste “miti është në një farë mënyre i paprekshëm, ai është i padepërtueshëm nga argumentet racionale dhe nuk mund të refuzohet përmes silogjizmave”. Ndaj edhe roli i filozofisë është të de-mitizojë mitologjitë, ato politike apo tekniciste. Kjo punë e de-mitizimit do të jetë gjithmonë e nevojshme dhe duhet rimarrë herë pas here.
Burimi: Marianne
Përkthimi: ResPublica
Comments
shume artikull i bukur
shume artikull i bukur
bravo respublica
Add new comment