Mjegulla e vaksinimit për të cilin mungojnë edhe përkufizimet zyrtare
Studimi zbulon se thuajse të gjithë fëmijët e sëmurë rëndë me CoVid-19 nuk ishin plotësisht të vaksinuar.
Ky është titulli i një lajmi të raportuar nga “The Hill” i cili më tepër sesa informon, promovon dhe propagandon nevojën për t’u vaksinuar plotësisht. Madje edhe fëmijët, të cilët sipas mjekëve dhe studimeve pa mbarim, deri para disa kohësh na thoshin se ata nuk janë të rrezikuar.
Media në fjalë, që është serioze, referonte studimin duke e sjellë atë me një lidhje konkrete. Dhe nëse i referohesh materialit të cituar, statistika është diçka më komplekse sesa thjesht shifra “vetëm 0.4% e të shtruarve ishin fëmijë të vaksinuar”. Më saktë: Plotësisht të vaksinuar. Studimi autorizohet nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA dhe aty thuhet se:
Mes fëmijëve dhe adoleshentëve me SARS-CoV-2 të pranuar në gjashtë spitale gjatë muajve korrik – gusht 2021, 77/9% u hospitalizuan me CoVid-19 akut. Mes këtyre pacientëve, afërsisht 1/3, të moshës nën 5 vjeç kishin një infeksion viral shoqërues(rreth 2/3-at e të cilëve kishin virus sinkital) dhe afërsisht 2/3-at të tyre të moshës 12-17 vjeç ishin obezë; vetëm 0.4% e pacientëve që përmbushin kriterin e moshës ishin plotësisht të vaksinuar
Pra një media si “The Hill” merr një fraksion statistikor dhe e qarkullon si temë kryesore të “lajmit” për të dhënë idenë se vaksinimi është çelësi. Dhe se ata që janë refraktarë ndaj kësaj ideje po luajnë me jetën e tyre dhe të komunitetit. Kjo vështirë se mund të quhet gazetari. Sepse këtu mungon tërësisht elementi kritik përderisa njerëzit bombardohen me statistika paralajmëruese dhe jo shteruese.
Por më tej se kaq është loja me termat. Tanimë media si “The Hill” nuk po flasin më për “të vaksinuar” ose jo, por për “të vaksinuar” dhe “të vaksinuar plotësisht”. Mirëpo vetë mediat amerikane raportojnë se CDC-ja, pra Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, nuk ka një përkufizim zyrtar dhe të qartë se çfarë do të thotë “plotësisht i vaksinuar”(fully vaccinated”).
Gazeta e njohur “The New York Times” trajtonte pikërisht këtë çështje në një shkrim të datës 29 dhjetor dhe ndër të tjera aty citohej dr. Rochelle P. Walensky e CDC-së – drejtoresha madje - sipas të cilës:
Ajo dhe zyrtarë të tjerë të shëndetit po punon për këtë çështje tani
Në kushte anonimati, gazeta citonte zyrtarë të Qendrës që shprehen se autoritetet amerikane duan të shmangin ndryshimin e përkufizimit në fjalë që është bërë dominues në jetën e përditshme të pjesës më të madhe të vendit. Në këto kushte, institucionet po tregohen praktike. P.sh dr. Walensky citohet të jetë shprehur se për CDC-në është e qartë si kristali se çfarë duhet bërë me njerëzit.
Nëse ata përmbushin kriteret për një dozë përforcuese, ata duhet të marrin dozën përforcuese
Mirëpo kjo qartësi kaq e madhe duket se vuan nga një mangësi që është strategjike dhe përcaktuese në luftën kundër CoVid-19 përmes vaksinës. Ajo është një qasje lokale përkundrejt një politike globale të munguar. P.sh kreu i Aleancës së Vaksinës, Seth Berkley shkruante së fundmi se përqendrimi i politikave sanitare kundër pandemisë te dozat përforcuese është një gabim i madh. Arsyeja: aktualisht 3.5 miliardë njerëz në botë nuk janë vaksinuar ende, duke bartur kështu rrezikun potencial për të qenë vatër e vazhdueshme e varianteve të reja.
Ndonëse shpresat se prodhimi i vaksinave arrin në 12 miliardë doza deri në fund të këtij viti, sërish qasja çalon në faktin se ajo është e orientuar nga emergjenca. Dozat përforcuese janë aspekti më ekstremist i saj.
Ne nuk e dimë potencialin dëmtues të Omicron. Më tej akoma, nuk ka të dhëna që sugjerojnë se dy doza të vaksinave ekzistuese janë më pak efektive kundër Omicron në mbrojtjen nga infeksionet e rënda, hospitalizimi apo vdekja. Kjo do të thotë se marrja e dozave përforcuese nga njerëzit me rrezik të ulët që kanë tashmë një farë mbrojtejeje, vetëm sa do të ketë ndikim të kufizuar në luftën kundër sëmundjes nëse ne nuk reduktojmë radikalisht numrin e njerëzve që janë ende të pavaksinuar
shkruan Berkley ndër të tjera.
Siç shihet, askush nuk e ka ende të qartë se çfarë përfaqëson Omicron, e megjithatë propozimi për doza shtesë është thuajse konsensual. Askush prej këtyre që vendosin nuk flet me statistika krahasuese p.sh me variantin Delta, duke i hequr kështu politikave sanitare një element të domosdoshëm besueshmërie.
Këto lajthitje janë fare të papranueshme dhe kundërindikative në epokën e informacionit, epokë e cila edhe shtrëngimin shtetëror e ka joefektiv, pasi ngarkesa hiperdebatuese mbi tema të tilla e vë në krizë shumë shpejt çdo autoritet. Dhe në këtë rast janë autoritetet që kanë ushqyer mosbesimin, e më pas dyshimin që çon në refuzim. Dhe për paradoks, janë këto autoritete që i kanë lejuar vetes gabimin që të ndërtojnë me politikat e veta narrativa stigmatizuese për kategori shoqërore, mu njësoj siç bëjnë konspiracionistët e çdo lloji.
skerdilajd zaimi
Add new comment