Një majtist me origjinë kroate zgjidhet president i Kilit
Gabriel Boriç pritet të marrë drejtimin e presidencës në Kili, pas një fitoreje të qartë përballë rivalit Jose Antonio Kast. Me një diferencë prej të paktën 10%, ai është shpallur fitues dhe do të marrë zyrtarisht detyrën më 11 mars 2022.
Boriç vjen nga e majta dhe është zotuar se do të luftojë kundër projekteve të dëmshme për mjedisin, ndër të cilat janë minierat e bakrit dhe arit, raporton CNN. "Duke shkatërruar botën, ne po shkatërrojmë veten. Ne nuk duam më projekte që po shkatërrojnë vendin tonë, komunitetin tonë," tha ai.
Kilianët zgjodhën midis Boriçit, ish-udhëheqësi 35-vjeçar i protestave studentore të lidhura me Partinë Komuniste, dhe ultra-konservatorit Kast, i cili është i lidhur me presidentin brazilian Jair Bolsonaro dhe është i njohur për mbrojtjen e ish-diktatorit kilian, Augusto Pinochet.
Boriç, babai i të cilit është me origjinë kroate, do të jetë presidenti më i ri në historinë e Kilit dhe, siç shkruan “New York Times”, më liberali pas Salvador Allendes.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 21 nëntor.
Një president jashtë formatit të zakonshëm
Boriç, me prejardhje kroate dhe katalanase, ka lënë pas pamjen me flokë të gjata të kohës si aktivist, në përpjekje për të ndërtuar një imazh më konsensual dhe më të moderuar.
Por ndërkohë që ka filluar të mbajë xhaketa, ai i shmang kravatat dhe nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur tatuazhet.
Ndryshe nga Kast, ai mbështet martesat e çifteve të të njëjtit seks dhe të drejtat e abortit.
Boriç ka lindur në Punta Arenas në jug ë Kilit. Ai është më i madhi nga tre vëllezërit dhe u transferua në kryeqytet për të studiuar drejtësi, megjithëse nuk i është nënshtruar kurrë provimit të jurisprudencës.
Ai është i pamartuar, nuk ka fëmijë dhe është admirues i zjarrtë i poezisë dhe historisë.
Add new comment