Një ëndërr në Orën e Betit
"Ora e Betit" sot po diskuton Bashkimin Kombëtar. Është fjala për një emision me titull të personalizuar në Ora News, ku është folur për bashkimin. Këtë ëndërr, siç thonë se është, dhe për skenarët e realizimit të saj.
Gjatë diskutimit ku janë bërë bashkë njerëz që pak gjëra i bashkojnë, është prononcuar edhe ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka shpjeguar ato që sipas saj janë dy skenarë kur Kosova dhe Shqipëria do të bashkoheshin.
Skenari i parë është tolerimi i Rusisë në destabilizimin e Ballkanit duke lejuar ndarjen e Bosnjes, çka sipas saj i jep të drejtë shqiptarëve dhe kroatëve të kërkojnë të drejtat e tyre.
Skenari i dytë është vonesa e pafundme e BE-së në integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Siç shihet eventualiteti i një bashkimi ndërmjetësohet nga një analizë e ngarjeve që mund t’i quajmë negative sepse në thelb ato përfaqësojnë procese shpërbërjeje dhe shumëzim me zero i investimeve jo vetëm financiare, por edhe ideologjike. Zonja Tahiri e konsideron këtë si një proces me rëndësi gjeopolitike, por ajo që kalon shpesh pa u trajtuar është gjeopolitika e brendshme e shqiptarëve, vullneti i tyre për bashkimin, nëse e duan atë apo jo dhe në fund, çfarë ka rëndësi: kush do jenë investitorët e huaj të një ngjarjeje të tillë të mundshme.
Ne duhet të pranojmë se në 120 vjetët e fundit nuk kemi bërë gjë tjetër veç kemi bërë sehir, kemi vjedhur e kemi pritur dhuratën e radhës, qoftë me krijimin e të ashtuquajturit shtet, qoftë me afirmimin e pavarësisë së rreme, qoftë me monarkinë, e mandej me pas Jaltën dhe çlirimin e Kosovës.
Kjo ka rëndësi sepse dështimi që përjetojmë për shkakun tonë, inaktivitetit tonë politik dhe rrejshmërisë historike mbi të cilën ndërtohet narrativa e brendshme po mbulohet me diagnozën po aq të pavërtetë siç është ajo e ndarjes së trojeve. Një shtet mund të mos funksionojë mirë për shumë arsye, por është e pashpjegueshme dështimi ynë moral si shoqëri përkundrejt të vërtetave historike dhe pretendimeve që ndërtojmë duke i fshehur ato. Nuk është e rastësishme që shqiptarët janë ndoshta populli me shtrirje gjeopolitike më të mëdha në Ballkanin e Jugut, por të cilën këtë shtrirje nuk e ushtron dot si element ndikues dhe zhvillues pikërisht pse një pjesë e tij i kundërvendoset një pjese tjetër për shkak të pozicionimit publik e historik.
Mjafton të shohim se kush janë zëdhënës të bashkimit për ta kuptuar se çfarë loje mund të jetë duke u luajtur me ne, që jemi drejtuar e drejtohemi nga ata që blihen e shiten për pesë lekë.
s.zaimi
Add new comment