#MeToo shtrihet edhe në industrinë franceze të pornos
Katër vjet pasi nisi në Hollivud me producentin Harvey Weinstein, lëvizja #MeToo po shtrihet me shpejtësi në Francë. Javët e fundit, kanë qenë të shumta denoncimet e grave të mediave në adresë të kolegëve meshkuj. Përtej medias, denoncime të ngjashme po bëhen edhe në industrinë e pornos, ku kufijtë mes angazhimit me dëshirë në një akt seksual dhe detyrimit bëhen pak më të mjegullt.
Siç raporton France 24, përgjatë një viti hetime, para policisë kanë denoncuar 53 femra që vijnë nga industria e pornos. Ato kanë folur për një kulturë dhune në këtë industri, përdorimin e drogës dhe detyrimin për t’i përfshirë në akte degraduese.
Katër meshkuj që vijnë nga kjo industri po gjykohen, tre prej tyre në burg dhe një i katërt në liri me kusht.
Mes tyre është edhe një regjisor, aktor dhe producent i njohur që përdor pseudonimin Pascal OP.
Në industrinë e pornos, seksi është punë dhe kjo e bën pak më të vështirë të ndahet ku mbaron detyra dhe ku fillon abuzimi. Marjolaine Vignola, avokate që mbron disa prej viktimave, thotë se është pozitiv fakti që po vihen nën akuzë edhe aktorët, jo vetëm producentët dhe regjisorët.
“Nëse para ke një grua që qan dhe ti vazhdon të bësh seks anal me të – pavarësisht nëse je në dhomën tënde të gjumit apo luan në një film pornografik, ligji është i njëjtë. Pëlqimi duhet të jetë i qartë vazhdimisht gjatë një akti seksual”.
Zërat për abuzime në industrinë e pornos franceze qarkullojnë prej kohësh. Vitin e kaluar, tre organizata feministe bënë një denoncim në rrjetet sociale dhe kjo çoi në hetimin “Jackie et Michel”, një faqe porno.
Në përgjigje të akuzave, vetë faqja si edhe gjiganti francez i pornos, Marc Dorcel, njoftuan se do të hartonin një kod etike për industrinë e pornografisë në Francë. Udhëzimet u publikuan në prill 2021 pas muajsh konsultimesh me njerëzit që punojnë në industri. Por organizatat feministe e kanë cilësuar fals një kod të tillë dhe ngulin këmbë se nuk mjafton për të ndryshuar një sistem të tërë.
Industria franceze e pornos nuk është e vetmja që gjendet në një situatë të tillë. Në Shtetet e Bashkuara, ndaj aktorit porno Ron Jeremy u ngritën 30 akuza për përdhunim ose sulm seksual nga 21 gra në gusht të këtij viti. Aktualisht, ai është në burg në pritje të gjykimit.
Add new comment